Nano: Edi Rama nuk përfaqëson të majtën
Ish-kryetari i Partisë Socialiste Fatos Nano në një prononcim për mediat ka deklaruar perfundimisht se nuk mund te përfshihet në fushatat pa kuptim që ka shpallur Edi Rama. Ish-kryeministri Nano deklaroi se PS-ja nuk përfaqësohet nga politika e sotme zyrtare. Sipas tij kjo politike është e pakuptimtë jo vetëm për shqiptarët por edhe për të majtët.
Ja dhe pyetje-përgjigjet që pati Fatos Nano me mediat, gjatë aplikimit për kartën e identitetit.
Z. Nano jemi vetëm pak muaj para zgjedhjeve të përgjithshme, dhe ju deri tani keni heshtur. Cili do jetë angazhimi juaj politik në këtë periudhë të shkurtër kohore?
Unë besoj se flas, duke heshtur gjithashtu. Natyrisht nuk mund të jem pranë një politike që është në vlerësimin tim e pakuptimshme, pavarësisht nga etiketat e reja. Dhe e pafrytshme jo vetëm për shqiptarët në përgjithësi, por edhe për popullin e majtë në veçanti, madje vazhdoj të mendoj sesi është e mundur se si politikanët e rinj nuk po kalkulojnë as interesat e karrierës së tyre personale.
Do kandidoni për deputet?
Nuk ja kam shtruar këtë pyetje ndonjëherë.
A do jeni pjese e fushatës elektorale ne përgjithësi dhe a do jeni pjesë e PS-së?
Nuk besoj se Partia Socialiste, përfaqësohet nga politika e sotme zyrtare.
z.Nano a mund të jeni pjesë e Partisë Socialiste të Vërtetë?
Unë jam i vërtetë kështu siç jam, nuk kam nevojë të fus ndonjë dorë për të përçarë akoma më tej të majtën.
Do të thotë që jeni socialist i vërtetë atëherë..
Lërjani batutat Fiksit, dhe jo mua.
...