- Këshilli i Ministrave miraton vendimin për veprimtarinë e jashtme dhe dhënien e dhuratave gjatë veprimtarisë së nëpunësit të administratës civile - Këshilli Ministrave miratoi sot v
- Këshilli i Ministrave miraton vendimin për veprimtarinë e jashtme dhe dhënien e dhuratave gjatë veprimtarisë së nëpunësit të administratës civile -
Këshilli Ministrave miratoi sot vendimin "Për veprimtarinë e jashtme dhe dhënien e dhuratave gjatë veprimtarisë së nëpunësit të administratës publike".
Vendimi i Qeverisë është një hap ligjor i rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit dhe i shërben transparencës dhe shmangies së abuzimeve në këtë funksion, në administratën publike (nëpunësit civilë).
Vendimi parashikon:
• Rastet e veçanta kur nëpunësit publikë i ka të ndaluar të përfaqësojë persona juridikë, vendas apo të huaj, organizata vendase apo qeveri të huaja më proceset gjyqsore ku Qeveria Shqiptare është palë apo ka interesa të veçanta;
• Procedurat e marrjes së dhuratave nga nëpunësit publikë, rastet kur këto dhurata mund të mbahen dhe rastet kur këto dhurata duhet t'i dorëzohen institucionit. Në vendim parashikohet që nëpunësi mund të mbajë një dhuratë deri në 10 mijë lekë të reja;
• Në funksion të transparencës në këtë drejtim, dhuratat për shkak të detyrës duhet të deklarohen tek eprori dhe të dorëzohen për administrim në njësinë ekonomike të institucionit, ndërsa në rastet kur ato kanë vlera muzeale i kalojnë institucioneve të specializuara;
• Ndalimi për nëpunësit publikë të marrjes së dhuratave si shpërblim për punën e kryer apo që mund të ndikojnë në paanshmërinë e kryerjes së detyrës;
• Kriteret për të përcaktuar nëse një dhuratë është e lejueshme dhe pozicioni i nëpunësit;
• Përjashtime nga këto kritere në raste festash apo mikpritjes tradicionale dhe kufiri i vlerës së dhuratës që mund të pranohet.
Gjithashtu, vendimi i qeverisë zgjidh edhe një tjetër çështje të rëndësishme, atë të veprimtarisë së jashtme të nëpunësve civilë, duke përkufizuar veprimtarinë e jashtme të nëpunësve dhe të kritereve për klasifikimin e një veprimtarie të jashtme, si të lejueshme apo jo.
Sipas tij, nëpunësit civilë nuk mund të mbajnë detyra të tjera që bien ndesh apo kanë konflikt interesash me detyrën apo pozicionin e tyre në administratën publike.
Theksoj se vendimi është një hap i rëndësishëm në drejtim të rritjes së transparencës dhe të luftës kundër korrupsionit.
Më pas, Ministri bello iu përgjigj interesimit të gazetarëve të pranishëm.
Pyetje: Vendimi i miratuar nga qeveria i përfshin edhe zyrtarët e lartë të shtetit?
Ministri Bello: Vendimi bën fjalë vetëm për nëpunësit publikë të administratës publike, ndërsa për zyrtarët e lartë, ose për të zgjedhurit që nga Presidenti i Republikës deri tek të zgjedhurit vendorë do të përfshihen në ligjin Për konfliktin e interesave, i cili ëhstë në procesin përfundimtar për ta kaluar së shpejti në qeveri.
Pyetje: Z.Bello, cili është komenti juaj lidhur me raportin e Transparency International?
Ministri Bello: Ju falënderoj për pyetjen dhe më lejoni të bëj disa saktësime. Në radhë të parë Shqipëria, në vlerësimet për vitin 2004, të kryera nga ky institucion në Transparencën Ndërkombëtare nuk ka pësuar asnjë ndryshim dhe vlerësohet se ka të njëjtin indeks të perceptimit të korrupsionit. Në vitin 2002, në vitin 2003 dhe në vitin 2004, Shqipëria është vlerësuar në indeksin e pikëve me 2.5 pikë, nga 10 të mundshme. Por fakti që duket se Shqipëria renditet gjithnjë nga fundi, lidhet me faktin se gradualisht në vlerësimet e këtij institucioni janë shtuar grupe shtetesh të tjerë. Mjafton t'ju kujtoj që në vitin 2002 numri i vendeve që u morën në konsideratë dhe u vlerësuan ishin rreth 102, një vit më pas u bënë 133, këtë vit kanë qenë 146 vende. Dhe Shqipëria zë vendin e 108, pra është ruajtur i njëjti raport, ndërkohë që janë 40 vende.
Mund të saktësoj se ky është një vlerësim i përvitshmëm, një studim që ka vlerën e vet dhe ne e marrim në konsideratë, megjithë kufizimin që ai ka. Ai përfshin në fokusin e vet vendet apo perceptimin e korrupsionit në disa vende dhe jo qeveritë dhe këtë e theksoj pa dashur të justifikohem, por duhet t'i referohet Shqipërisë, të gjitha institucioneve që ka Shqipëria, nga qeveria, Parlamenti, pushteti gjyqsor e kështu me radhë. Ne si vend dhe institucionet shtetërore, përfshirë edhe qeverinë jemi në monotorim nga organizma të ndryshëm ndërkombëtarë që ndjekin dhe vlerësojnë ndryshimin, arritjet, problemet dhe nevojat për ndryshime.
Unë gjej rastin t'ju bëj një apel që sa herë t'u referoheni dokumentave të tilla, duhet të lexoni më qartë midis rreshtave. Pëese e them këtë? Sepse është e dëmshme për vetë imazhin e Shqipërisë fakti që ju e anashkaloni informacioni që vjen, pa saktësuar atë që Shqipëria nuk ka përkeqësim por përkundrazi ka një stabilitet, me të cilin ne sigurisht që nuk jemi të kënaqur, por kjo vjen për shkak të mungesës së informacionit të azhornuar të këtij organizmi shumë të rëndësishëm, i cili, ndryshe nga vendet e tjera të rajonit, në Shqipëri nuk ka një zyrë rajonale që ta furnizojë vazhdimisht.
Ky është edhe qëllimi dhe arsyeja që unë sot kam kontaktuar me zyrën e z. Peter Egen, Kryetar i Bordit të Drejtorëve të Transparency International dhe i kam paraqitur ftesën për të ardhur në Shqipëri, për t'u ballafaquar dhe me arritjet e problematikën e qeverisë dhe të institucioneve shqiptare, në përpjekjet e tyre për të ngushtuar hapësirat e korrupsionit qoftë në administratën publike, por edhe në sektorë të tjerë të rëndësishëm.
Pra, siç e thashë, Transparenca Ndërkombëtare punon në vende të ndryshme me zyrat e saj lokale. Në Shqipëri nuk ka një të tillë, dhe siç na e ka konfirmuar dhe vetë ky organizëm, përsa kohë që një zyrë e tillë nuk është hapur edhe në Shqipëri, ky organizëm nuk është e përfshirë në veprimtari antikorrupsion.
Siç rezulton edhe në tabelën e rezultateve të vlerësimit të transparencës ndërkombëtare kolona e shkallës së vlerësimit (confidence range, e katërta majtas) nënkupton që kur një vend me numër të vogël të burimeve të informacionit dhe diferenca të mëdha në të dhënat e përfituara nga këto burime i përshtaten jo sa duhet përputhshmërisë së përqindjes së vlerësuar në renditjen e tij. Kjo shprehet me një devijim, standart të lartë, të dhënat minimale dhe maksimale të kolonës së sipërme. Në rastin e Shqipërisë indeksi ka qenë 2.5% dhe i tillë ka mbetur për të tretin vit radhazi. Kjo është edhe njëherë arsyeja që unë i kam kërkuar zyrtarisht drejtuesit të Transparencës Ndërkombëtare për të kryer një vizitë në Shqipëri, bashkë me ekipin e tij, për t'u ballafaquar me përpjekjet dhe arritjet e Qeverisë Shqiptare, por jo vetëjm ajo, mbarë shteti shqiptar në këto vitet e fundit.