E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Fatos Nano u takua sot paradite me Zv/Kryeministrin dhe Ministër e Jashtëm i Mbretërisë së Belgjikës, Louis Michel. Në takim dy autoritetet e larta diskutuan rreth progresit t

Kryeministri Fatos Nano u takua sot paradite me Zv/Kryeministrin dhe Ministër e Jashtëm i Mbretërisë së Belgjikës, Louis Michel.

Në takim dy autoritetet e larta diskutuan rreth progresit te arritur mes dy vendeve dhe perspektivën e marrëdhënieve bilaterale. Z.Michel konfirmoi mbështetjen e vendit të tij për Shqipërinë në rrugën drejt integrimit në strukturat euroatlantike. Po ashtu, ai u shpreh se qeveria e tij çmon rolin e veçantë dhe tepër të rëndësishëm që Shqipëria luan për stabilitetin dhe paqen në rajon. "Ne jemi, - tha ai – për të zgjeruar bashkëpunimin në fushën politike, ekonomike, infrastrukturore ashtu dhe në atë ushtarake". Z.Michel u shpreh se qeveria belge do të ndikojë në zgjerimin e financimeve nga Bashkimi Europian për Shqipërinë.

Një çështje tjetër e diskutuar në takim ishte lëvizja e lirë e njerëzve, ku Kryeministri Nano njohu z.Michel me hapat konkretë të ndërmarra në këtë drejtim. Z.Nano u shpreh se eshte koha per nënshkrimin e një marrëveshjeje mes dy vendeve për heqjen e vizave për mbajtësit e pasaportave diplomatike. "Nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje, - tha z.Nano - konsiderohet si një hap i parë në kuadrin e angazhimeve të përbashkëta drejt liberalizimit të lëvizjes së lirë të shtetasve". Po në këtë kuadër, z.Nano u shpreh edhe për liberalizimin me regjim të lehtësuar të vizave për biznesmenët, intelektualët e shquar dhe për të gjithë ata që kanë lidhje pune me Belgjikën. "Shumë të rinj shqiptarë studiojnë në Universitetet belge, të cilët do të luajnë një rol mjaft të rëndësishëm për zhvillimet e ardhshme në Shqipëri, por në të njëjtën kohë janë edhe urë miqësore midis dy popujve dhe vendeve tona", theksoi z.Nano.

Kryeministri Nano u shpreh se kjo vizitë do t'i shërbejë rritjes së marrëdhënieve mes Belgjikës dhe Shqipërisë. "Ne jemi të vendosur, - tha z.Nano - për plotësimin e standarteve të BE-së, gjë të cilën e kam ndarë dhe me udhëheqësit e tjerë të rajonit, duke nxitur projekte dhe hapa për integrimin rajonal". Shqipëria, - shtoi z.Nano – ndodhet në një moment të rëndësishëm pozitiv për investimet. "Po afrojmë investime të huaja të rëndësishme, ndërkohë që institucione financiare të rëndësishme ndërkombëtare si EXIM BANK dhe SACE kanë ulur nivelin e riskut dhe po mbështesin investimet e huaja si Lokheed Martin, General Electric etj.", tha z.Nano. Duke nënvizuar se Shqipëria tashmë është një vend i sigurt për investime të huaja. Në këtë kontekst, Kryeministri Nano ftoi investitorët seriozë e të fuqishëm belg të marrin pjesë në proceset e privatizimit të sektorëve strategjikë të ekonomisë shqiptare si Albtelekom, INSIG, sektori i energjitikës etj.

Duke u ndalur në bashkëpunimin institucional në luftën kundër krimit, Kryeministri Nano u shpreh se qeveria shqiptare do të vazhdojë të punojë me autoritetet respektive belge në luftën kundër krimit të organizuar, trafiqeve ilegale dhe drogës.

Më tej, Kryeministri Nano e njohu z.Michel me vizitën e fundit në Kosovë, për ndryshimet pozitive të ndodhura atje dhe me faktin se autoritetet kosovare po punojnë ngushtësisht me autoritet nderkombetare për implementimin e planit për arritjen e standarteve që do ta përgatisin Kosovën drejt përcaktimit të statusit të saj.

Në vijim të kontakteve të nivelit të lartë mes dy vendeve, Kryeministri Nano i shprehu Z.Michel ftesën drejtuar Kryeministrit Guy Verhofstadt për një vizitë në Tiranë.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›