Këshilli i Ministrave sapo miratoi zbatimin e fazës së katërt të ngushtimit të diferencave në masën e pensioneve. Ky proçes, parashikon rritje të diferencuar të masës së pensionit sip
Këshilli i Ministrave sapo miratoi zbatimin e fazës së katërt të ngushtimit të diferencave në masën e pensioneve.
Ky proçes, parashikon rritje të diferencuar të masës së pensionit sipas periudhës së daljes në pension. Sipas këtij vendimi:
• Për personat që kanë dalë në pension në periudhën nga 1 korrik '91 deri në 30 shtator '93 do të ketë një shtesë nga 252 lekë deri në 685 lekë në muaj.
• Për personat që kanë dalë në pension nga 1 janari '97 deri në 30 qershor 2000 do të ketë një shtesë nga 100 lekë deri në 764 lekë në muaj.
• Përfshihet rritja e pensioneve të plota të invaliditetit për të unifikuar masën e pensionit të tyre me pensionin e pleqërisë. Kjo kategori përfiton nga 100 lekë deri në 1789 lekë në muaj.
Efektet financiare të këtij vendimi fillojnë nga 1 dhjetori i këtij viti dhe kanë një faturë financiare prej 60 milionë lekësh.
Gjithashtu, Këshilli i Ministarve vendosi mbrojtjen e shtresave të popullsisë në nevojë nga rritja e çmimit të energjisë elektrike.
Sasia e energjisë elektrike për të cilën do të jepet kompesim do të jetë 220 kV/h. Kjo sasi është e mjaftueshme për ndriçim, informim radio-televiziv dhe nevoja të tjera, duke përjashtuar këtu ngrohjen me energji elektrike.
Për 220 kV/h e para të muajit çmimi do të jetë 5.4 lekë nga 4.9 që është aktualisht. Diferenca e çmimit do të përballohet nga buxheti i shtetit me rreth 253 milionë lekë.
Sipas studimit të bërë janë rreth 190 000 familje që do të përfitojnë nga ky vendim.
Gjithashtu, qeveria miratoi vendimin "Për përdorimin e fondeve të ish-Fondacioneve për ndërtimin e apartamenteve për kreditorët që kanë humbur banesat nga rënia e firmave piramidale".
Vendimi synon të krijojë një hapësirë për zgjidhjen e problemit të strehimit të kreditorëve që kanë humbur banesat në këto skema. Fondet e mbetura dhe të pashpërndara të ish-fondaçioneve "Xhaferi" dhe "Populli" kanë një vlerë prej 240 milionë lekësh.
Këto fonde do të përdoren për fillimin e ndërtimit të apartamenteve në Bashkinë e Tiranës dhe të Vlorës, të cilat përfaqësojnë rreth 70% të familjarëve të pastrehë që humbën banesat nga rënia e skemave piramidale.
Gjithashtu, ka filluar ndërtimi i 100 apartamenteve të tjera banimi në sipërfaqen e truallit Laprakë, Tiranë, të cilat pritet të përfundojnë së shpejti.
Në këtë mënyrë, Qeveria Shqiptare e angazhuar plotësisht për zgjidhjen e këtij problemi, po studion mundësi dhe hapësira të tjera që do të mund t'i japin një zgjidhje të shpejtë dhe të dobishme problemit në favor të kreditorëve.