Gërdeci, prokurorët gjithnjë një hap para, dy hapa pas
Si u hetua çështja nga dita e parë deri sot nga Prokuroria. Mangësitë e superdosjes dhe copëzimi i saj në disa gjykata
Habjon Hasani
Tiranë - Pas shpërthimit tronditës më 15 mars të vitit të kaluar në Gërdec, vetëm tri ditë më vonë, Prokuroria e Tiranës, nën mbikëqyrjen e një grupi prokurorësh të Prokurorisë së Përgjithshme, nisi hetimin e asaj që u quajt dosja “Gërdeci”, një ngjarje me një bilanc të egër; 26 veta të vrarë dhe qindra shtëpi të shkatërruara apo të dëmtuara. Fazën e parë hetimore veproi Prokuroria e Tiranës, e cila kreu të gjithë ekzaminimin e vendngjarjes, pyetjen e dëshmitarëve që kishin lidhje me fabrikën dhe me aktivitetin tregtar që zhvillohej në biznesin e drejtuar nga Mihal Delijorgji. Pesë ditë pas tragjedisë organi i akuzës njoftoi arrestimin e Delijorgjit, Ylli Pinarit dhe Dritan Minxollit, ndërsa dy ditë më vonë organi i Prokurorisë së Përgjithshme shpalli lëvizjen e tij për ngritjen e një njësie të posaçme hetimore që do drejtohej nga Zamir Shtylla, drejtor i Përgjithshëm i Hetimit të Krimit të Organizuar në Prokurorinë e Përgjithshme. Pas tij në ekip ishte Sokol Stojani dhe pesë prokurorë të tjerë të asistuar nga 11 oficerë të Policisë Gjyqësore. Porsa u ngrit ky ekip hetuesish për ngjarjen e Gërdecit, një tjetër skandal iu bashkëngjit kësaj dosjeje pas denoncimit publik të biznesmenit të ndjerë Kosta Trebicka, i cili pretendoi në media se ishte shmangur në mënyrë mafioze nga një kontratë me Pentagonin, pas ndërhyrjes së të njëjtit klan që menaxhonte Gërdecin. Shtimi i kësaj dosjeje hetimore e ktheu të gjithë vëmendjen nga organi i akuzës, pasi në “lojë” ishin dy çështje shumë të mëdha, që flisnin për një implikim të zyrtarëve të lartë në dy afera shumë të forta.
Hetimi
Kalimi i çështjes në grupin special të Prokurorisë së Përgjithshme solli një hetim të gjithanshëm të çështjes, ndërsa dhjetëra gjeneralë, qindra individë të lidhur me ngjarjen dhe shumë zyrtarë të Ministrisë së Mbrojtjes u morën në pyetje dhe shpeshherë disa syresh u ballafaquan me dokumentet që kishin firmosur me dorën e tyre. Skandali mbi shpërthimin e Gërdecit u pasua nga zbulimi në media i faktit se një prej viktimave të shpërthimit ishte dhe një njeri me lidhje të ngushta familjare me kryeministrin e vendit, ndërsa burimet zyrtare për ditë të tëra me radhë e kishin fshehur një fakt të tillë. Çdo ditë e më tepër dokumentet dhe faktet e zbuluara tregonin se pas sipërmarrjes së Gërdecit qëndronte një mbështetje e fortë politike, ndërsa që prej muajit maj 2008, prokuroria e trajtoi çdo risi dhe element të ri të zbuluar me shumë konspiracion, duke mos bërë publike shumë detaje për mediat. Hetimi vazhdoi intensiv deri në nëntor të vitit 2008, kohë kur maxhoranca e drejtuar nga kryeministri Berisha inicioi ligjin “Për pastërtinë e figurës”, i cili parashikonte heqjen nga postet drejtuese të ish-punonjësve të organeve hetimore të para viteve 90’. Ky ligj u miratua në ditët e para të vitit 2009 dhe dukej se prekte në mënyrë direkte kryehetuesin e dosjes “Gërdeci”, Zamir Shtylla. Vetë emri i Shtyllës u lakua publikisht prej kryeministrit në një kontekst denigrues përpara se ligji të miratohej. Më 15 shkurt të këtij viti Shtylla dha dorëheqjen e parevokueshme nga çështja, ndërsa zëvendësi i tij, Sokol Stojani, mori drejtimin e hetimeve. Dorëheqja e Shtyllës erdhi në një moment kur prokuroria kishte nisur përgatitjen për shpalljen e akuzave dhe dërgimin e dosjes në gjykatë.
Disfatat
Me Sokol Stojanin në krye të grupit hetimor, në harkun kohor të dy muajve dosja u bë gati për në gjykatë. Mes të pandehurve ishte dhe ish-ministri i dorëhequr i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, si dhe gjithë krerët më të lartë të Shtabit të Përgjithshëm në kohën e shpërthimit. Por vetëm pak ditë pasi dosja kishte shkuar në gjykatë në media u zbulua implikimi i një firme të quajtur “TDC”, e cila, sikurse rezultoi nga dokumentet zyrtare, kishte ndërtuar në mënyrë të paligjshme Fabrikën e Gërdecit. Sikurse u zbulua, Prokuroria kishte sekuestruar disa dokumente kofidenciale të SHIU-t që denonconin aktivitetin e kësaj firme, por për disa muaj me radhë ky institucion nuk kishte kryer asnjë verifikim mbi këtë kompani. Ky ishte fakti i para që vuri në pikëpyetje punën hetimore të organit të akuzës, ndërsa sigurimi nga ana e medias i dosjes së plotë hetimore, zbuloi se shumë personazhe të lidhur me ngjarjen nuk ishin marrë në pyetje nga ana e organit të akuzës. Dukej se presionet publike të politikës nuk kishin dalë krejt pa rezultat. Sikurse u zbulua më vonë, në hetimin e Prokurorisë kishte mangësi esenciale, siç ishte rasti i pyetjes formale të Patrik Henrit, ortakut amerikan të Mihal Delijorgjit në këtë fabrikë, i cili nuk erdhi asnjëherë në vendin tonë për të dhënë sqarime dhe për të cilin Prokuroria nuk kërkoi asnjëherë sjelljen e tij në Shqipëri. Por, një tjetër “rrëshqitje” e çuditshme e prokurorisë ndaj hetimeve ishte hetimi në detaje i trajektores bankare të fitimeve të Gërdecit, organi i akuzës u mjaftua vetëm me disa kontrolle rutinë në bankat shqiptare, pa tentuar të investohej në një hetim më të gjerë lidhur me lëvizjen e parave të këtij aktiviteti tregtar me municionet që shpërtheu duke vrarë 26 njerëz. Pas depozitimit të çështjes në Gjykatën e Lartë hetimi i kësaj dosjeje u kanalizua në dy gjykata të ndryshme, pasi avokatët mbrojtës të disa prej të pandehurve kërkuan gjykimin e saj në Gjykatën e Tiranës. Në Gjykatën e Lartë do të gjykohej vetëm Fatmir Mediu, si një zyrtar dhe deputet me imunitet. Zoti Mediu ishte i vetmi qeveritar që u shpall i pandehur nga ana e prokurorisë, ndërsa tanimë Gjykata e Lartë vendosi për pushimin e ndjekjes penale ndaj tij për shkak të rifitimit të imunitetit më 28 qershor të këtij viti. Nga konstitucionalistë të ndryshëm, pushimi i ndjekjes penale ndaj Fatmir Mediut (nga Gjykata e Lartë) është konsideruar si një vendim i bazuar në keqinterpretimin e Kushtetutës. “Gjykata duket sikur e gjen justifikimin ligjor në 2 nene. Për një arsye apo një tjetër, Gjykata anashkalon një fakt shumë të rëndësishme, faktin që qoftë Kushtetuta apo Kodi flasin për ndjekje penale për gjykim. Pra deputeti është i mbrojtur nga veprimet me karakter hetimor të ndërmarra nga prokuroria e Policia Gjyqësore, por jo nga një proces penal”, - u shpreh dje konstitucionalisti Gent Ibrahimi. Përtej polemikave që ka ndezur vendimi i Gjykatës së Lartë, tashmë prokuroria do të duhet të sigurojë suksesin me pjesën tjetër të të pandehurve në gjyqin që po zhvillohet në Gjykatën e Tiranës dhe që shenjat e para nuk i ka dhënë dhe aq pozitive nëse i referohemi faktit se në mënyrë ciklike ky gjyq është shtyrë me pretekste nga më të “larmishmet”.
Ina Rama: Procedimit ndaj Mediut i vuri “kapak” Gjykata e Lartë
Nuk do të ketë më asnjë veprim tjetër të ndërmarrë nga Prokuroria lidhur me çështjen e përfshirjes së mundshme të ministrit Fatmir Mediu në tragjedinë e Gërdecit. Një fakt të tillë e ka bërë të ditur vetë kryeprokurorja Ina Rama ditën e sotme, duke shuar në këtë mënyrë të gjitha mundësitë për vazhdimësi të punës së organit të akuzës mbi këtë çështje. “Mbetet në fuqi vendimi i Gjykatës për pushimin e kësaj çështjeje. Ky është një vendim i Gjykatës dhe nuk do të ketë më veprim tjetër nga ana jonë lidhur me të”, - mësohet të ketë deklaruar para gazetarëve kryetarja e Prokurorisë së Përgjithshme. Ndër të tjera, ajo është shprehur se organi i akuzës, nga ana e tij, e ka bërë punën që i takonte lidhur me çështjen e lartpërmendur dhe se nuk do të ketë më vijimësi të saj. “Ne respektuam të gjitha anët procedurale dhe e kemi bërë punën tonë. Ne treguam që ishim kundër pushimit të çështjes, por vendimin gjykata e dha”, - tha ndër të tjera Rama. Këto deklarata kryeprokurorja Ina Rama i bëri pas një takimi që ajo pati në një tryezë të rrumbullakët të organizuar nga Ambasada e SHBA-ve mbi korrupsionin në administratën shtetërore. Gjatë referimit të saj në këtë tryezë, kryeprokurorja thumboi edhe median duke u shprehur se në shumë raste publikimi i sekreteve hetimore në media ka ndihmuar të pandehurit duke bërë që ata të ishin një hap para Prokurorisë. Dy ditë më parë Gjykata e Lartë vendosi kërkesën e avokatëve të ministrit Fatmir Mediu për pushimin e çështjes ndaj tij, duke e argumentuar se me mandatin e ri të deputetit ai ka fituar një imunitet të ri parlamentar duke zhvleftësuar heqjen e imunitetit që kishte në legjislaturën e kaluar.
Imuniteti i Mediut, Prokuroria, nën presion politik
Që pas shpërthimit vdekjeprurës më 15 mars në Gërdec, hetimi i kësaj çështjeje është shoqëruar vazhdimisht me dritëhijet e “luftës” së ftohtë për bllokimin e hetimeve. Pas dy muajsh hetimi paraprak dhe intensiv nga Prokuroria, më 3 qershor të vitit 2008, nga ambasadori amerikan do të vinte një deklaratë e fortë, e cila komprometoi publikisht rolin e qeverisë në raport me hetimet. Strumbullari ishte kërkesa e Prokurorisë për heqjen e imunitetit të ish-ministrit të Mbrojtjes, Mediu. Pas mbërritjes së kësaj kërkese, kryeparlamentarja Topalli i dërgoi një përgjigje Prokurorisë, të cilën zyrtarë amerikanë të Departamentit të Shtetit e quajtën si një “letër-horror”. Dukej sikur kryeparlamentarja ishte kthyer në gjykatëse duke i sugjeruar madje Prokurorisë se si duhej hetuar zoti Mediu. Pas një takimi me kryeprokuroren Ina Rama, ambasadori Withers ka shprehur zhgënjimin e tij dhe të qeverisë amerikane për përpjekjet që janë bërë për të bllokuar hetimet për çështjen e Gërdecit. “Qeveria amerikane do të shihte e zhgënjyer dhe e alarmuar çdo lloj përpjekjeje për t’ia nënshtruar këtë hetim çfarëdo ndikimi të jashtëm. Është detyra kushtetuese e prokurores së Përgjithshme, dhe jo e ndonjë organi tjetër të qeverisjes, që të kryejë punën e saj pa pasur ndërhyrje. Që të ndodhë kjo është e domosdoshme që Parlamenti të trajtojë në mënyrë të menjëhershme çështjen e imunitetit parlamentar”, - deklaroi asokohe Withers.
16 Shtator 2009