E Diel, 1 Nëntor 2026

Këshilli i Ministrave miratoi sot marrëveshjen mes Qeverisë Shqiptare dhe asaj Italiane për financimin e punimeve për ndërtimin e segmentit rrugor Lushnje-Fier dhe supervizionin e punimeve për

Këshilli i Ministrave miratoi sot marrëveshjen mes Qeverisë Shqiptare dhe asaj Italiane për financimin e punimeve për ndërtimin e segmentit rrugor Lushnje-Fier dhe supervizionin e punimeve për dy segmentet Lushnje-Fier dhe Fier-Vlorë, me një vlerë prej rreth 24 milionë Euro.

Kjo marrëveshje i paraprin fillimit të procedurave për ndërtimin e segmentit rrugor Lushnje-Fier, i cili është një nga segmentet kryesore të degës së Korridorit të VIII Paneuropian, si dhe pjesë e rëndësishme e Korridorit Kombëtar Veri-Jug.

Aktualisht për segmentin rrugor Lushnje-Fier ka përfunduar rishikimi i projektit të detajuar, i kryer nga firma italiane C. Lotti & Associati, sipas të cilit rruga do të bëhet me 4 korsi. Sipas preventivit të punimeve, vlera e objektit parashikohet të jetë rreth 24 milionë Euro.

Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve ka filluar procesin e shpronësimeve për segmentin Lushnje-Fier. Ndërsa rishikimi i projektit të detajuar Fier-Vlorë është në proces. Ndërsa Komiteti Drejtues i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Italisë/Drejtorisë së Përgjithshme për Bashkëpunim e Zhvillim ka miratuar përfundimisht dhënien e një fondi me një shumë prej 24 350 000 Euro për realizimin e:

- Ndërtimit të segmentit rrugor Lushnje-Fier;

- Supervizionin e punimeve të ndërtimit në dy segmentet rrugore Lushnje-Fier dhe Fier-Vlorë.

Përveç këtij fondi edhe Qeveria Shqiptare do të kontribuojë në këtë program me një financim prej rreth 4 900 000 Euro për përballimin e kostove lokale.

Këshilli i Ministrave miratoi vendimin "Për miratimin e shpenzimeve operative, për vitin 2004, të Entit Rregullator të Sektorit të Furnizimit me Ujë dhe të Largimit e Përpunimit të Ujërave të Ndotura".

Vendimi parashikon dhënien fondit për shpenzime operative të Entit Rregullator të Sektorit të Furnizimit me Ujë dhe Largimit e Përpunimit të Ujërave të Ndotura.

Parashikimi i shpenzimeve për vitin 2004 është bërë duke patur parasysh mbulimin e shpenzimeve më të domosdoshme, si pagat, sigurimet shoqërore, shërbimet për mbulimin e detyrimeve që rrjedhin nga zbatimi i marrëveshjes së trajnimit me KfË, në kuadër të projektit të asitencës për Entin Rregullator të Sektorit të Furnizimit me Ujë dhe të Largimit e Përpunimit të Ujërave të Ndotura, projekt i cili do të nisë në muajt e parë të këtij viti. Gjithashtu, ky fond përfshin hartimin dhe botimin e standarteve kombëtare në sektorin e furnizimit me ujë dhe të kanalizimeve. Për vitin 2004, realizimi i të ardhurave, sipas kontratave të lidhura, parashikohet të jetë 10.500.000 lekë.

Këshilli i Ministrave miratoi vendimin: "Për miratimin e uniformës dhe të shenjave dalluese të Gardës së Republikës së Shqipërisë".

Në bazë të këtij vendimi uniformat e punonjësve të Gardës, të nivelit madhor, të lartë, të mesëm e të ulët do të jenë:
a) Uniforma ceremoniale,
b) Uniforma e punës,
c) Uniforma e stërvitjes dhe e kohës së luftës,
d) Uniforma civile.

Misioni dhe statusi i Gardës së Republikës bënë të domosdoshëm edhe ndryshimin e uniformës dhe shënjave dalluese për punonjësit e saj. Përgatitja e modeleve të reja ka synuar që ato të jenë sa më dinjitoze në paraqitje dhe sa më funksionale në përdorim. Uniformat e reja dhe shënjat dalluese janë të ndryshme dhe të veçanta nga shënjat e strukturave të tjera si të polocisë, mbrojtjes dhe duhet të jenë vetëm për punonjësit e Gardës së Republikës. Në uniformën e Gardës së Republikës do të mbizotërojnë ngjyrat kuq e zi.

Këshilli i Ministrave miratoi vendimin "Për përbërjen, funksionimin dhe detyrat e Bordit të Këshilltarëve, për zbatimin e Konventës "Për ndalimin e zhvillimit, të prodhimit, magazinimit dhe përdorimit të armëve kimike dhe për shkatërrimin e tyre".

Ky Bord do të ketë në përbërje të tij përfaqësues të disa institucioneve kryesore. Bordi i Këshilltarëve si një organ këshillues do të ketë detyra si bashkëpunimi me institucionet shkencore; me Universitetin Politeknik, Laboratorin Qendror të Forcave të Armatosura, shoqatat e industrisë kimike, si dhe me organizma dhe specialistë të tjerë, të specializuar në fushën e kimisë, për hartimin e politikave të ndryshme për zbatimin e Konventës.

Bordi i Këshilltarëve për çështje që ndikojnë në sigurinë kombëtare mund t'i propozojë Autoritetit Shtetëror vënien në dijeni të Kuvendit, Presidentit të Republikës dhe të Kryeministrit. Ky Bord mund t'i propozojë Autoritetit Shtetëror marrjen e masave të përkohshme apo të përhershme me qëllim zbatimin e Konventës.

Këshilli i Ministrave miratoi edhe vendimin "Për përbërjen, funksionimin, detyrat dhe të drejtat e Komisionit të Shërbimit Alternativ".

Komisioni i Shërbimit Alternativ do të vendosë njohjen e së drejtës së kryerjes së shërbimit alternativ të shtetasit që bën kërkesën, si dhe do të ketë të drejtën për mospranimin e kërkesës së shtetasit për kryerjen e shërbimit alterantiv. Ky Komision do t'ia kthejë praktikën qendrës së rekrutim – mobilizimit me qëllim kryerjen e shërbimit ushtarak aktiv në Forcat e Armatosuara të Republikës, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Komisioni i Shërbimit Alterativ, gjatë veprimtarisë së tij, do të shqyrtojë dhe ankesat ndaj vendimeve, për të cilat komisioni në mbledhjen e tij të radhës, është i detyruar të marrë vendimin përfundimtar. Gjithashtu, Komisioni ka të drejtë që, në çdo rast që e gjykon të nevojshëm, mund të ftojë për t'i kërkuar sqarime të mëtejshme shtetasit që ka bërë kërkesën për kryerjen e shërbimit alternativ.

Komisioni do të ketë në përbërje të tij përfaqësues të disa institucioneve kryesore të cilat janë të lidhura dhe kanë interesa në njohjen e kësaj të drejte të shtetasit për kryerjen e shërbimit alternativ. Kryetar i këtij Komisioni do të jetë Zëvendësshefi i Shtabit të Përgjithshëm.

Këshilli i Ministrave miratoi vendimin "Për veprimtarinë e Inspektoriatit të Mjedisit".
Inspektoriati i Mjedisit realizon kontrollin mbi mjedisin dhe mbi veprimtarinë që ndotin mjedisin, nëpërmjet inspektimit mjedisor dhe luan kështu një rol të rëndësishëm në mbrojtjen e mjedisit. Vendimi parashikon rregulla konkrete për veprimtarinë e inspektoriatit, duke plotësuar kështu kërkesat e ligjit për këtë çështje dhe do të lehtësojë e qartësojë veprimtarinë praktike të inspektoriatit dhe të inspektorëve. Vendimi insiston që veprimtaria e inspektoriatit të jetë tërësisht ligjore, e hapur dhe të sigurojë një shkallë të lartë transparence me publikun e shoqërinë civile.
Mbështetur në direktivën e Komunitetit Europian për inspektimet mjedisore, rëndësi të veçantë në këtë vendim i kushtohet mënyrës së realizimit të inspetimeve, përmbajtjes dhe synimeve të tyre. Gjithashtu, vendimi përcakton edhe mënyrat e panifikimit të inspektimeve dhe të raportimeve e publikimit të rezultateve të inspektimit me qëllim që të sigurohet transparenca e kërkuar në gjithë veprimtarinë kontrolluese të inspektoriatit.
Zbatimi i këtij vendimi do të përbëjë një hap drejt përshtatshmërisë së legjislacionit mjedisor shqiptar me atë të komunitetit europian si dhe në zbatimin e ligjit mjedisor.

Këshilli i Ministrave miratoi në mbledhjen e sotme edhe vendimin "Për miratimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Koresë, për nxitjen dhe mbrojtjen e ndërsjelltë të investimeve".
Kjo marrëveshje ka si qëllim intensifikimin e bashkëpunimit ekonomik dhe krijimin e kushteve të favorshme për investimet reciproke. Sipas kësaj marrëveshjeje palët angazhohen të pranojnë dhe nxisin dhe investimet e investitorëve të palës tjetër në përputhje me legjislacionin e tyre, duke u akorduar një trajtim të drejtë dhe të barabartë, jo më pak të favorshëm nga trajtimi i investitorëve vendas, ose të shteteve të tjera dhe të gëzojnë mbrojtje dhe siguri të plotë.

Në mbledhjen e sotme, Këshilli i Ministrave miratoi vendimin "Për ndryshimin e tarifave të transportit qytetas të udhëtarëve".
Mbi bazën e këtij vendimi, tarifat e transportit qytatar të udhëtarëve me autobus në linjat me largësi deri në 9 km caktohen 20 lekë për udhëtar për një vajtje ose kthim, 600 lekë për një biletë pajtimi mujor linje për qytetarët (abone), 800 lekë për një biletë të përgjithshme për të tërë linjat për qytetarët dhe 400 lekë për një biletë pajtimi mujor të përgjithshme për të tëra linjat për nxënësit dhe studentët.

Ky vendim është marrë pas përfundimeve të nxjerra nga grupi i punës i ngritur me propozim të Bashkisë së Tiranës, në përbërjeje të të cilit ishin përfaqësues nga Ministria e Financave, Ministria e Transporteve dhe Telekomunikacionit dhe ajo e Pushtetit Vendor dhe Decentralizimit. Grupi i punës, pasi analizoi dhe vlerësoi kërkesat e bëra nga ana e Bashkisë së Tiranës, si dhe studimin e paraqitur për këtë problem, konkludoi se duhet bërë ndryshimi i vendimit të Këshillit të Ministrave "Për ndryshimin e tarifave të transportit të udhëtarëve" për pjesën e çmimit të shërbimit.

Ndryshimi i çmimit të biletës së udhëtimit dhe i abonesë, sipas studimit, është i faktuar nëpërmjet analizës ekonomike dhe i përgjigjet kushteve aktuale ekonomike.

Këshilli i Ministrave në mbledhjen e tij të radhës miratoi edhe vendimin "Për mbylljen e ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Slloveni".

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›