Policia kërkon ndihmë për identifikimin e kufomës
LUSHNJE - Policia e Shtetit dje zyrtarisht i ka kërkuar ndihmë banorëve të zonës së Lushnjës për identifikimin e kufomës së gjetur prej tre ditësh. Sipas një njoftimi zyrtar me 7 gusht, në afërsi të vendit të quajtur “Tre Urat”, pranë fshatit Grabian të Lushnjës, në rrugën rurale është gjetur kufoma e një shtetasi e vrarë me mjete të forta dhe më pas e djegur. Nga strukturat e hetimit të krimit në Policinë e Shtetit është duke u punuar intensivisht për zbardhjen e kësaj ngjarje dhe vënien para drejtësisë së autorëve të saj. Ndërkohë Policia e Shtetit kërkon bashkëpunimin e qytetarëve për identifikimin e këtij shtetasi. Për çdo informacion qytetarët mund të telefonojnë në numrin publik pa pagesë 129. Kufoma e gjetur ditën e djeshme është e seksit mashkull, me gjatësi trupore 1.68 cm, mosha 18-25 vjeç, me flokë ngjyrë të zezë të qethur shkurt e të lyer me xhel, sytë bojë qielli. Ai mbante veshur një bluzë të zezë, në pjesën e përparme të bluzës ka mbishkrimin “EMPORI-ARMANI”. Po ashtu mbante veshur pantallona treçerekëshe doku me ngjyrë bezhë, si dhe atlete ngjyrë gri me mbishkrimin “NIKE”.
9 Gusht 2008