Këshilli i Ministrave miratoi në mbledhjen e sotme Planin e Veprimeve për parandalimin dhe luftën kundër korrupsionit 2003-2004. Plani i Veprimeve për Parandalimin e luftës kundër korrupsi
Këshilli i Ministrave miratoi në mbledhjen e sotme Planin e Veprimeve për parandalimin dhe luftën kundër korrupsionit 2003-2004.
Plani i Veprimeve për Parandalimin e luftës kundër korrupsionit 2002-2003, i hartuar në formën e një matrice, u miratua me vendimin e Këshillit të Ministrave Nr.339, datë 11.07.2002.
Ky plan veprimesh ishte i strukturuar në pesë shtylla kryesore: Reforma në administratën publike, Përmirësimi i legjislacionit dhe konsoslidimi i rendit juridik, Përmirësimi i menaxhimit të financave publike dhe mekanizmave të kontrollit, Nxitja e transparencës dhe integritetit në veprimet e biznesit, Rritjen e informimit publik dhe inkurajimin e një shoqërie civile aktive.
Diagnostikimi i statusit aktual, duke nxjerrë në pah progresin e bërë dhe problemet e ndeshura gjatë zbatimit të Planit të Veprimeve, është përmbledhur në Inventarin e Arritjeve i cili përfshin fushat kryesore të reformës. Në një vështrim global, nga monitorimi që i është bërë zbatimit të këtij plani, rezulton se është realizuar (duke përfshirë edhe masat në proçes e në vazhdimësi) rreth 93% e masave të parashikuara dhe mbeten të parealizuara vetëm 7% e tyre.
Mënyra e Realizimit të Planit të Veprimit 2003-2004
Grupi i Monitorimit të Planit Antikorrupsion, nëpërmjet Njësisë së Përhershme Antikorrupsion, në muajin Maj 2003 u kërkoi të gjitha Ministrive, institucioneve qendrore, institucioneve të pavarura dhe Koalicionit Shqiptar kundër Korrupsionit (shoqëria civile) që të paraqitnin Planin e Veprimeve Antikorrupsion për fushën që ato mbulonin për periudhën 2003-2004. Pas paraqitjes së materialeve nga të gjitha këto institucione, Njësia e Përhershme Antikorrupsion bëri përmbledhjen dhe koordinimin e tyre në një plan të vetëm. Ky plan iu dërgua për tërheqje mendimi të gjitha institucioneve që përfshiheshin në të. Po kështu, iu dërgua edhe organizatave ndërkombëtare si: Këshillit të Europës, Bankës Botërore, FMN-së, PNUD-it, Delegacionit të Komisionit Europian, OSBE-së, SIDA, PAMECA, USAID. Gjithashtu, Plani iu dërgua edhe të gjitha partive parlamentare dhe sindikatave.
Në proçesin e azhorinimit të Planit të Veprimeve 2003-2004, janë kërkuar zyrtarisht mendimet dhe sugjerimet e të gjithë aktorëve. Ky është një nga materialet qeveritare që mbart mbi vete shumë kontribute nga: ministri dhe inistitucione, komuniteti i biznesit dhe shoqëria civile, sindikatat dhe organizatat ndërkombëtare që operojnë në Shqipëri. Në këtë kuadër, me nismën e Ministrit të Shtetit pranë Kryeministrit, u organizuan takime paraprake të tij me përfaqësues të organizatave ndërkombëtare që operojnë në Shqipëri dhe përfaqësues të sindikatave.
Prioritetet e përcaktuara në këtë Plan Veprimi kanë të bëjnë me realizimin e masave që synojnë:
- forcimin e zbatimit të ligjit
- parandalimin
- pjesëmarrjen dhe edukimin e publikut
Gjithashtu, ky Plan Veprimesh vendos relacione të shumëfishta me programet e tjera të strukturave të pavarura si Prokuroria, Gjykatat, Avokatin e Popullit, Shoqërinë Civile, Sindikatat dhe Biznesin dhe harmonizon përpjekjet në arritjen e objektivave të tyre, duke u fokusuar në shkaqet dhe rrënjët e fenomenit me qëllim që stabilizimi ekonomik e financiar të zhvillohet paralelisht me stabilizimin politik, reformën në pushtetin gjyqësor e administratën publike dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Ky Plan Veprimi parashikon edhe afatet dhe detyrimet që ka Shqipëria në proçesin e Stabilizim Asociimit në Bashkimin e Europian.
Monitorimi i zbatimit të Planit të Veprimit 2003-2004
Për të ndjekur zbatimin e veprimeve të parashikuara në këtë plan, vetë Plani i Veprimeve, por edhe Vendimi i Këshillit të Ministrave, ngarkon Grupin e Monitorimit Antikorrupsion, si strukturën kryesore që përgjigjet për ndjekjen, koordinimin dhe raportimin e zbatimit të Planit.
Nga ana tjetër, një faktor i rëndësishëm në monitorimin e zbatimit të këtij Plani do të jetë edhe shoqëria civile, komuniteti i biznesit dhe institucionet ndërkombëtare të specializuara në luftën kundër korrupsionit.