Gjykata lë në burg të akuzuarit për grabitjen e bankës
TIRANË - Gjykata e Tiranës la dje në burg pa afat tre të dyshuarit si autorë të grabitjes pak ditë më parë të filialit të Bankës NBG në autostradën Tiranë -Durrës. Burime nga kjo gjykatë pohuan se përfaqësuesi i akuzës kërkoi të njëjtën masë për të arrestuarit duke thënë se ka prova të mjaftueshme për dokumentimin e ngjarjes. Tre të dyshuarit; Fatjon Karanxha, 22 vjeç, Luan Kuçi, 22 vjeç dhe Edmir Shehi, 18 vjeç, banues në Tiranë, u arrestuan para tre ditësh gjatë një operacioni të organizuar nga policia e Tiranës dhe ajo e Dibrës nën akuzën e grabitjes së filialit të Bankës NBG në kilometrin e 9-të të autostradës Tiranë Durrës. Personat e mësipërm akuzohen se në bashkëpunim me njëri tjetrin, nën kërcënimin e armëve, kanë vjedhur 1 milion lekë nga kjo bankë. Burime të sigurta nga vendngjarja thanë për gazetën se aksioni i grabitësve ka zgjatur më pak se 5 minuta. Personat kanë marrë lekët në një çantë dhe kanë dalë nga ambientet ku kanë kryer vjedhjen nën kërcënimin e armëve dhe janë larguar. Sapo kanë dalë jashtë një punonjës i bankës ka telefonuar në polici dhe menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur forca të shumta të uniformave blu, të cilët nuk kanë bërë asgjë tjetër veçse kanë pyetur personelin për ngjarjen.
Arrestohet pas 30 orësh autori i plagosjes në Sarandë
FIER - Nuk ka zgjatur më shumë se 30 orë arratia e 20-vjeçarit të shpallur në kërkim nga policia e Sarandës. Arrestimi është bërë nga policia e Fierit, e cila ka vënë në pranga të kërkuarin Rades Musai, pasi ishte larguar nga vendi i ngjarjes dhe ishte fshehur në lagjen Nr. 3 të këtij qyteti. Ai pasi plagosi me armë një person gjatë një sherri në një disko të Sarandës, në tentativë për t’i shpëtuar policisë, shtoi shpejtësinë dhe rrezikoi të shtypte 5 policë.
Humb jetën, po priste dru në pyll
PUKË – Një 35-vjeçar ka humbur jetën teksa priste dru në pyll. Burimet zyrtare të policisë bëjnë të ditur se shtetasi Ylber Aliaj, banor i qytetit të Pukës, ka humbur jetën aksidentalisht te premten gjatë kohës që ka qenë duke prerë dru në pyll. Sipas të dhënave pranë komisariatit të Pukës thanë se vdekja e 35-vjeçarit ka ardhur si rezultat i pakujdesisë në përdorimin e sharrës me të cilën po punonte. I plagosur rëndë ai është dërguar me urgjencë në Spitalin Rajonal të Shkodrës, ku megjithë ndihmën e shpejtë që i është dhënë, nga plagët e rënda që kishte marrë ai ka humbur jetën.
Mbytet në Velipojë pushuesi nga Kosova
VELIPOJË - Një 56 vjeçar nga Kosova që pushonte në plazhin e Velipojës humbi jetën teksa notonte në ujërat e këtij bregdeti. Burime zyrtare të policisë së Shkodrës, thanë se viktima është shtetasi Femi Qorrolli, 56 vjeç, lindur dhe banues në Ferizaj, Kosovë. Grupi hetimor i komisariatit të Policisë së Shkodrës ka shkuar në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e shkaqeve të kësaj ngjarjeje. Rasti i djeshëm e çon në tre numrin e pushuesve kosovarë që kanë gjetur vdekjen në Velipojë. Një 18-vjeçare nga Ferizaj pësoi infarkt në zemër në plazhin e Shëngjinit.
I përplas makina, plagosen 3 kalimtarë
MAMURRAS - Tre persona kanë mbetur të plagosur, kur një makinë i ka përplasur përtokë në rrugë dhe është larguar menjëherë pa i ndihmuar. Aksidenti ndodhi në Mamurras, në kohën që tre personat ishin duke kaluar në rrugë, në këmbë. Sipas policisë, një makinë që drejtohej nga shtetasi Ilir Demiri i ka marrë përpara dhe i kanë lënë të plagosur. Nga të dhënat në vendngjarje, mësohet se të plagosur janë shtetasit Alda Prela, 16-vjeç; Rita Lika, 20-vjeç dhe Ilir Gjetani, 45-vjeç. “16-vjeçarja u transportua në Spitalin Ushatarak të Tiranës, pasi ndodhej në gjendje kritike për jetën”,- thanë burimet policore. Dy të tjerët nuk kanë probleme serioze. Policia shpalli në kërkim drejtuesin e mjetit.
Alarmi i rremë për bombë, 1 km radhë në Kakavijë
KAKAVIJË -Radhë e gjatë në Kakavijë pas bllokimit të punës si pasojë e një alarmi për bombë në anën greke të doganës. Kontrolli i imtësishëm i bërë në doganë nga forcat e policisë greke ka arritur në përfundimin se bëhej fjalë për një alarm të rremë. Pas kësaj, policia ka vendosur që puna të rifillonte dhe të hapeshin sërish sportelet. Burime nga dogana jonë bëjnë me dije se ndërkohë në radhë janë shumë emigrantë shqiptarë që presin të hyjnë në atdhe për pushime. Radha gjatë kohës që u ndërpre puna ka arritur deri në 1 kilometër. Alarmi për bombë në doganë greke të Kakavijës u dha përmes një telefonate dhe shkaktoi panik mes punonjësve dhe qytetarëve që kanë qenë në pritje për të kaluar kufirin.
Hetim për dy persona, falsifikuan vulat e ujësjellësit
LIBRAZHD - Dy shtetas procedohen në gjendje të lirë, pasi dyshohen për falsifikim të vulave, stampave dhe formularëve te kryer në bashkëpunim. Burime të policisë bënë të ditur te premten për ATSH se ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë ndaj shtetasve Kastriot Gurra, 31 vjeç, si dhe Rrapush Bahiti, 51 vjeç, që të dy nga Librazhdi. Procedimi penal në gjendje të lirë ndaj shtetasve të sipërpërmendur ka filluar pasi në bashkëpunim me njëri tjetrin dyshohet se kanë falsifikuar vulat e ndërmarrjes së Ujësjellës – Kanalizimeve të qytetit të Librazhdit.
Kapet tmerri i plazhit, vodhi disa banesa për pak ditë
DURRËS – Një i mitur, i konsideruar një ndër personat më të rrezikshëm në zonën e plazhit për vjedhje, është ndaluar nga forcat e rendit. Pas disa denoncimeve të kryera nga pushues të ndryshëm në Lagjen Nr. 13, u bë e mundur kapja e M.C., banues ne Tirane. Sipas tyre, 11-vjeçari po kryente një vjedhje në mjediset e hotel “Rom...”. Ky shtetas dyshohet se ka vjedhur edhe pajisjet e brendshme të një mjeti tip Renault Clio rreth 5 ditë më parë dhe tre familje kosovare, të vendosura tek hotel “Gostivari” në Sektorin Teuta Plazh Durrës ku janë marrë shuma parash. Dyshohet se ai ka kryer disa grabitje në qytetin e Durrësit dhe në kryeqytet.
9 Gusht 2008