Qeveria mban një qendrim konstat ndaj shtresës në nevoje
Këshilli i Ministrave miratoi sot një paketë vendimesh për trajtimin e kategorisë së invalidëve, paraplegjikë dhe tetraplegjikë. Duke prezantuar këtë paketë, Kryeministri Berisha tha se “me ndryshimet e miratuara në trajtimin e këtij kontingjenti rritet me mbi 60 përqind trajtimi i tyre, krahasuar me vitin 2005". Qeveria, shtoi Kryeministri, ka një qëndrim konstant mbështetës ndaj këtyre qytetarëve në nevojë. “Jemi bërë dëshmitarë të një greve të paraplagjikëve, qytetarë që përbëjnë, ndoshta, kontingjentin e qytetarëve më të rënduar. Qeveria ka pasur një qëndrim mbështetës konstant ndaj tyre. Pavarësisht nga përpjekjet për politizimin e saj dhe pavarësisht nga qëndrimet e individëve të caktuar që numërojnë nga 3-4 vila, qeveria në asnjë rast dhe në asnjë rrethanë nuk heq nga fokusi dhe nga vëmendja qytetarët me paaftësi të shkallëve të ndryshme, në radhë të parë paraplegjikët".
Si pjesë e kësaj pakete, qeveria miratoi vendimin për rritjen e masës së mbulimit të shpenzimeve të paketës së materialeve hijeno-sanitare në masën 16 mijë lekë në muaj, nga 12 mijë lekë që është aktualisht. “Qeveria, akordon për paketën higjeno-sanitare të tyre shumën prej 120 mijë lekë, kundrejt vetëm 90 mijë lekë që ia akordonte qeveria e mëparshme. Dhe sërish me vendimin sotëm ne e rrisim atë në shumën 160 mijë lekë, pra, e rrisim mbi 80 përqind nga vlera që e gjetëm në 90 mijë lekë". Gjithashtu, pjesë e ndihmës ndaj tyre është edhe akordimi falas të sasisë prej 80 litra naftë në muaj, e barabartë me sasinë që u akordohet deputetëve të Kuvendit.“Kjo është një sasi për t’u përshëndetur dhe jo për t’u qortuar. Qeveria ka gjetur një kuotë prej 60 litrash.” Gjithashtu, u shpreh Kryeministri, qeveria e konsideron plotësisht të drejtë kërkesën e tyre që personi kujdestar të gëzoi sigurimin shoqëror dhe ofron për këta persona pensionin bazë minimal të qytetit. “Për kushtet e vendit, - theksoi Kryeministri - ne kemi treguar ndjeshmëri maksimale dhe sërish do të tregojmë ndaj tyre. Natyrisht, disa politizime që ne konstatuam ishin shumë të padenja për ata që përpiqen të nxjerrin përfitime politike nga këta njerëz të goditur nga një problem madhor, gjë që është çnjerëzore dhe e turpshme. Mesazhet që dërgonin përfaqësuesit kryesorë të opozitës ndaj tyre, duke i shtyrë drejt sakrificave, në një kohë kur ne po bënim përllogaritjen, është vërtet një gjë shumë e rëndë. Megjithatë këto probleme marrin përgjigjen më të mirë sot me vendimet e qeverisë.”
...