E Diel, 1 Nëntor 2026

Këshilli i Ministrave miratoi sot në mbledhjen e tij të radhës një numër projektligjesh dhe vendimesh të rëndësishme. Kështu, u miratua projektligji "Për disa shtesa dhe ndryshime nÃ

Këshilli i Ministrave miratoi sot në mbledhjen e tij të radhës një numër projektligjesh dhe vendimesh të rëndësishme.

Kështu, u miratua projektligji "Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.8950, datë 10.10.2002, "Për gjendjen civile"".

Ndryshimet në këtë ligj diktohen nga praktika e zbatimit të tij përgjatë një viti, si dhe nga kërkesat që shtrohen nga zbatimi i Strategjisë së Modernizimit të Shërbimit të Gjendjes Civile. Qëllimi i këtyre ndryshimeve, është përmirësimi i shërbimit dhe sigurimi i një niveli më cilësor dhe profesional të tij.

Kështu, propozohet ulja e masës së gjobës për kundravajtjet administrative. Gjoba prej 5 mijë lekësh ka qënë e njëjtë për të gjitha llojet e kundravajtjeve, ndërkohë që propozohet ulje e masës së gjobave dhe diferencim i tyre.

Ndërkohë, propozohet futja e një gjobe të re, e cila i vihet kryetarit të bashkisë apo komunës, që në kundërshtim me nenin 63, pika 2, të ligjit 8950, datë 10.10.2002, "Për gjendjen civile", e mërojnë dhe lirojnë nga detyra punonjësit e gjendjes civile, në kundërshtim me kriteret e parashikuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile. Kjo shtesë bëhet për shkak të shkeljeve të vazhdueshme të këtij neni, gjë që po sjell futjen në Shërbimin e Gjendjes Civile të punonjësve të pakualifikuar dhe si rrjedhim mungesa të shumta në funksionimin ligjor të këtij shërbimi.

Po ashtu, propozohet të ndryshojë afati për deklarimin e lindjes së fëmijës, i cili nga 15 ditë propozohet të bëhet 45 ditë. Kjo periudhë do të ishte e mjaftueshme për prindërit për të bërë deklarimin e fëmijës së lindur, ndërkohë që do të bëhej i mundur edhe evidentimi më i saktë i lindjeve në Shqipëri.

Një tjetër ndryshimi i propozuar në ligjin e mësipërm synon përmirësimin e procedurave për ndryshimin e emrit dhe mbiemrit, që është një cështje delikate, sepse ka të bëjë me ndryshimin e identitetit.

U miratua projektligji "Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.8102, datë 28.3.1996, "Për kuadrin rregullator të sektorit të furnizimit me ujë dhe largimit e përpunimit të ujërave të ndotura".

Sipas ligjit, i cili propozohet të ndryshohet, furnizimi me ujë është funksion i centralizuar, por duke iu referuar Kushtetutës, pushtetit vendor mund t'i kalojnë vazhdimisht me ligj kompetenca. Me ndryshimet që propozohen në ligj është parashikuar kalimi i kompetencave qeverisjes vendore në rastet kur sistemet e ujësjellës kanalizimeve kanë kaluar në pronësi ose në administrim të tyre. Kështu me cilësinë e pronarit ato do të mund të vendosin për kohën dhe rastet e kalimit të pronësisë apo për tarifat, por nga ana tjetër, duke qënë se furnizimi me ujë të pijshëm dhe largimi e përpunimi i ujërave të ndotur janë shërbime jetësore për popullatën dhe për më tepër me rëndësi kombëtare, ky shërbim nuk mund të nxirret totalisht jashtë kontrollit të qeverisjes qendrore. Për këtë arësye, Enti Rregullator, si i vetmi organ i specializuar, i njohur me ligj, do të vendosë se cila do të jetë metodika e përllogaritjes së tarifave dhe standartet e domosdoshme të cilat do të jenë të detyrueshme për njësitë e qeverisjes vendore, duke qënë në të njëjtën kohë edhe organi i cili do të miratojë vendimet e njësive vendore në këtë fushë.

Gjatë ndarjes së sistemeve të ujësjellësave është vënë re se ka raste kur do të jetë e nevojshme shitja me shumicë e ujit nga një organ i qeverisjes vendore në një tjetër, për këtë arësye, me propozim të Ministrisë së Rregullim të Territorit dhe Turizmit, në projektligj futet dhe koncepti i shitjes me shumicë së ujit.

U miratua udhëzimi "Për miratimin e kostos mesatare të ndërtimit të banesave nga enti kombëtar i banesave, të vlerave të tregut të lirë të banesave dhe të Koeficientit "K".

Në këtë udhëzimin përcaktohet kostoja mesatare e ndërtimit, çmimi i tregut të lirë të banesave si dhe koeficienti "K". Ministria e Rregullimit të Territorit dhe Turizmit nëpërmjet Entit Kombëtar të Banesave (EKB) mbështetur në ligjin "Për kontributin e shtetit për familjet e pastreha" është ngarkuar që çdo vit t'i paraqesë për miratim Këshillit të Ministrave, Udhëzimin për koston mesatare të ndërtimit të banesave tip në shkallë Republike, së bashku me koeficientin "K".

Kostoja mesatare e ndërtimit është nxjerrë nga studimi i bërë nga EKB, si mesatare e kostos së ndërtimit për çdo qytet. Për qytetet që kanë patur investime nga EKB, llogaritja e kostos mesatare ka patur për bazë rezultatet e nxjerra në vitin paraardhes nga ndërtimi i banesave tip nga Enti Kombëtar i Banesave sipas normativave shtetërore të projektimit. Për ato qytete ku nuk është investuar në ndërtim banesash nga EKB, janë marrë për bazë vlerat e tregut të ndërtimit ose kostoja mesatare e ndërtimit të qytetit më të afërt që ka patur ndërtime të reja.

Ky udhëzim, i cili miratohet çdo vit nga Këshilli i Ministrave, shërben për planifikimin e fondeve dhe përcaktimin e qyteteve ku do të ndërtohen ose do të blihen apartamente nga tregu për vitin pasardhës, si dhe për realizimin e blerjes së banesave në tregun e lirë për vitin në fjalë.

Këshilli i Ministrave miratua vendimin "Për miratimin në parim të marrëveshjes së grantit ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, për projektin e menaxhimit të integruar të ujërave dhe të ekosistemit".

Marrëveshja bën të mundur akordimin nga GEF të një fondi grant prej 4.87 milion USD për realizimin e projektit të menaxhimit të integruar të ujërave dhe të ekosistemit. Banka Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim është në rolin e agjencisë zbatuese të GEF. Ky financim do të jetë pjesë përbërëse e një projekti të gjerë që synon përmirësimin e infrastrukturës ujore bashkiake në disa qytete të Shqipërisë, me një kosto totale që mendohet të jetë rreth 73.2 milionë Euro.

Bashkëfinancues të këtij projekti përvec GEF, janë edhe Banka Europiane e Investimeve me një kredi prej 27milionë Euro, Qeveria Shqiptare me rreth 6.6 milion Euro, Lux-Development S.A me 2 milion Euro në formë granti, KfË me 21.2 milionë Euro në formë kredie si dhe Banka Botërore (IDA) me rreth 12 milionë Euro në formë kredie.

Objektivi i pjesës së projektit që do të mbulohet nga fondet e këtij granti është të përmirësojë sistemin e kanalizimeve në zonat bregdetare të Shqipërisë, duke realizuar aktivitetet e mëposhtme:

• Vendosja e ligatinave artificiale të trajtimit dhe faciliteteve të lidhura me to në zonat bregdetare të Durrësit, Lezhës dhe Sarandës.
• Ndërtimi i kolektorëve kryesorë të ujërave të zeza për lidhjen e sistemit ekzistues të ujërave të zeza me facilitetet e tjera trajtuese.
• Rehabilitimi dhe zgjerimi i rrjeteve të kanalizimeve të ujërave të zeza.
• Menaxhimi dhe monitorimi i mjedisit.

U miratua vendimi "Për miratimin, në parim, të marrëveshjës ndërmjet Qeverisë së Shqipërisë e KESH-it dhe Qeverisë së Konfederatës zvicerane, për përdorimin e fondeve kundërparti, të përfituara nga projekti për zvogëlimin e humbjeve të energjisë elektrike".

Koorporata Elektroenergjitike Shqiptare është duke zbatuar Projektin e Rehabilitimit të HEC-ve mbi lumin Drin, të cilën e bashkëfinancon me fonde grant edhe Qeveria Zvicerane. Zbatimi i këtij Projekti ka nxjerrë nevojën e disa punimeve mekanike shtesë, në HEC-in Fierzë, që financohet me fonde grant të Qeverisë Zvicerane dhe në HEC-et Vau Dejës, Ulëz e Shkopet, që financohet me fonde grant nga Qeveria Austriake. Për të zgjidhur nevojën e këtij financimi shtesë në HEC-in Fierzë, është rënë dakort me palën zvicerane nënshkrimi i një memorandumi ndërmjet Zyrës së Bashkëpunimit Zviceran, Ministrisë së Financave dhe Sh.a. KESH-it.

Sipas këtij Memorandumi, fondet KundraParti që rezultojnë nga Projekti i Reduktimit të Humbjeve të Energjisë Elektrike, gjithashtu i financuar me fonde grant nga Qeveria Zviceriane, të përdoren për të mbuluar kostot lokale dhe /ose punimet mekanike shtesë në HEC-in Fierzë dhe në Projekte të Ardhshme të Asistencës Financiare Zvicerane ose për veprimtari të ngjashme.

U miratua vendimi per "Miratimin në parim të ndryshimit të Marrëveshjes së Kredisë, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Shoqatës Ndërkombëtare për Zhvillim (IDA), për financimin e projektit të rimëkëmbjes dhe zhvillimit të sistemit shqiptar shëndetsor".

Gjatë rishikimit afat-mesëm të Projektit të Rimëkëmbjes dhe Zhvillimit të Sistemit Shëndetsor, ky i fundit ka pësuar shumë ristrukturime për të rritur mbështetjen e Komponentit të Kapaciteteve Njerëzore, duke i lejuar projektit një rol ndihmës për aktivitetet e Qeverisë në kuadrin e Strategjisë për Zhvillimin dhe Uljen e Varfërisë.

Aktivitetet që mendohen të realizohen brenda vitit të ardhshëm janë të një rëndësie të madhe për ndihmesën në fuqizimin e kapaciteteve njerëzore për menaxhimin shëndetsor. Po ashtu e një rëndësie të veçantë është edhe prokurimi i një pakete pajisjesh mjekësore dhe pjesësh këmbimi prej 4.5 milionë USD për QSUT, krahas rehabilitimeve në disa poliklinika të Tiranës si dhe rehabilitimit të fazës së parë në spitalin Onkologjik. Brenda vitit 2004 do të përfundojë edhe projekti i Spitalit të Mjeksisë Interne.

Duke qenë se avktivitetet e mbetura nuk mund të përfundojnë brenda kohës zyrtare të mbylljes së projektit (31 janar 2004), propozohet shtyrja e projektit deri më 31 janar 2005.

U miratua vendimi "Për miratimin e rregullores "Për organizimin dhe funksionimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave".

Rregullorja "Për organizimin dhe funksionimin e Drejtorisë së Përgjithshme të arkivave", përcakton mënyrën e organizimit dhe të funksionimit të strukturave përbërëse të saj, në nivel qendror dhe vendor, si dhe të drejtat dhe përgjegjsitë e drejtuesve dhe të punonjësve funksionalë të institucionit.

U miratua vendimi "Për miratimin e uniformave, të gradave dhe shenjave, që mbahen në uniformën ushtarake të forcave të armatosura"

Në kuadrin e ristrukturimit të Forcave të Armatosura janë marrë masat për paraqitjen më dinjitoze të ushtarakut e përafrimit në këtë drejtim me standartet e NATO-s. Për këtë qëllim Ministria e Mbrojtjes ndërmori studimin për përmirsimet e mundshme të uniformës ushtarake dhe dekoracioneve të saj.

Sipas projektmodeleve të uniformave të reja dhe dekoracioneve përkatëse, uniformat e paraqitura ndahen:

• Sipas qëllimit të përdorimit: ceremoniali, pune, stërvitje dhe balloje.

• Sipas llojit të forcave: tokësore, detare, ajrore dhe uniforma për reparte

• Speciale (policinë Ushtarake, Forcat Komando, Truprojën për Ceremonitë)

• Sipas stinëve: dimërore, verore dhe të ndërmjetme

• Për oficerë, n/oficerë, ushtarakë (detar), studentë, për meshkuj dhe femra. Këto modele sjellin ndryshime cilësore në llojshmëri modelesh, konstruktim në ornamentet dekorative dhe dallim midis grupeve të gradave.

Ndryshimet dhe përmirsimet më kryesore konsistojnë në elementë të rinj të uniformës, të gradave dhe të kapeleve. Emblema e kapeles për Forcat Ajrore është kompozuar me përkrenaren e Skëndërbeut, shqiponjën në fluturim dhe një kurorë prej gjethe dushku.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›