E Diel, 1 Nëntor 2026

Këshilli i Ministrave, në kuadër të angazhimeve programore për harmonizimin e legjislacionit bazë me Kushtetutën dhe parimet botërore të së drejtës ndërkombëtare, miratoi ne mbledhjen e s

Këshilli i Ministrave, në kuadër të angazhimeve programore për harmonizimin e legjislacionit bazë me Kushtetutën dhe parimet botërore të së drejtës ndërkombëtare, miratoi ne mbledhjen e sotme projektligjin për kthimin dhe kompensimin e pronave te paluajteshme ish-pronarëve, për ta paraqitur në Kuvendin e Shqiperise.
Kjo nismë ligjvënëse erdhi në mënyrë të përsëritur, pas diskutimeve institucionale dhe politike të zhvilluara në Kuvend, në komisionin e posaçëm të krijuar për këtë qëllim. Ky projektligj erdhi gjithashtu për miratim në reflektim të angazhimit institucional të Kryeministrit, në emër të qeverisë dhe të maxhorancës, në tryezën politike të drejtuar nga Presidenti i Republikës, në muajin dhjetor të vitit 2002.

Në dallim nga nisma e parë ligjvënëse, të cilin, Këshilli i Ministrave ndërmorri vitin e shkuar, kjo nismë mbart disa risi, të cilat vijnë edhe për shkak krijimit të një mjedisi politik më të pranueshëm për zgjidhjen e këtij problemi delikat.
Ky projektligj, që rregullon njëkohësisht kthimin dhe kompensimin e pronës ish-pronarëve, nga pikëpamja formalo-juridike është i harmonizuar me të gjitha kërkesat standarde për të orientuar më mirë zbatuesit dhe përfituesit e tij.
Qëllimi i këtij projektligji është përcaktimi i kuadrit rregullator normativ dhe të mekanizmave ligjorë, që sigurojnë kthimin dhe kompensimin e pronës te pronari i vërtetë. Kjo nuk është një çështje e lehtë për t'u zgjidhur, për shkak se mbi këto prona janë ndërtuar një numër i pafund marrëdhëniesh ligjore, të cilat, në një farë mënyre, kanë sanksionuar shumë zgjidhje shoqërore me kalimin e viteve. Po ky projekt gjithsesi i hap rrugën për zgjidhjen përfundimtare dhe të qëndrueshme çështjeve të pronësisë.

Në vitin 1993 parlamenti miratoi ligjin nr.7698, datë 15.04.1993 "Për kthimin dhe kompensimin e pronave ish-pronarëve", si dhe ligjin nr.7699, datë 21.04.1993 "Për kompensimin në vlerë të ish-pronarëve të tokave bujqësore, kullotave, livadheve, tokave pyjore dhe pyjeve" me objekt rregullimi kthimin dhe kompensimin e pronave. Duke patur parasysh se këto dy ligje, të cilët prej kohësh janë në proces zbatimi, janë ndryshuar vazhdimisht, si dhe faktin se shumë prej neneve të tyre kanë qenë objekt gjykimi, madje dhe janë shfuqizuar, pjesërisht ose tërësisht, nga Gjykata Kushtetuese, Këshilli i Ministrave vlerëson që në kuadër të detyrimeve kushtetuese, të parashikuar në nenet 41 dhe 181 të Kushtetutës, të paraqesë një projektligj gjithëpërfshirës, ku të pasqyrohen rregullime ligjore të pronës në tërësi, si nje përmbledhje e trajtimeve të bëra në ligjet e mëparshme me ndryshimet përkatëse.

Parimet mbi të cilat ky projektligj do të vendosë kthimin dhe kompensimin e pronës janë:

1- Prona i kthehet menjëherë pronarit të ligjshëm, nëse ajo është e lirë.
2- Kur kthimi është i pamundur, pronari të kompensohet.
3- Kompensimi do të kryhet për të njëjtën natyre prone, që nuk mund të kthehet, për aq sa është e mundur.
4- Projekti trajton kompensimin fizik me përparësi, ndërsa mënyrat e tjera të kompensimit bëhen vetëm në disa përjashtime.
5- Kompensimi do të bëhet duke respektuar zhvillimin demografik dhe infrastrukturor të vendit, që do të thotë se pronari do të kompensohet me një pronë, brenda territorit të bashkisë ku jeton dhe jo më larg se në nivel qarku.
6- Kthimi dhe kompensimi bëhen në vlerë të plotë sipas standardeve të tregut që përcaktohen nga Këshilli i Ministrave, në varësi të tregut.

Në projektligj janë parashikuar subjektet që përfitojnë nga zbatimi këtij ligji, duke lidhur të drejtën e tyre me marrjen pa të drejtë të pronës në formën e shpronësimit, shtetëzimit, konfiskimit, në bazë të vendimeve penale të gjykatës dhe të akteve të tjera, ligjore dhe nënligjore, brenda një periudhe të caktuar kohore që fillon nga data 29.11.1944, ( si fillimi i periudhës së marrjes pa të drejtë të pronës) deri më 30.04.1993, data e hyrjes në fuqi të ligjit nr.7692, "Për një shtesë në ligjin 7491, datë 29.04.1991 "Për dispozitat kryesore Kushtetuese"", i cili parashikon si njërën nga të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, të drejtën e pronës.

Në ndryshim nga kuadri ligjor në fuqi, ne kete projektligj është zgjeruar rrethi i subjekteve që përfitojnë nga ky projektligj, duke përfshirë edhe familjen mbretërore. Nuk përfshihen personat që kanë marrë pronë në zbatim të ligjit nr.108, datë 29.08.1945, "Për reformën agrare", ish-pronarët për pronat e shpronësuara për interes publik (të cilat vazhdojnë të përdoren për këtë qëllim), që në kohën e shpronësimit janë shpërblyer me vlerën e plotë të pronës, si dhe ish-pronarët, që, me dashje ja kanë dhuruar pronat e tyre shtetit.

Projekti përcakton edhe mekanizmin administrativ të paraqitjes dhe sqyrtimit të zbatimit. Në këtë funksion do të vazhdojë të funksionojë struktura e kthimit dhe kompensimit të pronave, sipas afateve dhe procedurave që parashikon ky ligj. Projektligji përcakton një afat kohor 1-vjeçar, brenda të cilit komisionet duhet të shprehen për kërkesat e paraqitura, duke kufizuar në këtë mënyrë zvarritjen e çështjeve. Gjithashtu, në projektligj parashikohet mënyra dhe afatet e ankimit kundër vendimeve të komisioneve si dhe kundër vendimeve të Komitetit Shtetëror për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave. Në këtë projekt parashikohet edhe e drejta për t'iu drejtuar organeve gjyqësore për zgjidhjen e çështjeve, dhe për ankimet për vendimet e komisioneve.

Projektligji parashikon kthimin dhe kompensimin e pronës, duke përfshirë në konceptin pronë të gjitha sendet e paluajtshme, sipas përkufizimit të Kodit të Procedurës Civile, pra të gjitha llojet e pronës, në formën e tokës, (truall, tokë bujqësore), drurët, ndërtesat dhe çdo gjë e trupëzuar, në mënyrë të qëndrueshme e të vazhdueshme me tokën.

Në lidhje me këtë projektligj është e rëndësishme të theksohet fakti i heqjes së limiteve për kthimin fizik të sipërfaqeve të lira, duke vendosur drejt raportin e pronarëve të vjetër me ligjin. Masa e kthimit të pronës do të jetë e plotë vetëm për pronat, të cilat nuk vlerësohen prona të zëna, sipas përkufizimit të dhënë në pikën 3, të nenit 2 të projektligjit, pra nuk do të ketë efekte prapavepruese në lidhje me pronën e marrë në zbatim të ligjit nr.7501, datë 19.07.1991 "Për tokën" dhe të ligjit nr.8053, datë 21.12.1995 "Për kalimin pa shpërblim nga përdorimi në pronësi i tokës bujqësore".

Në projektligj, përcaktohen mënyrat e kompensimit të pronës sipas llojit të saj (truall, tokë, ndërtesë etj) dhe vlerës së tregut, duke parashikuar kompensimin sipas radhës dhe afërsisë gjeografike, në mbështetje të ndarjes territoriale-administrative. Kur nuk është i mundur kthimi i pronës, kompensimi të bëhet në mënyrën më të përshtatshmë, sa më afër llojit të pronës dhe në të njëjtën njësi administrativo-territoriale ose në njësinë më të afërt.

Në projektligj parashikohet se vlera e pronës, për efekt të kompensimit, do të përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave, duke bërë të mundur një përcaktim sa më real, të barabartë dhe në përputhje me parametrat e diktuara nga çmimet e tregut, të vlerës së pronës.

Gjithashtu projektligji siguron një mënyrë zgjidhjeje të qëndrueshme të marrëdhënieve pronar-ish-pronar, në dobi të stabilitetit shoqëror dhe në funksion të fillimit të procesit të integrimit në BE, me rastin e formalizimit të çeljes së negociatave për nënshkrimin e marrëvshjes së Stabilizim-Asociimit.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›