Njoftim për shtyp i Zëdhënëses së Kryeministrit, znj. Juela Meçani
Kryeministri Berisha po ndjek në vijimësi situatën e rënduar për shkak të reshjeve dhe stuhive të dëborës e shiut që 24 orët e fundit, kanë përfshirë pjesën më të madhe të territorit të vendit, në zonat veriore, verilindore dhe jugperëndimore dhe që janë përqendruar e janë më intensive kryesisht në veri të vendit.
Kryeministri Berisha i ka kërkuar Shtabit të Emergjencave Civile që të marrë të gjitha masat për të mundësuar kalueshmërinë në akset kryesore të vendit dhe për të mbikëqyrur në vazhdimësi segmentet rrugore problematike, për të garantuar një komunikim të vazhdueshëm të Shtabit të Emergjencës me komunat e bllokuara nga reshjet e dëborës, si dhe mundësimin e komunikimit të komunave të bllokuara me akset rrugore kombëtare.
Gjithashtu, prioritet duhet të ketë bashkëpunimi me autoritetet vendore, si dhe asistenca e menjëhershme mjekësore në rast nevoje.
Situata aktuale e rënduar nga reshjet dhe stuhitë e dëborës po ndiqet në vazhdimësi nga Kryeministri Berisha.
19/02/2009