E Diel, 1 Nëntor 2026

Këshilli i Ministrave dhe KQZ-ja, marrëveshje për përgatitjen e zgjedhjeve



Këshilli i Ministrave dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nënshkruan një memorandum bashkëpunimi për zgjedhjet që do të zhvillohen më 28 qershor. Qëllimi i këtij memorandumi është angazhimi i të dyja palëve për mbajtjen e zgjedhjeve të lira, të ndershme dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare. Qeveria do t’i sigurojë KQZ-së ambiente të nevojshme për zyra të KZAZ-ve. Ambientet që janë në administrim të prefektëve ose njësive përkatëse të qeverisjes vendore do të përdoren në funksion të zgjedhjeve. Këto ambiente do të pajisen me infrastrukturën e domosdoshme logjistike dhe asistencë në lidhje me sigurimin e ambienteve për zyrat rajonale zgjedhore të KQZ-së. Zyrat e KZAZ-ve dhe VNV-ve në të gjithë vendin do të jenë të pajisura me linja telekomunikacioni. Gjithashtu qeveria do t’i mundësojë KQZ-së ambiente të nevojshme për zhvillimin e programeve të trajnimit që KQZ-ja do të organizojë për komisionerët e KZAZ-ve dhe KQV-ve. Edhe me transportimin e materialeve zgjedhore nga KQZ-ja në KZAZ-të do të merren strukturat që janë në varësi të Këshillit të Ministrave. Në rast se ditën e zgjedhjeve do të ketë probleme me shpërndarjen e bazës materiale, në dispozicion të KQZ-së do të vihet edhe dy helikopterë. Ndërsa KQZ-ja do t’i sigurojë në kohë informacionin e duhur strukturave që do të merren me përgatitjen e zgjedhjeve. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të ketë rolin drejtues gjatë procesit të përgatitjes së zgjedhjeve, si dhe angazhimin e posaçëm të strukturave të mësipërme, në emër të Këshillit të Ministrave. Klasa politike dhe organizmat ndërkombëtarë kanë kërkuar që këto zgjedhje të jenë sipas standardeve. Ata janë shprehur se arritja e standardeve të zgjedhjeve ka rëndësinë të madhe për të ardhmen e vendit dhe në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit me Bashkimin Europian.

25 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›