Pyetje: Për herë të fundit të kam intervistuar në burg. Kam idenë që ke qenë më i lirë ...? Kryeministri Nano: Sigurisht, të paktën në një kuptim figurativ. E kam pohuar edhe në taki
Pyetje: Për herë të fundit të kam intervistuar në burg. Kam idenë që ke qenë më i lirë ...?
Kryeministri Nano: Sigurisht, të paktën në një kuptim figurativ. E kam pohuar edhe në takime të tjera publike "robërinë" që të jep detyra. Aso kohe vërtet nuk kam qënë i lirë fizikisht, por kam qënë plotësisht i lirë në shpirt dhe në mendje. Kjo nuk do të thotë se tash nuk e ruaj atë liri, vetëm duke qënë kryeministër, unë nuk jam i lejuar të jem po aq "i lirë" në veprimet dhe vendimet e mia, pasi kryeministri vepron mbi bazën e një sërë ligjesh, normash dhe detyrimesh të cilat e kufizojnë lirinë, edhe në krahasim me cilindo politikan tjetër, kryetar partie, deputet a shefi opozite….
Pyetje: Atëhere kundërshtarët i munde duke qenë i izoluar, tani i munde duke u përpjekur t'i izoloje?
Kryeministri Nano: Pa kundërshtarë nuk mund të ketë një jetë politike normale demokratike. Në kushtet e kësaj hapësire demokratike, detyra e politikanit është të konkurojë dhe të fitojë. Sjellja ime politike nuk jep asnjë shembull izolimi politik të kundërshtarit, përkundrazi, i kam mundur duke i lënë të lirë. Në Shqipëri, veçanërisht në jetën tonë politike, asnjëherë nuk ka pasur kaq shumë demokraci dhe hapësira. Në politikë nuk mund të të izolojnë të tjerët, në politikë izolohesh vetvetiu nëse nuk je në gjendje të sigurosh mbështetjen e duhur në një parti apo në elektorat. Detyra ime, aq më shumë mbetet zgjerimi i këtyre hapësirave dhe i kësaj mbështetjeje jo për mua personalisht, por për opsionet politike që unë kam së bashku me partinë që drejtoj. Dhe e kam arritur këtë gjë.
Pyetje: Kur u bëre kryeminister ne vitin 2002 ishe kabineti më i mbështetur në vend, tani bilanci është nga e kundërta. Pse nuk arrite të ruaje mbështetjen?
Kryeministri Nano: Mua më rezulton e kundërta e bilancit tuaj. Lufta kundër korrupsionit dhe informalitetit, qeverisja jonë e gjatë, lufta e brendëshme politike, sigurisht që kanë krijuar kostot e veta, por qeveria vazhdon të gëzojë mbështetjen e plotë të nevojshme si në parti ashtu edhe në koalicionin parlamentar. Në popull gjithashtu, siç e tregojnë jo vetëm zgjedhjet e fundit vendore. Ndërsa përsa u përket sulmeve që më bëhen, unë i konsideroj më së shumti si provë e funksionimit të demokracisë, çka nga ana tjetër, përbën një provë të pakundërshtueshme të nivelit të lirive të shoqërisë që mbrohen me ligj, sipas standarteve europiane. Sigurisht unë jam në gjendje të bëj një analizë tërësisht racionale, të ndarë nga spekulimi i cili është në modë te kundërshtarët e mi.
Pyetje: Gjatë kohës që opozita të mbështeste arrite të bëje reforma vetem në SHISH. Ishte motiv personal për atë që SHISH përhapi për gruan tuaj, apo e ndjeje realisht që SHISH kishte nevojë për ndryshime?
Kryeministri Nano: Unë asnjëherë nuk kam vepruar si politikan dhe qeveritar mbi bazën e ndonjë interesi personal, pasi kurrë nuk e kam konsideruar qeverinë si kioskë timen, sidomos kur bëhet fjalë për të ndërmarrë reforma. Përsa i përket çka më thua se paska përhapur SHISH për gruan time, nuk më rezulton nga informacione zyrtare. Ky është një argument i fortë për reformën dhe ndryshimet themelore që u ndërmorën në SHISH.
Përsa i përket reformave, - kujtoj se nuk është kryer vetëm reforma në SHISH, por edhe shumë të tjera, ndërsa akoma më shumë janë në proces. Ato janë pjesë e axhendës sonë integruese në strukturat euroatlantike dhe burojnë nga domosdoshmëria e zhvillimit të vendit.
Pyetje: Dyshuat ndonjëherë realisht se Fatos Klosi kishte bërë një dosje për gruan tuaj?
Kryeministri Nano: Dyshimi është pjesë e natyrës njerëzore, por gruan time nuk e njeh asnjë Fatos tjetër përveç meje.
Pyetje: Meqë jemi tek familja juaj, ka zëra që thonë se gruaja e juaj ka pushtet të fortë mbi ato që ju beni në krye të qeverisë dhe sidomos në politikën e kuadrit. Sa i pranoni këto zëra?
Kryeministri Nano: Më kishte marë malli për togfjalëshin "politikë e kuadrit" të cilin nuk e kisha dëgjuar qysh nga koha e Salës, jo thjesht e Berishës. Me sa duket e kaluara mbijeton jo vetëm në filmat e socrealizmit. Për sa thua, i kam parë këto pretendime në shtyp. Më duken qesharake. Ne kemi një vendimarrje të standartizuar emërimesh, sipas ligjit, dhe fryma e konkurimit të hapur që nga koha që unë jam kryeministër ka mbërritur deri në nivele drejtorësh të përgjithshëm shumë të rëndësishëm. Në këtë vendimarrje emërimesh edhe unë kam pak mundësi të kem akses. Aq më pak gruaja ime. Megjithatë më lejoni t'ju kujtoj se ne, Nanot, jemi shumë konkurues.
Pyetje: Jini bërë i ashpër me shtypin. Padisni gazetarë dhe kërcënoni botues. Pse jini bërë kaq nervoz?
Kryeministri Nano: S'e kam këtë përshtypje. Përkundrazi, në marrëdhëniet e mia me shtypin, përdor të gjitha shqisat, por jo nervat. Jam unë i ashpër me shtypin, apo shtypi me mua? Besoj se e kuptoni pse ndodh kjo e dyta, sepse i kam hapur të gjitha dyert për mediat, pa mbyllur brenda për vete asnjërën prej tyre. Përsa i përket padisë në gjykatë, unë e vlerësoj si një akt të përgjegjshëm qytetar. Gjykata nuk është për të dënuar njerëzit, por për të dhënë drejtësi dhe edukatë ligjore edhe për njerëzit që punojnë në shtyp.
Pyetje: Kini qëndrime të ndryshme ndaj shtypit. Fjala vjen një gazetë ju ka akuzuar se kini shtypur një njeri, ose ka hedhur dyshime mbi lidhjet e tua me zonjën Xhoana, por nuk e kini paditur. Mua më kini paditur thjesht se kam krahasuar burgun tuaj me atë të kohës së komunizmit. Pse nuk guxoni ta padisni gazetën që ju ka akuzuar për vrasje. Kini frikë nga hetimi për Shkallnurin?
Kryeministri Nano: Sigurisht që nuk kam frikë nga asnjë lloj hetimi. Këtë e kam thënë shumë herë. Pata rast ta përsëris edhe para disa ditësh. Përsa i përket marrëdhënieve me ju, kam përshtypjen se po e shtrembëroni të vërtetën, kuptohet, jo pa qëllim. Ju nuk krahasonit burgun tim me atë të kohës së komunizmit, sepse kjo do të ishte tërësisht e vërtetë, sa kohë që burgosja ime ishte politike. Për të tjera gjëra i jam drejtuar gjykatës, e cila, siç e thashë, jep drejtësi dhe edukatë ligjore.
Pyetje: Pse e penguat Komisionin Hetimor për këtë çështje?
Kryeministri Nano: Saktësoj se nuk e pengova unë, por parlamenti dhe ligjet në fuqi. Në lidhje me komisionet hetimore gjithashtu jam shprehur mëse një herë. Nëse parlamenti do të ngrinte komisione hetimore për ngjarje të veçanta të pretenduara, atëhere nuk do të kishte pse të ekzistonte as policia gjyqësore, as prokuroria, as gjykatat. Ligji në lidhje me këta lloj komisionesh është i qartë. Për "çështjen" në fjalë prokuroria ka hetuar dhe ka arritur në përfundime të ndryshme nga ato që pretendohen.
Pyetje:Gazeta qe unë drejtoj ju ka mbështetur fort në periudhën që filluat lëvizjen për katarsis, por bilanci pas dy vjetësh është negativ. Nuk kini mbajtur premtimet për ministrat e korruptuar, nuk kini mbajtur premtimet për shtypin e kompromentuar dhe mbi të gjitha nuk kini ndryshuar stilin e qeverisjes. Po përdorni përsëri dosjet e korrupsionit për të mbajtur një shumë numerike votash të nevojshëm për të mos u rrëzuar. Nuk kishit rrugëzgjidhje tjetër?
Kryeministri Nano: Faleminderit që më paskeni mbështetur në atë kohë. Mendoj se, nëse kjo mbështetje do të ishte mbi kritere të interesit për të luftuar korrupsionin, dhe jo për interesa politike që janë evidente në gazetën tuaj, ju duhet ta vazhdoni këtë mbështetje, pasi qeveria që unë drejtoj e ka prioritet luftën kundër korrupsionit, informalitetit, trafiqeve dhe krimit të organizuar. Kjo luftë, e filluar atëhere në parametrat e politikës, tashmë është përkthyer në ato të ekzekutivit. Nga politika në ekzekutiv gjërat ndryshojnë. Një kryeministër nuk mund të sillet si një kryetar partie, e aq më pak si lider i çfarëdo lëvizjeje politike, por si shef i ekzekutivit, i cili u bindet vetëm ligjeve që ka për detyrë t'i përsosë dhe t'i sjellë në standarte perëndimore, edhe në fushën e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, qoftë edhe kundër metastazave të këtyre fenomeneve të shtrira në media të ndryshme. Asnjëherë, as edhe tani, nuk kam përdorur teknologjinë berishiane të "kapjes së bishtit me portë", pra me dosje korrupsioni, për të vënë nën kontroll cilindo qoftë. Përsa i përket stilit të qeverisjes ju siguroj se e keni gabim. Ju ftoj të thelloheni seriozisht në këtë pikë që të jeni më i përgatitur kur të takohemi prapë.
Pyetje: Në negociatat e fundit për kabinetin tuaj kini biseduar me zotin Pollo. Ishin bisedime realiste apo deshët t'i bënit presion aleatëve?
Kryeministri Nano: Jo. Ftesa ime ka qënë e sinqertë.
Pyetje: Nëse ishin realiste pse nuk e futët në kabinet?
Kryeministri Nano: Për t'u realizuar një marrëveshje ka shumë kushte. Me sa duket nuk kemi qënë në një mendje për të gjitha.
Pyetje: U acaruat me opozitën sidomos kur tentuat të blenit deputetët e saj. Nuk ishte guxim i tepëruar përdorimi i Ballit apo Legalitetit në ndihmë të partisë që "krenohet" me partizanët?
Kryeministri Nano: Për hir të së vërtetës opozita më "acaron" shpesh, jo me qëndrimet që mban ndaj meje, por me papërgjegjshmërinë dhe sjelljen aspak serioze ndaj proceseve të reformave integruese. Shumë veta në të besojnë se po të mbajnë të bllokuar parlamentin, po të bëjnë sherre të pafund, do ta kenë më të lehtë të vijnë në pushtet. Ata ende nuk janë ndërgjegjësuar për detyrat dhe përgjegjësitë e opozitës në një vend demokratik. Përsa i përket asaj që thoni për blerje deputetësh, bij partizanësh apo ballistësh, më duken histori librash mediokër.
Pyetje: Të kthehemi tek Berisha. E besuat ndonjëherë atë?
Kryeministri Nano: Po. Unë e kam edhe këtë cilësi njerëzore, besoj tek njerëzit.
Pyetje: Cfarë mendoje kur ishe në paqe me të? Si e përfytyroje fundin apo vazhdimin e Marrëveshjes?
Kryeministri Nano: Mendoja, dhe jam ende i bindur për këtë, se marrëveshja do të sillte një ritëm tjetër të reformave tona integruese. Unë asnjëherë nuk e konceptova këtë marrëveshje si shuarje të luftës politike, por si një provë të pjekurisë së klasës sonë politike dhe të përgjegjësisë së saj për përshpejtimin e ndryshimeve. Për gjashtë muaj Berisha, për fat të keq mbështetës i një grupi interesash të së shkuarës tradicionale, i paaftë për një konkurencë të civilizuar opsionesh, që nuk e kupton dot politikën pa sharje, burgje, hakmarrje dhe përfaqësues i një politike thellësisht kanunore, nuk u "ndje mirë" brenda saj dhe e prishi atë. "Sebep" u bënë zgjedhjet e parakohëshme në një zonë të Elbasanit. Duke qënë thellësisht emocional dhe duke mos zotëruar një aparat të menduari normal, Berisha kishte kujtuar se marrëveshja mund të shërbente edhe për t'u tallur me votat e qytetarëve, dmth, ne të dy të vendosnim edhe për deputetët, duke shkatërruar kështu bazën e demokracisë së një vendi. Unë sigurisht nuk mund ta pranoja këtë gjë.
Pyetje: Zgjedhjet e fundit treguan se ti investove personalisht mbi nje grup të ri njerëzish brenda PS. Kandidati i Durrësit, Shkodrës dhe ndonjë tjetër ishin modele të njëjta, biznesmenë që i kishe afruar personalisht ti. Nuk ke frikë që nesër ata shkojnë tek pushteti dhe jo tek partia?
Kryeministri Nano: Ky nuk është një model i krijuar nga unë. Kujtoj se shumë parti, madje edhe PD, bëri të njëjtën gjë. Kjo vjen sepse tashmë sipërmarrësit shqiptarë janë një realitet që duhet respektuar. Përsa i përket pyetjes suaj më duket pa sens: ata u zgjodhën pikërisht për këtë gjë: për të qeverisur. Nga ana tjetër, dyert e Partisë Socialiste janë të hapura për kontributin e të gjithëve.
Pyetje: U duk se i hape rrugë në distancë degradimit të rizgjedhjes së Edi Ramës në krye të Bashkisë dhe përpjekjeve të tij për të kandiduar në Kongres. Si i përjeton zërat që ai është rivali yt i ardhshëm?
Kryeministri Nano: Mendoj se jeni autosugjestionuar nga intrigat e medias dhe të një pjese të politikës. Ai kandidoi në Kongres. Ai foli hapur në Kongres, nuk fitoi dhe prap ka mbështetjen time si kryetar i bashkisë së Kryeqytetit. Përsa i përket rivalizimit me mua, ai nuk është as i pari as i fundit. Kjo është Partia Socialiste: një parti demokratike e konkurimit të lirë dhe të hapur. Asnjëherë nuk do të bëhemi si Partia e Berishës. A nuk ju bën përshtypje se askush nuk mund të quajë Partinë Socialiste të Shqipërisë "Parti e Nanos", kurse me PD kjo ndodh normalisht, ajo quhet vetëm "Parti e Berishës", sepse realisht ajo është e tillë.
Pyetje: Cdo të bësh me Ilir Metën? Ai vazhdon të sillet si ish kryeministër...
Kryeministri Nano:Ç'kisha për të bërë e kam bërë me Ilir Metën. Se si sillet ai ky është problemi i tij, por në fakt ai një ish kryeministër është. Nëse ai di t'i përdorë hapësirat e lirisë që ne kemi krijuar në Partinë tonë, apo i shpërdoron ato, po ashtu është problemi i tij.
Pyetje: Do t'i rikandidosh mbështetësit e tij?
Kryeministri Nano: Për këtë nuk vendos Fatos Nano, por strukturat përkatëse të Partisë dhe zgjedhësit e saj. Jo vetëm në statut, por edhe në 13 vjet jetë politike unë nuk kam pasur asnjë të drejtë ekskluzive në PSSH, përveç autoritetit të fituar me votën e lirë. Edhe ky është një ndryshim i madh i yni nga partia e Berishës.
Pyetje: Raporti i fundit i BE, thekson qartë kushtin për zgjedhje të lira në vend, çka kuptohet se nuk do të mbyllen bisedimet para zgjedhjeve të reja. Ndjeni përgjegjësi për këtë?
Kryeministri Nano:Kam bindjen se me një analizë të thjeshtë, referuar edhe deklarimeve të ekspertëve ndërkombëtarë, zgjedhjet u hoqën zvarrë në raunde të pafund dhe me pretendime që synonin të zbusnin shijën e humbjes nga opozita. Ajo duhet të ndjehet përgjegjëse për çka ndodhi. E kam thënë disa herë: në Europë nuk do të shkojë vetëm qeveria, as vetëm Koalicioni për Integrim: në Europë do të shkojmë të gjithë së bashku, përfshirë edhe opozitën, sidomos atë opozitë që humbet zgjedhjet dhe pranon rezultatin. Ky është gjithashtu një standart i BE që kushtëzon marrëveshjen me të.
Pyetje: E pranojnë të gjitha palët se "Nano ik", siç ka thënë dhe ambasadori Jeffrey), testoi mungesën e popullaritetit të qeverisë. U shqetësove?
Kryeministri Nano: Jo. E vlerësova dhe vazhdoj ta vlerësoj si një provë tjetër të keqkutimit të opozitës për demokracinë dhe të mosrepektimit të saj për shtetin ligjor. Ndërsa unë pata rastin të vlerësoj të kundërtën: që popullariteti i qeverisë, pavarësisht keqpërdorimit të peshës së reformave, vazhdon të jetë i lartë. Demokraci serioze si SHBA kanë shumë instrumenta për të matur popullaritetin e cilitdo. Ndershmërisht dhe ju duhet ta pranoni, ambasadori Jeffrey nuk ka sjellë asnjë shqetësim në Shqipëri, ca më pak për mua.
Pyetje: U duk qartë se deshe të fryje së tepërmi pjesmarrjen në një ceremoni për nder të zgjerimit të NATO-s në Shtëpinë e Bardhë? Mendon se të ka ndihmuar vërtet në aspektin politik?
Kryeministri Nano: Pjesëmarrjen në këtë ceremoni unë e konsideroj shumë të rëndësishme dhe një çertifikim të progresit që ka bërë vendi im, Shqipëria. Fryrja apo keqpërdorimi janë spekullime mediatike. Mendoj se ishte e pafalëshme që pak media e vlerësuan faktin që flamuri ynë kombëtar u ngrit në oborrin e Shtëpisë së Bardhë, sfumuan rezolutën e Kongresit Amerikan për antarësimin e tre vendeve tona në NATO dhe u morën me investigime të nivelit të një klubi fshati lidhur me ekzistencën e një fotografie. Por ky është problemi i tyre. Nëse dikush tjetër mpaket nga xhelozia primitive, kjo nuk do të thotë se jam fryrë unë.
Pyetje: E kuptoj ndryshimin tuaj nga një lider tradicionalist i të majtës së vjetër antiperëndimore në një lider socialist properëndimor. Po partia juaj a ju ndjek dot pas? Ka shumë mllef dhe dyshime brenda saj për Perëndimin...
Kryeministri Nano: Nuk më rezulton fare kështu. Unë e njoh mirë partinë time dhe deklaroj se e gjithë masa e antarësisë së saj, në të kundër të paragjykimit tuaj, ka veneracion për Perëndimin. Më besoni se kjo është ndjenjë xhenuine e socialistëve, dhe jo fallco si në parti të tjera, sepse partia Socialiste është parti e progresit.
Pyetje: Po tentoni të luftoni opozitën, mes të tjerash duke përdorur argumenta fetare. Po flisni për kundërshtarë fondamentalist? Jua kanë rekomanduar këtë lloj lufte apo e shihni vërtet si rrezik?
Kryeministri Nano: Kam përshtypjen se jeni shumë i ndjeshëm dhe keni një koncept të mangët për kuptimin e fjalës fondamentalist, të cilën asnjëherë nuk e kam përdorur për opozitën, por për liderin e saj. Fjala fondamentalist nuk lidhet vetëm me fenë… Pak më sipër përmenda disa nga cilësitë e Berishës. Në atë kuptim të gjerë, pra jo vetëm në atë fetar, ai mbetet një fondamentalist.
Pyetje: Keni pas probleme me ish ambasadorin amerikan Limpreht, për shkak të mbështetjes që ai kishte për kryeministrin Meta. Disa herë jeni bërë nervoz me të. I kujtoni këto momente kur përdoni vend e pa vend ambasadorin Jeffrey ?
Kryeministri Nano: Ju kujtoni se marrëdhëniet mes shteteve janë eksklusivitet i ambasadorëve? Ky është vetëm gjykim kafenesh. Për të ndjerin Limpreht ruaj të njëjtin respekt, si edhe për ambasadorin Jeffrey, të cilit, përfitoj nga rasti, t'i përsëris urimin tim për një shërbim të suksesshëm në detyrën e lartë që iu besua.
Pyetje: Po krijoni idenë sidomos pas raportit të fundit, se Brukseli ju sulmon se shkoni mirë me Uashingtonin. E besoni vërtet këtë?
Kryeministri Nano: Këtë ide futuriste e keni krijuar ju. Unë nuk jam kaq naiv. Unë e njoh mirë politikën dhe e di se Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pavarësisht diferencave që ka ndonjë shtet në lidhje me çështje të caktuara, janë dy aleatë të mëdhenj të progresit demokratik të mbarë globit.
Pyetje: Shkuat në Kosovë pak para trazirave ndërkohë që disa nga mbështetësit tuaj në Kosovë, fjala vjen Jakup Krasniqi, Xhavit Haliti, i mbrojtën trazirat. Ju kanë vënë në pozitë të vështirë me të huajt?
Kryeministri Nano: Edhe kjo është pjesë e një gjykimi semplist dhe të kapërcyer tashmë nga realitetet e zhvillimeve globale. Parimi komunist se rri vetëm me ata që mendojnë si unë, apo që më servilosen, është i huaj për mua. Politika ka për funksion organik të sajin bashkëjetësën dhe mbajtjen gjallë të opsioneve të ndryshme politike. Përsa u përket zhvillimeve të fundit në Kosovë, tashmë mbarë publiku shqiptar, por edhe ai ndërkombëtar, e njeh dhe e vlerëson lart rolin e Shqipërisë dhe timin personalisht për përcjelljen e një vizioni modern, që i shërben stabilitetit, bashkëjetesës dhe integrimit tonë, pra të të gjithëve ne, shqiptarëve dhe ballkanasve, në institucionet euroatlantike. Ne nuk kemi terminal as Tiranën, as Prishtinën dhe sigurisht jo Beogradin. Terminali ynë i përbashkët është Brukseli, në kuptimin se atje janë selitë edhe të NATO-s edhe të Bashkimit Europian.
Pyetje: Flitet për katër shtetas shqiptarë që janë në morgun e Prizrenit. Jini interesuar?
Kryeministri Nano: Sigurisht. Kam dhënë urdhërat e duhura organeve kompetente.
Pyetje: Tentuat t'i përdorni trazirat në Kosovë kundër lëvizjes "Nano Ik". Funksionoi?
Kryeministri Nano: Nuk e kam tentuar një gjë të tillë. Është Berisha, i cili "për çudi" kryen disa veprime që dëmtojnë rëndë imazhin e Shqipërisë, – pra jo timin – kur më shumë se kurrë një imazh tjetër u duhet shqiptarëve. Nuk flas këtu për imazh të trukuar nga propaganda, por imazhin e vërtetë të vendit tonë, për imazhin e miliona shqiptarëve që përmirësojnë jetën e tyre çdo ditë në paqe dhe siguri. Prandaj edhe e shijova mirëseardhjen e sinqertë që më dhuroi Kosova.
Pyetje: Kini menduar një ofertë për paqe me opozitën para zgjedhjeve, sidomos pas këmbënguljeve nga ndërkombëtarët për një Marrëveshje të Re?
Kryeministri Nano: Asnjëherë nuk më ka munguar vullneti për këtë. Ju kujtoj se kjo nuk është bërë thjesht për shkak të "ndërkombëtarëve", të cilët për konceptin tim janë partnerë, por sepse vazhdimisht jam mbështetur në filozofinë se demokracia është pjesëmarrje, bashkëpunim, marrje përsipër përgjegjësish, ndarje e sovranitetit me të tjerët. Këtë na mëson edhe eksperienca e vendeve më të zhvilluara. Siç e kam thënë edhe para disa kohësh, ne nuk mund të integrohemi në Europën e Bashkuar pa u integruar së pari mes vetes, pa u integruar në rajonin në të cilin jetojmë. Me këtë nuk kam asnjëherë parasysh "unitetin" fallco të kohëve të shkuara, as ndërprerjen e luftës politike që është oksigjeni i demokracisë.
Pyetje: 0pozita po shkon drejt një vendimi politik që të mos hyjë në zgjedhje, nëse ju do të jini kryeministri i zgjedhjeve. Ju shqetëson kjo?
Kryeministri Nano:Gjatë këtyre shtatë vjetëve që jemi në pushtet, kam dëgjuar për shumë vendime e betime të opozitës që nuk janë realizuar asnjëherë. Të tilla kanë qënë ato vendime dhe betime se " në mars do të vijmë në pushtet (!!!), "vjeshta na gjen pa Nanon", "Në plazh do të shkojmë pa Fatosin", "Vera do të jetë e nxehtë" etj. Eshte e lehtë të kuptohet se opsione të tilla obstruktive, jologjike dhe që reflektojnë një mentalitet antidemokratik minimalisht janë jorealiste. Prandaj edhe nuk shqetësohem. Unë kam detyrim para zgjedhësve, kam detyrim politik para partisë dhe koalicionit qeveritar, kam detyrim para parlamentit që më ka votuar, kam detyrim edhe para partnerëve tanë ndërkombëtarë. Kur të vijë Berisha në pushtet, nëse vjen ndonjëherë, atëhere do të ketë të drejtë të përcaktojë edhe kryeministrin. Këto janë rregullat e demokracisë, rregulla të cilat nuk bëjnë dot vend në logjikën thellësisht të kalamendur të Berishës.
Pyetje: Dhe nëse shkoni në zgjedhje pa opozitën do të tentoni të formoni një opozitë "tuajën"?
Kryeministri Nano:Koha e Sali Rexhepëve ka perënduar. Tani është moda e berishkave. PD duhet ta ketë të qartë se as hyn, as vendos të mos hyjë në zgjedhje për hatrin e Fatos Nanos. Ajo hyn në zgjedhje për të mbrojtur interesat e votuesve të saj. Në të kundërt, do të kemi sërish një raport të përmbysur të parimeve të demokracisë: do të kemi votues që sillen kështu apo ashtu për hir të lidërshipit të një partie të caktuar. Ja, edhe ky koncept është thellësisht komunist, madje fondamentalist i shokut Sali.
Pyetje: E ndjeni pengesë apo aleat Presidentin, tani që kini opozitën kundër?
Kryeministri Nano: As pengesë, as aleat. Ai është në pozicionin e tij kushtetues dhe marrëdhëniet tona mendoj se janë modeli i marrëdhënieve mes një kryeministri dhe një presidenti. Flas gjithnjë për marrëdhëniet institucionale. As kam synuar ndonjëherë t'i mburrem Presidentit se nuk do të zgjidhej pa mirkuptimin dhe votat e pozitës, as për të kundërtën.
Faleminderit !
Me nder qofsh!