Këshilli i Ministrave miratoi në mbledhjen e tij të fundit një numër vendimesh dhe projektligjesh të rëndësishëm. Këshilli i Ministrave miratoi vendimin "Për një ndryshim në vendimin
Këshilli i Ministrave miratoi në mbledhjen e tij të fundit një numër vendimesh dhe projektligjesh të rëndësishëm.
Këshilli i Ministrave miratoi vendimin "Për një ndryshim në vendimin nr. 596 dt. 28.8.2003, të Këshillit të Ministrave, "Për miratimin e kuotës së pranimit të studentëve në Akademinë e Policisë "Arben Zylyftari" për vitin akademik 2003-2004".
Vendimi përcakton numrin e studentëve që do të vazhdojnë vitin e parë këtë vit akademik në Akademinë "Arben zylyftari". Ai rritet nga 50 studentë që fituan konkursin në 65. Pra shtohen edhe 15 studentë.
Në kërkesën e rritjes së kësaj kuote të pranimit në Akademi është patur parasysh numri i madh i konkuruesve që arriti në 532, kërkesat për kategori të veçanta si të punonjësve të policisë që kanë mbaruar Institutin e Policisë, si dhe kërkesat e fëmijëve të punonjësve të policisë, të vrarë në krye të detyrës.
Përmes këtij vendimi për rritjen e kuotës bëhet i mundur stimulimi i aplikantëve nga rradhët e policisë, si dhe shprehet përkrahja për fëmijët e punonjësve të policisë të cilët kanë dhënë një kontribut të vlefshëm apo janë sakrifikuar.
U miratua projektligji "Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.7875, datë 23.11.1994, "Për mbrojtjen e faunës së egër dhe gjuetisë", i ndryshuar".
Projektligji, i propozuar nga Ministria e Bujqësisë dhe Ushqimit, synon të sigurojë një proçedurë më të disiplinuar në fushën e mbrojtjes dhe administrimit të fondit të faunës së egër dhe gjuetisë në vend. Ndryshimet e propozuara kanë për qëllim të sigurojnë një kontroll më të rreptë, rritjen e kompetencave të organeve të shërbimit pyjor për mbrojtjen, krijimin e marrëdhënieve të reja me pronarët e tokës private, me shoqatat e gjuetarëve, si dhe të mbarështrimit të qëndrueshëm të pasurisë faunistike të vendit.
Gjatë periudhës së tranzicionit, u shtuan rreziqet, dëmtimet, prerjet e pakontrolluara të pyjeve, zjarret, sëmundjet, ndotja e mjedisit, të cilat kanë prekur rëndë kufijtë optimalë të ekzistencës së habitateve, të ekosistemeve dhe të llojeve. Rritja e dëmtimeve në gjueti, deri në shkatërrim, rrezik zhdukjeje të llojeve të faunës së egër dhe rastet e tregtimit të paligjshëm kanë qenë tepër evidente.
U miratia vendimi "Për ngritjen, përbërjen dhe mënyrën e funksionimit të komisionit të përhershëm të vlerësimit të objekteve të trashëgimisë kulturore, në pronësi private, të luajtshme dhe për kriterin shkencor e proçedurat e vlerësimit të këtyre objekteve".
Vendimi, i propozuar nga Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, synon rregullimin e lëvizjes së objekteve të trashëgimisë kulturore në pronësi private jashtë shtetit për qëllim ekspozimi apo shitje si dhe kontrollin që duhet ushtruar nga shteti. Në këtë vendim parashikohet përbërja, detyrat dhe funksionimi i Komisionit të përhershëm të vlerësimit të objekteve të Trashëgimisë Kulturore, në pronësi private, të luajtshme; kriteret shkencore të vlerësimit të objekteve; proçeduart e vlerësimit dhe të dhënies së lejes për objektet që dalin jashtë territorit të vendit dhe të ardhurat nga veprimtaria e komisionit. Sipas vendimit, kur vlerësohen objekte që i përkasin fushave specifike, komisioni mund të thërrasë specialistë të jashtëm për të shprehur opinionin e tyre.
U miratua vendimi "Për disa ndryshime në vendimin nr.426, datë 9.7.1998, të Këshillit të Ministrave, "Për përballimin e shpenzimeve të shërbimit të varrimit për shtetasit shqiptarë, që vdesin brenda dhe jashtë shtetit".
Vendimi parashikon që shteti të kryejë trasportin e kufomave nga jashtë shtetit për raste të caktuara. Kështu në bazë të këtij vendimi, shteti merr përsipër organizimin e transportit të kufomës vetëm për rastet e vdekjes së personave që janë dërguar nga shteti me shërbim ose mjekim jashtë vendit; punonjës të përfaqësive diplomatike; raste të veçanta, sipas kërkesës së bërë nga institucione, njësi të qeverisjes vendore apo shoqata të ndryshme.
Këshilli i Ministrave miratoi vendimin: "Për funksionimin dhe organizimin e Këshillit të Zhvillimit të Turizmit".
Ky vendim ka si qëllim rikompozimin e Këshillit të Zhvillimit të Turizmit në funksion të përgjegjësive e vendimmarrjes dhe ekspertizës, rregullimin juridik të thjeshtëzimit të anës proçeduriale të thirrjes dhe zhvillimit të mbledhjes së KZHT.