E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Më 1 korrik, rritja më e madhe e rrogave dhe pensioneve për 820 mijë qytetarë shqiptarë

- Kryeministri Berisha: Rritja e paprecedentë e eksporteve “Made in Albania”, rritja me 14 përqind e depozitave bankare dhe rritja me 28 përqind e regjistrimit të bizneseve të reja në 5 muajt e parë të këtij viti, janë tregues të cilët na shtyjnë ne të vendosemi në kundra rrymë për rritjen e rrogave dhe pensioneve

Kryeministri Berisha njoftoi sot, në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, rritjen më të madhe të pagave dhe pensioneve për 820 mijë qytetarë shqiptarë nga data 1 korrik.

Kjo rritje e pagave dhe pensioneve, - u shpreh Kryeministri, - vjen në kundra rrymë me të gjithë trendin e qëndrimeve të qeverive të vendeve të Evropës, por në tërësi edhe të botës.

Rritja e paprecedentë e eksporteve “Made in Albania”, rritja me 14 përqind e depozitave bankare dhe rritja me 28 përqind e regjistrimit të bizneseve të reja në 5 muajt e parë të këtij viti, janë tregues të cilët përgënjeshtrojnë në mënyrën më bindëse të gjithë propagandën e zisë dhe ndjellakeqe që bëhet sot rreth situatës së ekonomisë shqiptare dhe shtyjnë qeverine shqiptare të ë vendoset në kundra rrymë për rritjen e rrogave dhe pensioneve, siç ishte parashikuar.

Më tej, Kryeministri u shpreh se këtë vit do të shkohet në Parlament me qëllimin për të shkurtuar shpenzimet e institucioneve. “Në qoftë se vendosim të rrisim rrogat dhe pensionet, - u shpreh Kryeministri, - ne do t’i qëndrojmë asaj që kemi deklaruar për shkurtimin me 20 përqind të buxhetit të të gjitha institucioneve”.

Kryeministri Berisha vlerësoi si jashtëzakonisht pozitiv edhe trendin e inflacionit, i cili muajin që shkoi ra me 1.2 përqind.

Duke u ndalur tek borxhi, Kryeministri Berisha mohoi deklaratat se huamarrja është rritur me 860 përqind. “Kemi një ligj në Parlament, i cili autorizon këtë qeveri për ato parametra që janë votuar, të marrë hua 50 miliardë lekë. E vërteta është se deri më tani nuk janë marrë as 16 apo 17 miliardë”, u shpreh Kryeministri.

Më poshtë vijon e plotë fjala e Kryeministrit Berisha mbajtur në mbledhjen e Këshillit të Ministrave:

“Zotërinj ministra,

ministra në detyrë,

çështja kryesore e kësaj mbledhje është rritja e rrogave dhe pensioneve. Më datë 1 korrik 820 mijë qytetarë të këtij vendi, burra dhe gra që punojnë në administratë, në institucione të tjera, ata që janë në pension, do të njohin rritjen më të madhe të rrogave dhe pensioneve që kanë pasur ndonjëherë.

Sot kjo rritje vjen në kundra rrymë, duhet ta pranoj se është në një kundra rrjedhje, me të gjithë trendin e qëndrimeve të qeverive të vendeve të Evropës, por në tërësi edhe të botës. Trendi është ulja e ndjeshme e rrogave, ulja e ndjeshme ose ngrirja e pensioneve, heqja e të gjithë stimujve të tjerë në masën 75 – 100 përqind. Kjo diktohet tërësisht nga kriza ekonomike. Asnjë qeveri nuk do të dëshironte të ulte rrogat, nuk do të dëshironte të ngrinte apo të ulte pensionet, të hiqte stimujt, por kriza e thellë financiare dhe ekonomike ka shtrënguar qeveritë që të bëjnë ulje, shumë prej tyre nga 6 – 18 përqind të rrogave dhe pensioneve.

Ekonomia shqiptare është segment i ekonomisë globale. Ajo është thellësisht e lidhur dhe thellësisht e ndikuar nga ekonomia globale. Edhe një herë dua të theksoj se ekonomia e një vendi të vogël në raport me globalen jo vetëm që nuk është e mbrojtur, por është hiperglobale. Nuk ka fermerë në Evropë që të gjallojnë dhe të mbrothësojnë me mundin dhe djersën e tyre si fermerët shqiptarë, ndaj të cilëve subvencionet pothuajse nuk ekzistojnë. Nuk ka sektorë të kësaj ekonomie që të mbahet në këmbë në sajë të ndihmës shtetërore. Faktikisht, ne përballemi me pasojat serioze të kësaj krize, sepse ne jemi në një pozicion ku ndikimi i globales është shumë më i madh. Ne nuk jemi një vend anëtar i eurozonës, por ne kemi një ekonomi të eurizuar. Faktikisht, jo vetëm ne, por të gjitha ekonomitë në Evropë, edhe ato që nuk janë anëtaret eurozonës, janë të eurizuara dhe ndikimi i luhatjeve të Euros është shumë i madh mbi to.

Me të gjitha këto, e vërteta është krejt tjetër nga ajo e shumicës së vendeve të Evropës dhe botës. Kjo e vërtetë dëshmon se Shqipëria ka një rritje eksportesh të paprecedentë në historinë e saj. Nuk janë dyfishuar në vlerë eksportet “Made in Albania”, por pothuajse janë trefishuar në vlerë eksportet “Made in Albania”. Në 5 muajt e parë të vitit që shkoi janë eksportuar gjithsej 11 miliardë lekë mallra “Made in Albania”, nga të cilat 1.2 apo 1.3 miliardë lekë energji. Në 5 muajt e parë të këtij viti janë eksportuar mallra “Made in Albania”, prodhim direkt shqiptar, 30 miliardë lekë. Pra, pothuajse 3 herë më shumë. Dhe nga këto, 7 miliardë lekë janë energji, kështu që rritja i bie të jetë së paku, po të heqim dhe 1 miliardë të 2009-ës, 140 përqind.

Kjo rritje e madhe e eksporteve është pa asnjë dyshim një investim shumë më i madh në këtë vend, është një punësim shumë më i madh. Sektori i industrisë së eksporteve është sektor punësimi, ndoshta sektori kryesor i punësimit në industritë e vendit. Kjo rritje e eksporteve “Made in Albania”, prodhuar në Shqipëri, përbën një bazë shumë solide dhe një dëshmi të shkëlqyer se ekonomia shqiptare, pavarësisht nga kriza, po funksionon me entuziazëm, po funksionon me parametra të pakrahasueshëm me ndonjë ekonomi tjetër. Nuk di ndonjë ekonomi që të ketë një rritje të tillë eksportesh. Dhe ne nuk jemi ekonomi e udhëhequr nga eksportet. Ne nuk jemi vend me ekonomi të udhëhequr apo të drejtuar nga eksporti. Ne kemi një ekonomi, e cila funksionon me një shumësi anësh.

Së dyti, në këtë situatë ekonomike jashtëzakonisht pozitive është rritja e depozitave. Depozitat janë rritur me 14 përqind. Kjo është dëshmia më e sigurt dhe më e rëndësishme e shëndetit të sistemit bankar shqiptar.

Së treti, ka një tregues tjetër jashtëzakonisht të rëndësishëm. Këto 5 muaj regjistrimi i bizneseve të reja është rritur me 28 përqind. Kjo është një nga rritjet më të mëdha që mund të jenë regjistruar ndonjëherë. Ndërsa çregjistrimi i bizneseve është 6.3 përqind më i ulët sesa 5 mujorin e vitit të kaluar.

Pra, janë një seri treguesish që përgënjeshtrojnë në mënyrën më bindëse të gjithë propagandën e zisë dhe ndjellakeqe që bëhet sot rreth situatës së ekonomisë shqiptare. Janë këta tregues të cilët na shtyjnë ne të vendosemi në kundra rrymë për rritjen e rrogave dhe pensioneve, siç i kishim parashikuar. Ne kemi përzgjedhur t’i përmbahemi këtij premtimi të programit të qeverisë me bindjen më të thellë se investimi i parë dhe më i rëndësishëm i të gjitha investimeve është investimi tek njeriu.

Dua të theksoj se në këtë kohë, kur në tërësi lajmet dhe njoftimet janë vetëm për ulje rrogash dhe pensionesh dhe ne i rrisim ato, një mbështetje e padiskutueshme ka qenë për ne reforma që bëmë për transportin e funksionarëve dhe zyrtarëve. Kjo reformë, ndër më të rëndësishmet dhe ndër më të suksesshmet në të gjitha aspektet, në aspektin etik, moral, financiar, bëri të mundur që ne të shkurtojmë me rreth 30 përqind shpenzimet operative të administratës dhe këto para t’i kthejmë në rroga dhe pensione për qytetarët shqiptarë. Pra nga kolltuqe, që e dini vetë ju si përdoreshin, në para në dorë për 820 mijë qytetarë shqiptarë.

Zotërinj ministra,

Duke theksuar këtë dua t’ju informoj se këtë vit do shkojmë në Parlament për të shkurtuar shpenzimet. Në qoftë se vendosim të rrisim rrogat dhe pensionet, ne do t’i qëndrojmë asaj që kemi deklaruar, për shkurtimin me 20 përqind të buxhetit të të gjitha institucioneve. Për këtë unë kërkoj mirëkuptimin e të gjitha institucioneve shtetërore.

Shkurtimet e para më të mëdha do t’i bëhen qeverisë dhe agjencive të qeverisë, por nga këto shkurtime nuk do të përjashtohet as edhe një institucion i vetëm. Sepse është e domosdoshme që të garantojmë parametrat më të mirë të mundshëm, kjo para së gjithash dhe mbi të gjitha për shkak të një mbështetje dhe të një mjedisi të domosdoshëm për sektorin privat të vendit. Ndaj, duke proceduar me rritjen e ndjeshme të rrogave dhe pensioneve, në krahun tjetër ne do të ngushtojmë ose zvogëlojmë shpenzime të tjera, në mënyrë që të mbajmë nën kontroll të plotë dhe total treguesit makroekonomik të këtij vendi.

Jashtëzakonisht pozitiv është trendi i inflacionit, i cili muajin që shkoi ra me 1.2 përqind. Kjo është rënie e ndejshme. Stabiliteti i shkëmbimit të lekut me Euron është shumë i pranueshëm dhe shumë i mirë. Qeveria dhe ministria e Financave po shqyrtojnë mundësitë e kapërcimit të vështirësive që krijohen me situatën e tregjeve financiare të Euros. Situata e tyre është një situatë, duhet ta themi këtu, që në tunel nuk ka dritë akoma, sepse akoma nuk janë përcaktuar në mënyrë përfundimtare rrugët dhe mekanizmat e qëndrimit dhe drejtimit në vendet ku borxhi ka tejkaluar prodhimin e përgjithshëm të vendit.

Meqenëse jam tek borxhi, dua të theksoj se kjo qeveri kur ka ardhur në pushtet ka gjetur një borxh prej 72 përqind të Prodhimit të Brendshëm. Sot, ky vend ka një borxh me 59 përqind. Kjo qeveri ka gjetur një deficit buxhetor me 7.9 përqind, sot po ecim drejt një deficiti nën 4 përqind. Pra, detyrohem t’i përsëris këto sepse në mënyrën më të pakonceptueshme, nën moton “e keqja jote është e mira ime”, në mënyrën më të papërgjegjshme, çdo ditë shpifet dhe trillohet me shifra të paqena. Të deklarosh se është rritur me 860 përqind huamarrja, nuk bën gjë tjetër përveç se gënjen 860 herë. Mbulon veten me gënjeshtra.

Të nderuar zotërinj ministra,

Ky është një proces transparent. Kemi një ligj në Parlament, i cili autorizon këtë qeveri për ato parametra që janë votuar, të marrë hua 50 miliardë lekë. E vërteta është se deri më tani nuk janë marrë as 16 apo 17 miliardë. Dhe deklarojnë se është rritur huamarrja 860 përqind, kur huamarrja është në nivel 32 përqind të asaj që është parashikuar me ligjin e Parlamentit. Se u zgjohen kacabunjtë e borxhit antikapitalist, unë se marr vesh këtë gjë. Si del kjo shifër 860 përqind? Ka një ligj në Parlament, buxheti, dhe shihet sa përcakton huamarrjen dhe sa është marrë. Gjithçka është transparente. Ndaj dhe ne do t’i përmbahemi kësaj me rigorozitet. Pavarësisht nga situata e tregjeve financiare të Euros, absolutisht, ekonomia do ta kapërcejë pa asnjë lloj lëkundje serioze.

Unë e ftoj opozitën t’i marrë të gjithë treguesit. I kanë të gjithë treguesit. Ne i kemi transparente gjerat: sa mund të marrim borxh dhe me këtë huamarrje sa shkon borxhi i vendit, sa shkon deficiti buxhetor dhe sa na duhen euro? Nuk e mohoj na duhen edhe Euro. Këto janë gjëra shumë transparente.

Dua ta mbyll këtë mbledhje duke falënderuar punonjësit e kësaj administrate, duke falënderuar të gjithë punonjësit e sektorit privat dhe të ekonomisë në tërësi, që me punën dhe përkushtimin e tyre po bëjnë që ekonomia shqiptare të mbetet në baza plotësisht solide. Ata bëjnë të mundur, dua ta theksoj edhe një herë, që në kundra rrjedhje ne të bëjmë rritjen më të madhe të rrogave dhe pensioneve që qytetarët kanë pasur apo kanë njohur ndonjëherë.

Faleminderit!”


09/06/2010

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›