Testi për shkollën e policisë, emrat e 216 fituesve
Laureta Rryçi
Dje në ambientet e “Pallatit të Kongreseve” u zhvillua testimi me shkrim i konkurrentëve që kanë aplikuar për të ndjekur Shkollën Bazë të Policisë. Në testimin me shkrim morën pjesë 1.034 nga kandidatët që kishin aplikuar në të gjithë vendin. Pas përfundimit të testimit me shkrim, nisur nga pikët e grumbulluara u kualifikuan fitues për këtë fazë të konkurrimit 216 nga kandidatët që kanë aplikuar. Testimi me shkrim është faza e parë e përzgjedhjes së kandidatëve që do të ndjekin kursin për Patrullën e Përgjithshme. Rezultatet e testimit me shkrim u nxorën në prani të kandidatëve pjesëmarrës dhe korrigjimi i tyre u bë me skaner. Listat me rezultatet përfundimtare të testimit do të afishohen në vende të dukshme pranë “Pallatit të Kongreseve”. Kandidatët që kanë grumbulluar mbi 60 pikë konsiderohen fitues dhe do t’i nënshtrohen fazave të tjera të përzgjedhjes.
Fazat e tjera
Nga data 12 deri me datën 15 gusht fituesit e testimit me shkrim do i nënshtrohen testimit fizik, i cili do të zhvillohet në Akademinë e Policisë “Arben Zylyftari”. Në datën 12 gusht, në orën 07.00’, do të paraqiten për testimin fizik kandidatët nga numri rendor 1 deri në numrin rendor 54. Në datën 13 gusht, në orën 07.00’, do të paraqiten për testimin fizik kandidatët nga numri rendor 55 deri në numrin rendor 108. Në datën 14 gusht, në orën 07.00’, do të paraqiten për testimin fizik kandidatët nga numri rendor 109 deri në numrin rendor 162. Në datën 15 gusht, në orën 07.00’, do të paraqiten për testimin fizik kandidatët nga numri rendor 163 deri në numrin rendor 216. Në përfundim të të gjithë procesit do të përzgjidhen për të vazhduar kursin e formimit bazë policor 150 nga kandidatët që kanë aplikuar.
Pranimi në Polici
Aplikantët të cilët kalojnë me sukses procesin e testimit, përfshihen në listën e kandidatëve për t’u pranuar në Polici sipas pikëve të marra në procesin e testimit në rend zbritës.
Struktura qendrore e personelit harton listën e kandidatëve për t’u pranuar në Polici si punonjës policie nga lista e përgjithshme sipas rendit numerik të pikëve të marra gjatë procesit të testimit. Në rastet kur dy ose më shumë kandidatë rezultojnë me pikë të barabarta, do të merret për bazë rezultati i testit me shkrim. Një kandidat i cili është s’kualifikuar sipas këtij udhëzuesi, ka të drejtë të kërkojë shqyrtimin e rastit të tij nga strukturat qendrore të personelit jo më vonë se shtatë ditë nga marrja e njoftimit për s’kualifikim. Strukturat përkatëse të personelit duhet të kthejnë përgjigje për kërkesën jo më vonë se dhjetë ditë nga marrja e kërkesës. Nëse rezultati i shqyrtimit është në favor të kandidatit, ai do të lejohet të vazhdojë procesin.
9 Gusht 2008