Këshilli i Ministrave miraton vendimin për kalimin në pronësi të trojeve në përdorim
-Kryeministri Berisha vlerësoi se ky është një vendim shumë i rëndësishëm në drejtim të reformës së pronësisë
Në mbledhjen e sotme, Këshilli i Ministrave miratoi vendimin "Për kalimin në pronësi të trojeve në përdorim". Gjatë mbledhjes së Qeverisë, Kryeministri Berisha e cilësoi këtë vendim si shumë të rëndësishëm në drejtim të reformës së pronësisë.
"Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave do t'u regjistrojë pronarëve oborrin dhe truallin e tyre mbi bazën e dokumenteve të pronësisë që disponojnë, sikundër do t'u japë kundrejt një vlere të caktuar edhe oborrin që ata kanë marrë nga trojet publike, vite më parë", u shpreh Kryeministri.
Më tej, Kryeministri theksoi se ky ka qenë një standard absurd dhe që me vendimin e sotëm merr fund me shpejtësi.
“Ky është një hap shumë i rëndësishëm në drejtim të reformës së pronësisë, sepse ka qenë një standard absurd që merr fund me shpejtësi. Që të jemi realist, kjo u ka interesuar kryesisht banorëve autoktonë më shumë se sa të tjerëve që janë shpërngulur, sepse të gjitha banesat që kanë përbërë qytetin, pa shtesat dhe pallatet e ndërtuara më vonë, kanë qenë private, të pronarëve, dhe që në paranojën e zhdukjes së pronës private, ajo pronë u quajt si pronë në përdorim. Ndërsa ky vendim është një hap shumë i drejtë, shumë i rëndësishëm edhe u krijon atyre një mundësi e madhe. Pra, tregu merr një hap të ri të rëndësishëm , sikundër edhe kolaterali, sepse ata do të konsiderohen pronarë siç janë, pronarë të truallit dhe oborrit të tyre”, u shpreh Kryeministri.
Duke folur për realizimin e premtimeve të qeverisë së tij në kuadër të reformës së pronësisë, Kryeministri Berisha kujtoi që një deputet e ka kërkuar në interpelancë për të raportuar në Parlament lidhur me realizimet e programit elektoral të vitit 2005.
“Një deputet më ka kërkuar në interpelancë dhe më thotë të vish të raportosh në Parlament për realizimet e programit elektoral të vitit 2005. Por, po të shkoj tani, unë pas një muaji do të kem edhe realizime të tjera. Megjithatë unë do të bëj një pakt me të, se si Kryeministër jam i detyruar të paraqitem në parlament, por do të jetë mirë të më jepet kohë, që të shfrytëzoj edhe këto 140 ditë të këtij mandati, në mënyrë që mandatin tjetër ta nis me një vrull të ri”, u shpreh Kryeministri Berisha.19/02/2009