E Diel, 1 Nëntor 2026

Këshilli i Ministrave miraton vendime të rëndësishme në fushën e arsimit të lartë

- Kryeministri Berisha bëri të ditur se këtë vit ka një rritje prej 11 % të pranimeve në universitete publike të vendit krahasuar me një vit më parë. Kjo përbën një hap të madh përpara objektivit të qeverisë që tre vitet që vijnë të arrihet në 150 mijë studentë në shkollat publike dhe private të vendit.

- Kryeministri njoftoi gjithashtu se krahasuar me një vit më parë, rriten pothuajse tre herë pranimet në ICT, në shkencat e shoqërisë së informacionit dhe teknologjisë së lartë. Një rritje e domosdoshme kjo në kuadrin e ndërtimit të Shqipërisë dixhitale.

- Kryeministri Berisha theksoi se tarifat e shkollimit për vitin akademik 2010-2011 nuk do të rriten, pasi ky është një premtim elektoral, të cilit qeveria do t’i përmbahet.

- Kryeministri Berisha kërkoi që në bashkëpunim me shoqatën e rektorëve të përgatitet një vendim, i cili t'i çlirojë studentët nga një mori tekstesh të vjetëruara, duke bërë zëvendësimin e tyre me tekstet më të reja moderne e bashkëkohore.

Këshilli i Ministrave miratoi në mbledhjen e radhës vendimin “Për kuotat e pranimit në institucionet publike, cikli i parë i studimeve me kohë të plotë, si dhe për tarifat e shkollimit, për vitin akademik 2010- 2011”. Duke e cilësuar këtë, si një vendim të rëndësishëm për arsimin e lartë, kryeministri Berisha bëri të ditur se këtë vit ka një rritje prej 11 % të pranimeve krahasuar me një vit më parë. “Kam kënaqësinë t'ju u njoftoj se krahasuar me vitin e kaluar, ka një rritje prej 11 % të pranimeve për këtë vit dhe numri i studentëve që këtë vit akademik pranohen në universitetet publike të vendit është 23534 studentë në 181 degë dhe profile të këtyre shkollave.”

Kryeministri u shpreh se kjo përbën një hap të madh përpara objektivit të qeverisë që tre vitet që vijnë të arrihet në 150 mijë studentë në shkollat publike dhe private të vendit.

Kryeministri bëri të ditur gjithashtu se krahasuar me një vit më parë, rriten pothuajse tre herë pranimet në ICT, në shkencat e shoqërisë së informacionit dhe teknologjisë së lartë. Kjo rritje është e domosdoshme, theksoi kryeministri në kuadrin e ndërtimit të Shqipërisë digjitale. “Gjatë këtij viti është rritur në 17 numri i shkollave profesionale që ka degë të ICT, por gjatë këtij viti pothuaj trefishohet numri i studentëve, të cilët pranohen në degët e teknologjisë së informacionit. Në 20 degë të kësaj teknologjie pranohen këtë vit në sektorin publik 4170 studentë dhe kjo përbën një numër të konsiderueshëm.”

Kryeministri e vlerësoi këtë zhvillim, si një përpjekje serioze për t’u përshtatur me kushtet e tregut dhe kërkoi që të inkurajohen universitetet private për të rritur pranimet në këtë fushë, sigurisht pas plotësimit të të gjitha kushteve të nevojshme. “Në rast se këtë vit në universitetet publike nisin studimet për fushën e teknologjisë së informacionit 4170 studentë, qoftë dhe 1500 apo 2000 do të mund të nisnin në sektorin privat dhe kjo do të ishte një përgjigje akoma më agresive, ndaj nevojave gjithnjë në rritje të Shqipërisë dixhitale për shkollimin e rinisë në këtë fushë.”, u shpreh kryeministri.

Lidhur me tarifat e shkollimit, kryeministri theksoi se ato nuk do të rriten, pasi ky është një premtim elektoral, të cilit qeveria do t’i përmbahet. Kryeministri bëri të ditur se shumë shpejt do të organizohen një seri diskutimesh dhe debatesh, me drejtues të universiteteve, për mekanizmin financiar të universiteteve, ku do të vendoset se cila do të jetë rruga e financimit. “Do të kontratojmë mekanizma të reja financiare për studentët, do të krijohen mundësi të reja, do të fillojë sistemi i kreditimit, si kudo edhe këtu dhe të gjitha këto do të bëjnë, të ketë një frymëmarrje financiare më të madhe, nga ana e universiteteve.”

Kryeministri ritheksoi sërish në këtë mbledhje, problemin e teksteve të universiteteve. Në këtë kontekst, kryeministri Berisha kërkoi që në bashkëpunim me shoqatën e rektorëve të përgatitet një vendim, i cili do t’i çlirojë studentët nga një mori tekstesh të mykura, të cilat datojnë, në raste të caktuara në vitet 70, duke bërë zëvendësimin e tyre me tekstet më të reja moderne e bashkëkohore. Kryeministri garantoi se në buxhetin e këtij viti, zëri i teksteve shkollore do të jetë më i rëndësishmi.

Një çështje tjetër e rëndësishme, mbi të cilën, kryeministri vuri theksin në mbledhjen e qeverisë është edhe pajisja sa më parë e universiteteve me librarinë dixhitale. Kryeministri u shpreh se nëpërmjet Ministrisë së Inovacionit dhe Teknologjisë së Informacionit dhe në bashkëpunim me rektoratet duhet të shqyrtohet seriozisht ky problem. “është e domosdoshme dhe me përparësi të madhe që ose në librarinë e universitetit, ose mbi bazë departamentesh dhe fakultetesh të sigurohet libraria dixhitale në të cilën studiuesit të kenë dhe të gjejnë titujt kryesorë të periodikut të tyre në Evropë dhe në botë.”

Më gjerë, në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:

Sot, një nga vendimet më kryesore që miratojmë, i përket arsimit. Ne, sot miratojmë kuotat për universitetet publike të vendit dhe kam kënaqësinë t'ju njoftoj se krahasuar me vitin e kaluar ka një rritje prej 11 % të pranimeve për këtë vit dhe numri i studentëve, që këtë vit akademik pranohen në universitetet publike të vendit është 23534 studentë, në 181 degë dhe profile të këtyre shkollave. Kjo përbën një rritje të rëndësishme, një hap të madh përpara objektivit tonë, që në tre vitet që vijnë të arrijmë në 150 mijë studentë në shkollat publike dhe private të vendit.

Por risia më kryesore e këtyre pranimeve qëndron në faktin se këtë vit, krahasuar me një vit më parë, rriten pothuajse tre herë pranimet në ICT, në shkencat e shoqërisë së informacionit dhe teknologjisë së lartë. Kjo rritje është e domosdoshme, në kuadrin e ndërtimit të Shqipërisë dixhitale. Gjatë këtij viti është rritur në 17 numri i shkollave profesionale, që ka degë të ICT, por gjatë këtij viti pothuaj trefishohet numri i studentëve, të cilët pranohen në degët e teknologjisë së informacionit. Në 20 degë të kësaj teknologjie pranohen këtë vit, në sektorin publik, 4170 studentë dhe kjo përbën një numër të konsiderueshëm. Por në tërësi zhvillimi i dytë pozitiv, shumë i rëndësishëm, është se degë të lidhura me IT, teknologjinë e informacionit, shkenca inxhinierike, shkenca natyrore, marrin këtë vit 33 % të të gjitha pranimeve, ndërkohë që ka një rrudhje në degë të tjera, ku kërkesat e tregut janë të pakta.

Mbi 20 % e pranimeve janë në biznes, menaxhim, në fushën e ekonomisë. Pra ka një përpjekje serioze për tu përshtatur me kushtet e tregut. Gjuhët e huaja zënë rreth 7 % dhe rreth 70 % e tyre i përkasin gjuhës angleze. Parashtroj dy sugjerime zoti Ministër ; rritja që është bërë në fushën e teknologjisë së informacionit është jashtëzakonisht e rëndësishme dhe mendoj se me këtë rritje, universitetet publike kanë shkuar drejt një shfrytëzimi të mirë ose shumë të mirë të kapaciteteve të tyre në këtë fushë, por inkurajimi dhe ftesë duhet tu bëhet universiteteve private. Dy prej tyre, që kanë aplikuar për të hapur këto degë dhe ne mbi bazën e plotësimit të kushteve duhet t'ua miratojmë ato. Pra, në rast se këtë vit, në universitetet publike nisin studimet për fushën e teknologjisë së informacionit, 4170 studentë atëherë, qoftë 1500 apo 2000 studentë, do të mund të nisnin në sektorin privat dhe kjo do të ishte një përgjigje akoma më agresive ndaj nevojave gjithnjë në rritje të Shqipërisë dixhitale, për shkollimin e rinisë, në këtë fushë. Sikundër, zoti Ministër do të kërkoja të shqyrtohej mundësia që edhe në shtimin e pranimeve në gjuhët e huaja, gjuha angleze të përparësojë edhe më shumë, në përputhje me objektivin tonë madhor.

Në se pjesa e parë është përgëzuese, pjesa e dytë vjen në kundërshtim të hapur me një zotim solemn elektoral dhe post elektoral:- se sa të votojnë këtë qeveri tarifat e shkollimit nuk do të rriten. Ua bëni të ditur drejtuesve të universiteteve, se qeveria do t'i kompensojë me buxhet. Të vetmen gjë që do të pranojë është, në rast se mund të përdorin marzhe për të orientuar më mirë drejt tregut. Nuk dua të citoj degë, ku shkojnë masivisht, ne duhet të përpiqemi që të respektojmë pasionin rinor, sepse asnjë energji nuk është më e fuqishme, se sa pasioni i të riut për një degë të caktuar. Por nga ana tjetër duhet të përpiqemi që të jenë më mirë të orientuar drejt tregut, sepse në rast se krijohen mbingopje të tregut me një profesion të veçantë, të rinjtë do të detyrohen të zgjedhin një fakultet të dytë për punësim dhe do të gjenden në vështirësi serioze. Pra, duke ruajtur kuotat e këtij viti dhe pa asnjë ndryshim tjetër, e vetmja gjë, në rast se rektorët e gjykojnë se është e nevojshme, për këtë arsye, mund të kenë një marzh lëvizje nga 13 mijë në 30 mijë siç është e përcaktuar.

Unë e kuptoj që këtu do të ketë një hatërmbejtje nga ana e drejtuesve të universiteteve, por unë në çdo rast nuk mund të mos jem me studentët. Unë kam qenë vetë pedagog universiteti dhe me ata ndihem koleg, ndërsa me studentët e ndjej veten ndryshe. Nuk mund të lejoj që studentët të tatohen më shumë.

Ndërkohë shumë shpejt, ne do të organizojmë një seri diskutimesh, debatesh, me drejtues të universiteteve për mekanizmin financiar të universiteteve, i cili do t'i japë një përgjigje edhe më të mirë këtij problemi, ku do të vendosim se cilat do të jenë rrugët e financimit. Do të kontraktojmë mekanizma të reja financiare për studentët, do të krijohen mundësi të reja, do të fillojë sistemi i kreditimit, si kudo edhe këtu, dhe të gjitha këto do të bëjnë të ketë një frymëmarrje financiare më të madhe nga ana e universiteteve.

Në asnjë rrethanë, për një vend në stadin që ka vetëm dy vjet i shkëputur nga grupi i vendeve të varfra, nuk mund të pretendohet që mund të ecet duke rritur tarifat njëra pas tjetrës. Kjo duhet të jetë një politikë shumë e kufizuar. Unë e kuptoj se me Ministrin e Financave, këto janë rakorduar me rektoratet, por ky është një zotim që e kam marrë në mënyrë publike që tarifat nuk mund të rriten. Për këtë kam premtuar dhe kam bërë fushatë nëpër Shqipëri.

Kam dy probleme shumë të rëndësishme për arsimin e lartë. Një problem, të cilin e kam ngritur këtu dhe dy herë të tjera është problem i teksteve. Zoti Ministër, unë e konsideroj një çështje themelore, çështjen e teksteve në universitetet vendit. Tekstet serioze, tekstet më të mira janë jetike, në rradhë të parë për përgatitjen e pedagogëve. Një pedagog më tha se sa më shumë që e lexonte një tekst, aq më shumë pasurohej dhe qartësohej. Dhe kjo është një e vërtetë e madhe, sepse në qoftë se tekstet trajtojnë të vërteta shkencore, nuk është e vërtetë se secili që shkruan tekstin ka të njëjtën aftësi, për ta paraqitur, konturuar dhe servirur atë. Në buxhetin e këtij viti zëri i teksteve, do të jetë një nga zërat më të rëndësishëm. Së bashku me Shoqatën e Rektorëve unë kërkoj që të përgatitet një vendim, i cili t'i çlirojë studentët nga një mori tekstesh të mykura, të cilat datojnë, në disa raste, në vitet 70, në kohën kur na detyronin të shkruanim tekste sepse nuk duhet të futeshin tekstet e huaja. Ajo ishte pjesë e politikës së izolimit të vendit, e marrëzisë dhe ëshë për të ardhur shumë keq që edhe sot ekzistojnë këto tekste në duart e studentëve tanë. Në këtë aspekt është shembull Maqedonia, e cila ka përcaktuar një buxhet serioz për përkthime tekstesh dhe për hir të së vërtetës në dy gjuhë, maqedonisht dhe shqip.

Zoti Minister është e domosdoshme të marrësh direkt kontakt me Ministrin e Arsimit të Maqedonisë dhe Ministrin e Arsimit të Kosovës , sepse tekstet janë edhe treg dhe ky fakt nuk mund të injorohet. Një ditë takova një botues të këtyre teksteve, i cili punonte duke marrë tekste të përkthyera në shqip, në universitetet e Maqedonisë dhe më shpjegoi se si po e redaktonte me specialistë që e njohin shumë mirë gjuhën. Kjo kërkon një punë shumë serioze. është e domosdoshme që fakultetet të përcaktojnë tekstet që do të përkthejnë. Në vitet, kur unë kam dhënë mësim ka qënë e qartë se ka patur tekste, në një fushë të caktuar që nuk krahasohej me asnjë tjetër, por në atë kohë nuk lejohej përkthimi.

Tekstet kanë hierarkinë e tyre, prandaj le të mblidhen dekanët, shefat e departamenteve dhe të paraqesin, të diskutojnë edhe me kolegë të tyre në universitetet e Maqedonisë, Kosovës dhe të përkthejnë tekste si një kusht jashtëzakonisht i rëndësihëm për të rritur cilësinë e mësimdhënies. Askush nuk duhet të trembet nga tekste voluminoze. Programi i lëndës mbetet program lënde. Mund të mos i referohet tërësisë së tekstit, por në se ka material më tepër, këtu nuk ka asnjë humbje. Në hierarkinë e tyre ato përbëjnë një mrekulli të vërtetë. Tekstet cilësore janë një sintezë e shkëlqyer e dijeve të njerëzimit në një fushë të caktuar. Ndaj kërkoj që të ndërmerret një politikë shumë aggresive për zëvendësimin e teksteve ekzistuese që janë të shumta në shkollat tona, me tekstet më të mira sot, të kohës globale.

Së dyti, ne kemi internet në çdo shkollë. Gjithashtu po zhvillojmë dhe do të zhvillojmë librarinë dixhitale, por nuk kemi këtë situatë në universitete zoti Ministër dhe kjo situatë duhet të marrë fund me shpejtësi të madhe. Nëpërmjet Ministrisë së Inovacionit dhe Teknologjisë së Informacionit, me rektoratet duhet të angazhoheni në një shqyrtim serioz të këtij problemi. Tekstet janë vendimtare për formimin e pedagogëve dhe studentëve, sespe një tekst i cilësisë së lartë, rrit si cilësinë e mësimdhënësit ashtu dhe të atij që mëson, por tekstet janë të pamjaftueshme për kërkimin shkencor.

Tekstet për vetë karakterin e tyre nuk mund të pasqyrojnë kufirin e fundit të shkencës në një fushë të caktuar. Mirëpo ky kufi është jetik për kërkimin shkencor. Ky kufi ekziston vetëm në revistat serioze, aty ku botohen punimet më serioze të shkencës. është e domosdoshme dhe me përparësi të madhe që ose në librarinë e universitetit, ose mbi bazë departamentesh dhe fakultetesh, të sigurohet libraria dixhitale, në të cilën studiuesit të kenë dhe të gjejnë titujt kryesorë të periodikut të tyre në Evropë dhe në botë.

30 vjet më parë, kur nuk ka patur internet ka patur një sistem tjetër, i cili bazohej mbi dixhitalizimin në një formë shumë modeste, e cila servirte 3500 tituj revistash. Nuk janë në dijeni se cili është fati i këtij sistemi, i cili atëherë aplikohej në universitetet e Gjermanisë. Ne duhet të garantojmë tituj më seriozë, disponibël për studiuesit e rinj, për profesorët, për studentët, pasi është normale të standardizojmë masterin, por kjo kërkon që të qëmtohet jo vetëm në tekst, por edhe në punime të tjera në fushën përkatëse. Duhet ta marrim këtë me seriozitetin më të madh dhe ky vit duhet të zgjidhë këto probleme me përparësinë më të madhe.

Tekstet fatmirësisht kanë një situatë mjaft positive në universitetet e Maqedonisë. Ne mund t'i marrim ato dhe krijohet kështu një treg në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni. Për hir të tregut, të bashkërendohet përkthimi dhe kjo i shërben shumë rritjes së cilësisë së mësimdhënies, formimit, azhornimit të pedagogëve, doktorëve , asistentëve, studentëve."


07/07/2010

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›