Alarmi, ndotet uji i pijshëm në fshatrat e Korçës
KORÇË – Shëndeti i mijëra banorëve në fshatrat e Korçës është i rrezikuar si pasojë e ndotjes së ujit të pijshëm. Alarmin e kanë dhënë autoritetet e kujdesit shëndetësor në këtë rreth. Në shumë zona të rajonit të Korçës uji i pijshëm në depo nuk klorinohet, e për pasojë rezulton me ndotje bakteriale. Nëndrejtoresha teknike e Drejtorisë së Shëndetit Publik, Merita Kroi pohoi se nga verifikimet e bëra në terren, rezulton që gjendja është problematike. “Nga 164 analiza të kryera në rreth 100 prej pikave të ujit të pijshëm, uji ka rezultuar me ndotje bakteriale”.
Zonat problematike
Në pjesën më të madhe të fshatrave në juglindje të vendit, uji i pijshëm nuk mund të konsumohet. Drejtoria e Shëndetit Publik në Korçë ka përcaktuar zonat e rrezikshme. Sipas ekspertëve të këtij institucioni, më problematike situata paraqiten në fshatrat Sheqeras, Libonik, Qatrom, Lumalas, etj., me një popullsi të konsiderueshme. Edhe pse nuk janë evidentuar raste me pasoja të rënda shëndetësore nga konsumimi i ujit me ndotje bakteriale, një situatë e tillë sipas nëndrejtoreshës Kroit përbën shqetësim veçanërisht në këto ditë të nxehta. Për situatën e krijuar nëndrejtoresha e Shëndetit Publik, fajëson Shoqërinë Anonime Ujësjellës-Fshat dhe komunat në administrim të të cilave janë ujësjellësit, të cilat nuk kanë marrë masa për klorinimin e ujit.“Pas kontrolleve të ushtruara, janë vendosur edhe gjoba dhe janë lënë detyra për përmirësimin e situatës”- thotë ajo, ndërkohë që banorët vazhdojnë të konsumojnë një ujë që është jashtë parametrave të lejuar për përdorim.
Rastet e Poliçanit dhe Kuçovës
Temperaturat e larta të ditëve të fundit kanë dhënë alarmin për rrezik epidemish në të gjithë vendin. Një fakt i tillë e nxiti edhe Drejtorinë Qendrore të Shëndetit Publik dhe agjencitë e tjera shëndetësore të shtojnë personelin e tyre gjatë verës, sidomos në zonat bregdetare. Por, konstatimi i bërë në Korçë vjen pikërisht pak javë pasi ndodhen helmime masive në Kuçovë dhe Poliçan. Në disa fshatra të Kuçovës ishte ndotur uji gjatë punimeve që bënin firmat e guroreve, gjë që solli shtrimin e mbi 40 personave në spital. Pak ditë më vonë, një virus i rrezikshëm për shëndetin e njeriut u shfaq edhe në Poliçan, ku rreth 80 banorë vendas përfunduan në spital. Një gjendje e tillë shqetësoi autoritetet vendore, si dhe Ministrinë e Shëndetësisë dhe atë të Transporteve. Raste të veçuara të këtij virusi i shfaqën edhe në rrethe të tjera të vendit. Megjithë paralajmërimet e dhëna, autoritetet shëndetësore në vend duket se nuk janë në gjendje të mbajnë situatën nën kontroll.
BOX
Turistët helmohen nga ushqimet në fast-foode
DURRËS - Shitësit ambulatorë të akulloreve dhe Fast-Food-et janë bërë shpesh herë burim helmimesh në qytetin e Durrësit. Dhjetëra persona në ditë shfaqin shenjat e helmimit me bark të vjella apo dhe me temperaturë. Ndërsa disa të tjerë nga gjendja e rëndë e helmimit shtrohen për kurë intensive. Fari Merollari, drejtor i Qendrës Shëndetësore në plazhin e Durrësit thotë se helmimet nga ushqimi mbeten shqetësim dhe për këtë kërkohet më tepër përgjegjshmëri nga organet kompetente. Autoritet shëndetësore ju bëjnë thirrje qytetarëve të mos konsumojnë ushqimet që shiten në pikë të diellit. Rreziku më i madh vjen nga pikat ambulatore të cilat funksionojnë pa asnjë lloj leje apo licencë për të tregtuar ushqime të ndjeshme siç është dhe akullorja.
Masat për pasaporta, sportelet e hapura edhe të dielën
TIRANË - Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë bëri të ditur dje se ka marrë të gjitha masat e nevojshme për t'iu përgjigjur në kohë reale kërkesave të qytetarëve dhe në mënyrë të veçantë emigrantëve, për t'u pajisur me pasaportë për jashtë shtetit.
Nëpërmjet një deklarate të shpërndarë për shtyp, kjo Drejtori siguron se strukturat e saj kanë marrë udhëzimet përkatëse për menaxhimin sa më mirë të prodhimit në kohë të pasaportave, duke përballuar aktualisht fluksin e kërkesave në rritje për dokumentin identifikues. Këto masa, vijon deklarata, janë marrë me qëllim për të përballuar në kohë nevojat e shtetasve shqiptarë, të cilët kanë emergjenca shëndetësore për të udhëtuar jashtë shtetit, për studentë, biznesmenë, turizëm etj (ku afati për emergjencë është në pak se 3 ditë dhe duhet paraqitet një dokument që vërteton shkakun e lëvizjes së personit aplikant).
9 Gusht 2008