E Shtunë, 31 Tetor 2026

Keshilli i Europes: Të dënuarit nuk dhunohen

Në raportin për vitin 2008 te Keshillit te Europes vlerësohet përmirësimi i jetesës së të dënuarve ne Shqiperi. Të dënuarit kanë më shumë të drejta dhe liri, si dhe ajo çfarë është më e rëndësishme, ndaj tyre nuk ushtrohet dhunë 

TIRANE-Kushtet në burgjet shqiptare nuk janë më skandaloze si dikur. Të dënuarit kanë më shumë të drejta dhe liri, si dhe ajo çfarë është më e rëndësishme, ndaj tyre nuk ushtrohet dhunë. Tri vite më parë, Shqipëria u kritikua ashpër nga ndërkombëtarët për kushtet skandaloze në të cilat ndodheshin burgjet, madje rrezikonte ndëshkimin. Por, duket se nga viti 2005 e deri më tani janë bërë mjaft përmirësime. Në një raport, Këshilli i Europës vlerëson se Shqipëria ka bërë “përmirësime të mëdha në përpjekjet për parandalimin e torturës dhe trajtimin e të dënuarve”. Ekspertët ndërkombëtarë u lanë në atë kohë detyra autoriteteve shqiptare, për të përmirësuar kushtet e rënda ku ndodheshin të dënuarit. Ndaj, objektivi kryesor i raportit të 2008 ishte pikërisht për të vlerësuar nëse ishte arritur progres në lidhje me rekomandimet e dhëna nga Komisioni. Theksi u vendos pikërisht tek trajtimi i të dënuarve, kushtet në qeli, apo dhomat e paraburgimit. Sikurse theksohet në raport, janë bërë përmirësime thelbësore krahasuar me tri vite më parë. Por, ndërkombëtarët theksojnë se mbetet mjaft punë për të bërë, me qëllim që të arrihen standardet e kërkuara.
Situata
Më pak dhunë në burgje, më shumë respektim të lirive dhe të drejtave të gjithë personave që kanë probleme me ligjin, kushte më të mira në qeli, dhe normë më të mirë ushqimore. Me pak fjalë, ekspertët e Këshillit të Europës theksojnë në raportin e tyre vjetor, se në sistemin e burgjeve ka pasur mjaft përmirësime, dhe ky hap duhet vlerësuar. Kushtet në qelitë e paraburgimit janë përmirësuar ndjeshëm. Situata nuk është më si në vitin 2005 apo 2006. Ndërtimi i disa qendrave të reja të paraburgimit, si në Durrës, Korçë, apo Vlorë, ka ulur sipas ekspertëve, ndjeshëm popullimin në burgje, megjithëse ky është një problem që do mjaft kohë të marrë zgjidhje përfundimtare. Nxjerrja jashtë shërbimit e disa qendrave të cilat ishin të papërshtatshme për të vendosur të dënuar apo të paraburgosur në to, është një tjetër hap i ndërmarrë nga autoritetet shqiptare, që është vlerësuar nga KE-ja si mjaft pozitiv. Fakti që kohët e fundit nuk ka pasur asnjë akuzë për keqtrajtim fizik të të dënuarve apo paraburgosurve, shihet si një shenjë e mirë për minimizimin e këtij fenomeni mjaft shqetësues. Ekspertët e KE-së kanë vërejtur se kushtet në qelitë ku janë të vendosura të dënuarat femra janë të kënaqshme. Në raport thuhet se është përmirësuar ndjeshëm shërbimi mjekësor për këtë kategori. Rritja e normës ushqimore për të dënuarit, është një faktor që sipas ekspertëve, flet për një tjetër arritje. Duke vlerësuar përmirësimin e kushteve për të dënuarit, kërkohet edhe më shumë punë për t’u arritur standardet e kërkuara.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›