Gjoni: “PD-ja po keqpërdor administratën publike për interesat e saj elektorale”
Partia Socialiste konstaton keqpërdorimin që po i bën qeveria, kryeministri Berisha dhe Partia Demokratike administratës publike në funksion të fushatës elektorale. Anëtari i Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, Ilir Gjoni, tha se Partia Demokratike ka uzurpuar administratën publike në të gjitha qelizat e saj dhe ekspertët janë zëvendësuar me militantë partiakë. “Nën qeverinë ‘Berisha’ administrata publike është bërë si fëmijë i adoptuar i Partisë Demokratike. Asgjë nuk del jashtë sferës së influencës politike të PD-së, duke filluar nga siguria kombëtare te sistemi i Drejtësisë dhe gjithçka ndodhet mes këtyre. Administrata publike, në një shthurje të plotë sot, shpreh një nga deficitet më të mëdha demokratike të Shqipërisë, ku ekspertët e politikave janë zëvendësuar me operativë politikë”, - tha Gjoni. Sipas tij, me këtë përdorim që po i bën qeveria administratës publike ajo po shkel edhe prioritetin e rëndësishëm të vendosur nga partnerët ndërkombëtarë. “Paanësia e administratës publike është një prioritet kyç i partneritetit europian. Administrata publike është një aset shumë i çmuar i shtetit dhe përdorimi i saj për qëllime të ngushta politike dhe elektorale nuk bën gjë tjetër veçse e rrënon atë duke e mbërthyer në një spirale ankthi, inkompetence dhe mungese profesionalizmi dhe sigurisht duke cenuar integritetin e zgjedhjeve e duke minuar besimin publik për to”, - vijoi anëtari i Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste. Ai komentoi vendimin e qeverisë për hapjen e 2567 vendeve të reja pune në administratë, i cili, sipas Gjonit, është shprehje e qartë për synimin elektoral që ka qeveria me anë të kësaj lëvizjeje. Gjoni denoncoi gjithashtu edhe përdorimin politik që qeveria po i bën Policisë së Shtetit duke iu referuar urdhrit të qeverisë për verifikimin e personave që janë në emigracion.
25 Prill 2009