(Nga mbledhja e Këshillit të Ministrave) Këshilli i Ministrave miratoi në mbledhjen e fundit të tij edhe disa marrëveshje të rëndësishme. Kështu, u miratua vendimi "Për miratimin n
(Nga mbledhja e Këshillit të Ministrave)
Këshilli i Ministrave miratoi në mbledhjen e fundit të tij edhe disa marrëveshje të rëndësishme.
Kështu, u miratua vendimi "Për miratimin në parim të Protokollit të bisedimeve ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, për bashkëpunimin, financiar dhe teknik, për vitin 2003".
Në kuadër të bisedimeve bilaterale që zhvillohen çdo vit midis qeverisë shqiptare dhe qeverisë gjermane mbi bashkëpunimin financiar dhe teknik, Qeveria gjermane i premton t'i akordojë qeverisë shqiptare një shumë prej 16 milionë Euro nga të cilat 12 milionë euro kredi, 1 milion euro ndihmë financiare në kuadër të bashkëpunimit financiar si dhe 3 milionë euro grant në kuadër të bashkëpunimit teknik.
Bashkëpunimi financiar dhe teknik për vitin 2003 do të përqëndrohet kryesisht në projektet e mëposhtme:
• Vazhdimi i mbështetjes në projekte ta kanalizimeve në Kavajë dhe në Korçë
• Shtesë fondi në planifikimin familjar
• Furnizimi me energji elektrike në Shqipërinë e Jugut
• Konsulencë për afrimin ekonomik në BE
• Mbështetje rajonale ekonomike dhe punësimi në rrethet me zhvillim të dobët në Shqipërinë e Veriut
• Fonde studimi dhe ekspertë
• Modernizimi i ekonomisë bujqësore dhe ushqimore dhe përafrimi i saj me BE
• Mbështetje dhe fuqizimi i ekonomisë në rajonin e Korçës dhe të Shkodrës
U miratua vendimi "Për miratimin e Marrëveshjes, ndërmjet Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kroacisë, për bashkëpunimin dhe asistencën e ndërsjelltë në çështjen e doganave".
Marrëveshja, ndër të tjera, parashikon bashkëpunimin në katër fusha të rëndësishme:
• Shkëmbim informacioni ndërmjet Administratave Doganore, me qëllim bashkëpunimin dhe bashkërendimin e aktiviteteve të luftës kundër shkeljeve dhe kryesisht për verifikimet A-posteriori, apo Para mbërritjes mbi vlerën, natyrën dhe sasinë e mallrave të importuara.
• Shkëmbimin e eksperiencës ndërmjet personelit doganor të të dy vendeve, si dhe atashimin e punonjësve ndërlidhës në territoret doganore reciproke me qëllim asistencën, dëshmitë gjatë proçeseve penale lidhur me shkeljet doganore, etj.
• Investigimin e përbashkët në rast të shkeljeve të verifikuara, ose të dyshuara.
• Shkëmbimin e praktikave, teknologjive dhe teknikave më të sukseshme në luftën kundër shkeljeve doganore.
U miratua vendimi "Për miratimin e marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kroacisë, për bashkëpunimin në fushën e shëndetësisë dhe të mjekësisë".
Kjo marrëveshje parashikon bashkëpunimin në fushat e:
• Shëndetit publik;
• Promovimit të mbrojtjes së shëndetit dhe parandalimit të sëmundjeve;
• Organizimit të shërbimeve dhe kujdesit shëndetësor;
• Kontakte të drejtpërdrejta ndërmjet institucioneve dhe organizatave në vendet përkatëse.
U miratua vendimi "Për miratimin e ndryshimit të marrëveshjes së kredisë për zhvillim "Projekti i Reformës Ligjore dhe Gjyqësore", ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Shoqatës Ndërkombëtare për Zhvillim (IDA)".
Ndryshimi i miratuar është i natyrës teknike dhe nuk lidhet me efekte dhe ndryshime në marrjen përsipër të detyrimeve financiare të reja apo ekzistuese.