E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryetarja e Kuvendit përshëndet përfundimin e ratifikimit të protokollit të NATO-s. Jozefina Topalli: "26 vendet anëtare të Aleancës kanë votuar reformat që kanë trasformuar vendin"

     Zotërinj deputetë, me të drejtë disa deputetë përshëndetën mbylljen e ratifikimit të NATO-s. Në fakt, koha erdhi, ratifikimi i Protokollit të NATO-s u krye. Shqipëria tani do të jetë partnere dhe aktore në sfidat e sigurisë së kohës sonë. Ky akt i mbylljes së këtij ratifikimi në fakt është afrimi përfundimtarë i anëtarësimit në komunitetin e vetëm të vlerave dhe të interesave të përbashkëta.
  Në samitin e ardhshëm në Strasburg dhe në Kehl, në muajin prill, në më pak se dy muaj ne do të kemi nderin dhe fatin të bëhemi si vendet e Europës, si amerikanët, kanadezët dhe vendet e tjera të mëdha anëtare të Alenacës së NATO-s.
Më 17 shkurt të vitit 2009, në më pak se dhjetë muaj nga ftesa e Bukureshtit, parlamentet dhe senatet e 26 vendeve anëtare të Alenacës Transatlantike kanë votuar pro Shqipërisë, kanë votuar Shqipërinë e ndryshuar, kanë votuar kontributin e shqiptarëve, të burrave e grave të vendit tonë, kanë votuar reformat që kanë trasformuar vendin. Na kanë besuar që nga Deti i Veriut në Detin Mesdhe,  Oqeani Atlantik e më gjerë.
  Një falënderim i veçantë i shkon Senatit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Dhomës së Madhe të Turqisë, të gjitha Dhomave të Ulëta dhe Senateve të vendeve të Bashkimit Europian.
Së bashku me kolegët e tjerë të të gjitha forcave politike këtu në Kuvend, ne kemi qenë fatlum që të bëjmë avokatinë e vendit tonë, në çdo vend, në çdo parlament, në çdo  Senat ku kemi takuar të gjithë deputetët dhe Senatet, anëtarët e Komisioneve të Jashtëm, të Mbrojtjes apo të komisioneve të tjera. Kemi takuar kryetarët e të gjitha parlamenteve dhe senateve të këtyre vendeve, kemi bërë me mijëra kilometra, ndoshta me qindra mijëra milje dhe ia kemi dalë.
  Natyrisht që po të llogarisim kohën se kur ka filluar procesi i rafikimit në parlamente dhe senate, do të shohim se ky ratifikim është bërë në një kohë rekord, të paimagjinueshëm. Vetëm në gjysmë të shtatorit ka filluar ky proces. Prandaj, edhe një herë më lejoni që në emrin tuaj ti falënderoj të gjithë: Hungarinë, Letoninë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Lituaninë, Poloninë, Rumaninë, Bullgarinë, Sllovakinë, Turqinë, Norvegjinë, Estoninë, Danimarkën, Çekinë, Spanjën, Gjermaninë, Italinë, Britaninë e Madhe, Kanadanë, Francën, Portugalinë, Luksemburgun, Islandën, Slloveninë, Greqinë, Belgjikën, Hollandën.
Edhe një herë dëshiroj tju falënderoj të gjithëve për kontributin që keni dhënë dhe në emrin tuaj do të dëshiroja të falenderoja të gjithë kolegët në këto parlamente dhe senate, vendet e kësaj Alenace që bënë të mundur mbylljen e këtij procesi në një kohë rekord.
Për Shqipërinë dhe për shqiptarët ky është ndër momentet më të bukura.
Falemnderit!

 

   
 

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›