Kryeministri Fatos Nano u takua sot paradite, në mjediset e Fakultetit Filologjik, me përfaqësues të Qarqeve Universitare me rastin e fillimit të vitit të ri akademik 2003-2004. Me këtë ra
Kryeministri Fatos Nano u takua sot paradite, në mjediset e Fakultetit Filologjik, me përfaqësues të Qarqeve Universitare me rastin e fillimit të vitit të ri akademik 2003-2004.
Me këtë rast, kryeministri Nano mbajti leksionin me temë "Shqipëria dhe Integrimi Europian".
Nën sloganin "Edukim, Burime Njerëzore, Integrim", Z. Nano vuri theksin në sfidat me të cilat përballet shoqëria shqiptare në rrugën e saj drejt integrimit në strukturat europiane, në avantazhet që përftohen nga ky proçes dhe kostot e tij.
Në auditor, ishin të pranishëm Ministri i Arsimit dhe Shkencës Luan Memushi, ai i Ekonomisë, Arben Malaj, Kryetari i Bashkisë së Tiranës Edi Rama,ambasadorë të vendeve të Bashkimit Europian të akredituar në Tiranë, pedagogë, studentë, dhe të rinj të diplomuar në Universitetin e Tiranës, të cilët sot janë përfshirë në administratën publike dhe në biznesin privat.
Në fjalën e tij Kryeministri Nano u shpreh:
"I nderuar zoti Ministër,
I nderuari zoti Rektor i Universitetit,
Të dashur studentë,
Të nderuar kolegë,
Kur përgatitja axhendën time të takimeve qeveritare mendova që ditën e parë të vitit akademik universitar, ndryshe nga tradita shumëvjeçare, t'i kthehesha foltores së pedagogut, në një moment kur ballafaqimi me standartet me BE ka nisur në të gjitha fushat e jetës dhe në bankat e universitetit me siguri përgatiten zbatuesit e marrëveshjeve më të avancuara që po negociohen sot nga qeveria e institucionet përfaqësuese të vendit. Nuk besoj se ka vend të vë theksin tek rëndësia e temës dhe e vet proçesit. Me këtë dua të jap një sinjal se qeveria dhe administrata është shumë e interesuar të fillojë këtë proçes partneriteti me ju dhe jam i bindur se ky takim i parë do të vazhdojë deri në marrëdhënie kontraktore me katedrat dhe kuadrot e të gjitha fushave që kanë universitetet në Shqipëri për të kalkuluar më mirë kapacitetet njerëzore që disponon Shqipëria, të cilat po i azhornon dhe modernizon për të përshpejtuar ritmet e integrimit e për të tretur më mirë efektet e këtij proçesi.
Natyrisht ky proçes ka kosto dhe përfitime dhe raporti midis tyre vjen duke ndryshuar në kohë. Nuk besoj se na lejohet të shpikim sepse nga përvoja e vendeve të tjera, jo thjesht themeluese të BE por edhe të vendeve që kanë aderuar kohë pas kohe në të, për menaxhimin e raportit kosto përfitime dhe të sjelljes institucionale apo qytetare ndaj vetë proçesit. Kemi avantazhin e madh që vetë institucionet përfaqësuese të BE e të vendeve anëtare të tij kanë arritur të raconalizojnë eksperiencën e integrimit dhe të jenë shumë më të pranishëm se më parë në vende që aspirojnë të integrohen.
Integrimi europan- një nocion i përdorur aq gjërë sot nga të gjithë aq sa shpesh duket si një retorikë politike.
Duket se në bisedat e përditshme të njerëzve dhe qytetarëve në lëvizje, shtrohet përgjithësisht një pyetje:
Hapja ndaj botës të çon në integrim?
Zhvillimi mund të arrihet ndryshe?
Proçesi i rritjes mund të bëhet me apo pa organizatat që përfaqësojnë komunitete mbinacionale?
Natyrisht diskutimi shtrihet në disa syresh, veçanërisht në Evropë dhe për vende të ish lindjes komuniste, por kryesisht vjen e përqëndrohet tek dy entitete apo institucione përfaqësuese të botës globale, Bashkimi Evropian dhe tek institucionet financiare ndërkombëtare, Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore.
Pra, të gjithë flasin për nocionin integrim dhe për t'iu shmangur kësaj retorike politike apo sociale për përqasjen e shoqërisë sonë me shoqëritë europiane të zhvilluara, nuk besoj se mund të shmangemi nga një pëgjigje e vetme.
Qëllimi i shoqërive njerëzore dhe asaj shqiptare është të zhvillohen dhe të jetojnë më mirë. Kjo është në vetë natyrën e njeriut dhe të organizimit të njeriut në shoqëri.
Përvojat e vendeve të ndryshme kanë sjellë dinamika të ndryshme zhvillimi në varësi të përfshirjes në një realitet brenda apo jashtë kufijve, të përfshirjes në tregje të limituara nga kufij nacionalë apo të hapura nga hapësira globale.
Ka vende në Europë, madje të synuara me përparësi edhe nga shqiptarët që duan të lëvizin jashtë kufijve, që qëndrojnë jashtë blloqeve të integruara siç është Zvicra apo Norvegjia, të cilat na çojnë në një konkluzion paraprak: duket se integrimi nuk është qëllim në vetvete, por instrument dhe rrugë zhvillimi. Kurse qëllimi në vetvehte është rritja e mirëqënies ekonomike dhe i lehtësirave që krijojnë institucionet shtetërore për ushtrimin e lirive ekonomike apo në përgjithësi të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.
Ky debat është më i gjërë sesa takimet e sallave, më i gjërë sesa mjediset urbane apo rurale të shoqërisë shqiptare, sepse edhe në Evropën e zhvilluar, apo më gjërë se kaq ndeshen pikëpamje dhe pozicione të ndryshme. Jo vetëm globalistët dhe antiglobalistët, euroskeptikët dhe eurofilët, por midis tyre ka një grup të madh njerëzish që në dukje indiferentë, shfrytëzojnë hapësirat dhe mekanizmat e integrimit.
Integrimi piksëpari paraqitet si oportunitet dhe si i tillë ai ka dhe kosto e përfitime oportune. Një vendimarrje racionale do të zgjidhte rrugën e integrimit nëse ajo do të synonte të maksimizonte përfitimin neto përkundrejt çdo alternative tjetër.
Mazhoranca relative e opinionit të shoqërive europiane (në BE) shprehet në favor të integrimit por jo të gjithë kanë të njëjtin koncept për integrimin. Gjithsesi, dominon bindja se integrimi europian është instrumenti i vetëm, i cili siguron paqen në një Europë me histori luftrash, është instrumenti i vetëm që rrit ekonomitë, zgjeron tregjet, shton burimet dhe eliminon kostot e barrierave proteksioniste. Gjithashtu integrimi duket se është instrumenti i vetëm që i siguron Evropës një zë dhe një rol më të strukturuar në arenën botërore.
Kjo na çon në konkluzionin se integrimi si instrument maksimizon përfitimin neto shoqëror të së sotmes dhe të së ardhmes. Këto janë një nga arsyet bazë që BE po zgjerohet drejt lindjes. Pra, nuk është vetëm një presion i shoqërive ish lindore për t'u integruar, por krijon dyer e mekanizma të lubrifikuara mirë të BE që e mundësojnë dhe disiplinojnë aksesin e vendeve ish lindore drejt këtij komuniteti të zhvilluar.
Këtu fillon dhe shndërrimi i instrumentit integrim në qëllim në vetvehte. Që nga percepsioni i fermeit që është në pritje të një kontakti apo asistence që shpesh nuk e di nga duhet të kërkojë për të aktivizuar prodhimin e vet modest a jo modest bujqësor apo blegtoral, për ta shitur mundësisht jashtë, apo kalimtarit që bezdiset nga proçedurat e gjata të vizave para ambasadave të vendeve të BE, deri tek politikanët. Jam i lumtur të afirmoj se negociatorët dhe funksionarë publikë që nuk janë përfshirë në politikë, por kanë detyra për të negociuar marrëveshjen Shqipëri-BE, janë më pak emocionalë në këtë proçes. Nga të gjithë këta njerëz mendimet mendimet nisin e artikulohen se sa më shpejt të na pranojë BE, aq më shpejt do të kapim nivelet kontemporane të mirëqënies dhe të lëvizjes së lirë.
Ka një bashkësi karakteristikash që na japin pamjen e perceptimit e të reaksioneve shpesh emocionale ndaj integrimit, ndaj BE në shoqërinë e Evropën ish - lindore, përfshirë dhe Shqipërinë.
Megjithatë kushti më i lexueshëm për këtë, është klasifikimi shumë frymëzues që sondazhet e EUROBAROMETRI-t nxirrnin për opinion dhe politikbërësin komunitar apo vendasin në Shqipëri sepse treguesit ishin shumë të lartë. Dhe karakteri emocional nxirrte në pah mos njohjen ose pamjaftueshmërinë e njohjes saktësisht të raportit detyrime dhe të drejta, apo kosto dhe përfitime nga proçesi për integrim i shqiptarëve dhe Shqipërisë në BE.
Më është dashur herë pas here të bëj edhe humor me disa nga ambasadorët e BE-së këtu, kur vitin që po mbyllim u desh të diskutonin orientimin e Shqipërisë midis SHBA dhe BE, apo organizatave mirëfilli europiane dhe organizatave euroatlantike, si dhe në kontestin e koalicionit global të luftës kundër terrorizmit që çoi në rënien e Sadamit dhe të kostove që të pakalkuluara mirë në fillim që po shfaqen tani. Kundrejt pyetjes së një ambasadori europian në janë të përgjegjshëm shqiptarët për pasojat e luftës, mu desh të artikuloj përgjigjen që dilte nga EUROBAROMETRI pak a shumë. D.m.th shqiptarët janë ende 100% të përgjegjshëm për integrimin në BE, 100% të përgjegjshëm për integrimin në NATO, 100% të përgjegjshëm për domosdosshmërinë e aleancës me SHBA dhe 100% të papërgjegjëshëm për pasojat e luftës apo për kostot e integrimit.
Dhe e gjitha kjo ka të bëjë me raportet emocion-informacion. Do të shtoja nevojën për të thithur sa më shumë informacion standart për impaktin që ka përafrimi për integrim i të gjitha institucioneve apo organizatave përfaqësuese të komunitetit shqiptar, i të gjitha kostove përballë përfitimeve që sjell ky proçes për të qenë çdo ditë e më tepër vulnerabël ndaj këtij zhvillimi marramendës që na ka përfshirë.
Nuk besoj se do të ishte më e mjaftueshme që t'u dorëzoheshim tundimeve që vijnë nga spekulimet e politikës, vetëm për shkak të
frustracionit historik që duhet të ikim sa më parë në perëndim se kemi qenë shumë gjatë në lindje.
Të gjitha mund të jenë pjesë e së vërtetës. Por le t'i mbahemi postulateve ekonomike të racionalitetit, për t'iu larguar emocioneve apo spekulimeve politike për këto realitete.
Nga një këndvështrim praktik Shqipëria ka dhe do të ketë në një të ardhme afatmesme shumë më tepër përfitime sesa kosto nga integrimi, i cili në proçes ka shumë stacione, - ne po negociojmë tani një stad të ri marrëdhëniesh kontraktore Shqipëri-BE, po lëvizim nga marrëdhëniet e thjeshta tregtare, marrëveshja e 1992, për të mbërritur në stacionin Asociim-Stabilizimit, që është brenda instrumenteve që ofron BE për vendet e asociuara me një specifikë për Ballkanin perëndimor.
Brenda BE-së sot ekzistojnë zona me sipërfaqe dhe popullsi edhe më të madhe se Shqipëria, që pavarësiht nga bërja pjesë në BE apo përfitimi e përballimi i efekteve të politikave të përbashkëta të tregut, janë relativisht më të prapambetura me pjesën tjetër të Evropës së zhvilluar (psh. Jugu i Italisë në krahasim me veriun e Italisë) dhe shumë reforma dhe fonde që nuk po arrijnë t'i shkëpusin nga nivelet e prapambetjes relative zona të caktuara; ashtu siç ka shembuj të një zhvillimi shumë të akseleruar nëpërmjet integrimit për një kategori vendesh që për rrethana të caktuara gëzuan hyrjen në BE relativisht më të shpejt seç janë mundësitë e sotme (Irlanda, Portugalia, Greqia)
Shanset e Shqipërisë për integrim. Avantazhet dhe kostot
Shqipëria, vend me 3 milion konsumatorë, me një PBB/frymë rreth 1600$, me një ekonomi ku janë shtuar përpjekjet për të luftuar informalitetin, me një peshë të lartë të bujqësisë prej rreth 32% të PBB, nëse supozojmë se rritja ekonomike në 10-15 vitet e ardhshme do të mbetet në nivelin (që konsiderohet i lartë) prej 6-7% do të arrijmë në një nivel të krahasueshëm së PBB/frymë më atë të vendeve të tjera të ish-lindjes.
Ka një dokument të Kopenhagenit kriteret e të cilit janë publike për anëtarësimin e vendeve të reja në BE. Kriteret e Kopenhagenit të qershorit 1993 janë kryesisht tre:
1-Çdo vend që aspiron duhet të përmbushë parametrat e shtetit demokratik dhe të së drejtës dhe të garantojë respektimin e të drejtave të njeriut dhe minoriteteve
2 - Të ketë një ekonomi funksionale tregu, që i përshtatet dhe të mund të përballet me konkurencën e lirë të tregut europian
3 - Të pranojë dhe natyrisht të zbatojë legjislacionin europian
Pra, standartet e bashkëjetesës dhe të operimit në një treg të përbashkët në institucione komunitare që kanë epërsi ndaj institucioneve nacionale.
Këto kritere përcaktojnë disa standarte të interpretueshme me një farë lirie rast pas rasti, me tolerancën e nevojshme, por gjithsesi ka një prag që duhet kaluar. Dhe përvoja e anëtarësimeve në BE e këtyre viteve provon këtë pohim.
Këto kritere duhet të përmbushë edhe Shqipëria. Dhe padyshim këto kritere dhe e ashtëquajtura "Roadmap", skica, harta e procesit dhe rrugës që duhet të ndjekim për t'ia arritur, tashmë janë përkthyer në axhenda dhe programe pune për qeverinë, institucionet, për sektorët e ndryshëm të administratës civile deri tek gjyqsori.
Nga ky arsyetim, niveli ekonomik, në kuptimin PBB/frymë mbetet faktor i rëndësishëm por jo ekskluziv dhe për pasojë jo prohibitiv, nëse nuk pranohesh.
Këto kritere nga njëra anë janë standarte që duhen përmbushur, por nga ana tjetër janë orientuese për politika të përshtatshme, dhe e theksoj konceptin tim filozofik se nuk na lejohet të shpikim, pasi bëhet fjalë për politika të provuara që kanë sjellë sukses, që sjellin zhvillim. Prandaj e forcojnë epërsinë e shanseve në raport me kostot e integrimit.
Kjo të çon tek konkluzioni i dytë paraprak, se integrimi është një proçes që nuk mund të semplifikohet në data dhe aq më pak të bëhet me fushata.
Shqipëria po negocion aktualisht marrëveshjen e Stabilizim Asociimit dhe kam përshtypjen se proçesi po ecën shumë mirë. Negociimi i kësaj marrëveshje do të thotë pranim i standarteve që duhen arritur në harkun kohor të dhjetë vjetëve nga momenti i hyrjes në fuqi. Nënshkrimi i marrëveshjes nuk është më larg sesa një e zgjatur dore për qeverinë, fillimi i vitit tjetër.
Proçesi negociues nuk është thjesht diskutim mbi nenet e një marrëveshjeje, por sidomos eksplorimit të oportuniteteve që i ofrohen vendit për zhvillim dhe, natyrisht kalkulimi i kostove që duhen përballuar në këtë proçes. Pra, bëhet fjalë për një 10 vjeçar që duhet racionalizuar.
Marrëveshja që po negociojmë trajton në detaje aspekte ekonomiko-tregtare, politike, institucionale, ambientale, si dhe marrëdhëniet e bashkëpunimit partnerial në të gjitha aspektet Shqipëri-BE.
Nga fusha ekonomike, do të veçoja kapitullin e lëvizjes së lirë të mallrave (dhe anekseve përkatëse) për të kuptuar se marrëveshja na çon në krijimin, (në përfundim të periudhës kalimtare 10 vjeçare), e një zone të shkëmbimit të lirë ndërmjet Shqipërisë dhe BE-së. Kjo zonë nënkupton që mallrat shqiptare do të hyjnë në tregun europian pa kufizime sasiore dhe detyrime doganore dhe anasjelltas. Mallrat europiane do të kenë të njëjtat të drejta në tregun shqiptar.
Ka një faktor lehtësues që lidhet me karakterin asimetrik të këtij raporti gjatë periudhës 10 vjeçare, sepse marrëveshja i jep Shqipërisë avantazhe që vijnë duke u ngushtuar. Ne mund t'i ruajmë për t‘i hequr gradualisht disa politika, mekanizma buxhetorë apo fiskalë që vijnë duke u zhdukur në masën që rritet aftësia konkuruese e sektorëve të sipërmarrjes vendase që ka potencial ekonomik nga mbrapa.
Kjo pjesë e marrëveshjes (që quhet edhe integrim) hyn veçmas në fuqi pas ratifikimit të kësaj pjese nga Parlamentet e BE-së dhe të Shqipërisë.
Në kuadrin rajonal një instrument tjetër i sugjeruar nga BE janë marrëveshjet rajonale të tregtisë së lirë. Pra, krijimi i një modeli ekonomik funksionues të standartit komunitar për 5-6 vende të Ballkanit Perëndimor. Të tilla marrëveshje ndihmojnë në krijimin e një zone ballkanike të tregtisë së lirë, e cila mund të përbëjë një faktor edhe më të rëndësishëm për integrimin e rajonit në BE. Shqipëria ka negociuar 6 të tilla nga të cilat 2 kanë nisur të zbatohen dhe të tjerat do të hyjnë në fuqi një pas një në hark kohor të shkurtër.
Marrëveshja e Asociim Stabilizimit që po negociojmë me BE përfshin e fusha të tjera si:
Dialogu politik
Bashkëpunimi rajonal
Lëvizja e punonjësve, e drejta e vendosjes, ofrimi i shërbimeve dhe lëvizja e kapitaleve
Përafrimi i legjislacionit, zbatimi i ligjit dhe rregullat e konkurencës në standartin e BE
Drejtësia dhe çështjet e brendshme, pra, lufta kundër krimit, efikasiteti i policisë dhe agjencive të tjera antikriminale
Politikat e bashkëpunimit dhe
Bashkëpunimi financiar
Gjithashtu, këto pjesë të marrëveshjes kanë nevojë që të ratifikohen nga parlamentet e të gjitha vendeve anëtare.
Në lidhje me përafrimin e legjislacionit, përfshirë atë ekonomik me standartet e BE-së, një pjesë të të cilit, sidomos në fushat e konkurencës dhe ndihmave publike që duhet të realizohet brenda periudhës së parë 5 vjeçare të zbatimit të marrëveshjes. Kjo punë, që konsiston në përafrimin e rreth 100 mijë faqeve legjislacion ka filluar ndërkaq në Shqipëri, por duhet menduar që ky proçes nuk ka mbaruar as edhe për vetë vendet anëtare të BE-së. Edhe vetë legjislacioni kumunitar i nënshtrohet jo vetëm përafrimit të përditshëm vende anëtare-komunitet, por edhe përsosjes së vazhdueshme.
Marrëveshja parashikon edhe krijimin e strukturave të posaçme, të përbashkëta Shqipëri-BE, të cilat do të kontrollojnë zbatimin e saj hap pas hapi.
Kusht i pashmangshëm i marrëveshjes, është funksionimi i një shteti të së drejtës dhe institucioneve demokratike të mirë-strukturuara. Pa një administratë civile, pa institucione ekzekutive, legjislative, të drejtësisë dhe të fushave të tjera që çojnë deri tek media dhe organizatat jo qeveritare, të cilat funksionojnë dhe përhapin normativën europiane marrëveshja nuk zbatohet, integrimi vonohet.
Prandaj, BE në mënyrë racionale dhe shumë partneriale kërkon reforma të thella dhe efektive institucionale dhe nga ana tjetër, ato përbëjnë një prioritet absolut të shtetit shqiptar.
Avantazhet e integrimit
Duke zbritur në një terren ku avantazhet e integrimit bëhen më të prekshme, flasim për lëvizjen e lirë të njerëzve. Bëhet fjalë për të përfituar akses mbi bazën e marrëveshjes dhe të zbatimit të detyrimeve të saj në sfondin europian të zhvillimit të infrastrukturës, të kohezionit social, zhvillimit rajonal, edukimit, subvencionet dhe programet e ndryshme mbështetëse për zhvillim etj.
Është fjala për të fituar akses mbi bazën e respektimit të detyrimit që merren me marrëveshjen, akses pa diskriminin në tregun e punës, përfshirë dhe punësimin në struktura të ndryshme të tregut komunitar të punës në vendet e BE, akses pa diskriminin në sistemin arsimor europian, në sistemin e shërbimeve europiane, përfshirë ato sociale dhe shëndetsore, dhe së fundi, akses pa diskriminim në tregjet europiane të mallrave dhe shërbimeve.
Duke u kushtëzuar këto, natyrisht, me realizimin në praktikë, jo më poshtë se niveli minimal i mbrojtjes së të drejtave themelore të njeriut e minoriteve. Dhe në një ditë të caktuar për të fituar edhe të drejtën e pjesëmarrjes me kandidatë shqiptarë që konkurojnë pa diskriminim për t'u zgjedhur dhe integruar në strukturat europiane, përfshirë dhe votimin dhe kërkimin e përgjegjshmërisë ndaj qytetarëve shqiptarë.
Sfidat dhe kostot e integrimit
Do të doja të vija theksin tek sfidat dhe kostot e integrimit për vetë arsyen se sfidat dhe kostot e integrimit janë pikërisht ato momente të proçesit që janë elaboruar më pak dhe për të cilat ne shqiptarët jemi më pak të ndërgjegjshëm.
Është interesante të vërejmë që çdo vend, sa më shumë që i afrohet integrimit aq më shumë ndërgjegjësohet se integrimi nuk është vetëm përfitim por edhe kosto. Nuk ka si shpjegohet ndryshe që francezët ose gjermanët (pa përmendur britanikët) janë më euroskeptikë sesa polakët, hungarezët, apo sllovenët, apo aq më tepër sesa shqiptarët apo kroatët. Këta të fundit janë më shumë euroskeptikë sot sesa disa vite më parë. Mesa duket kjo është një tendencë objektive. Sa më pranë BE dhe sa më shumë zhvillohet një vend aq më me kujdes vlerëson koston e integrimit.
Thelbi i të gjitha sfidave të integrimit për ne është të kuptojmë Europën me rregullat e saj që të mundësojmë maksimizimin e përfitimit tonë privat dhe publik dhe të jemi partnerë të një Evropë të zgjeruar, të diversifikuar dhe dinamike.
Europa ofron akses të lirë në tregjet e mallrave, shërbimeve dhe kapitaleve. Por në qoftë se biznesi shqiptar nuk arrin të kuptojë tregjet europiane, rregullat e tyre, standartet minimale, të mësojë të negociojë me operatorët ekonomikë në të gjithë hapësirën ekonomike europiane dhe jo vevëm ato rrotull nesh, nuk arrin të kuptojë preferencat dhe tekat e konsumatorit europian, ka shumë risk që aksesi i lirë të jetë minimal për mallrat dhe operatorët tanë dhe maksimal për ato europianë. Pra, që do të thotë përsëri më shumë importe sesa eksporte dhe defiçit tregtar akoma më të madh sesa sot.
Po ashtu, është një sfidë e madhe për bujqësinë shqiptare, që të arrijë t'i adoptohet instrumentave të Politikës së Përbashkët Bujqësore europiane të BE-se, e cila do të jetë gjithmonë eprore për një kohë të gjatë ndaj të njëjtit sektor në Shqipëri (p.sh rasti i Polonisë ku pak muaj pas nënshkrimit të Marrëveshjes Europiane të Asociimit bujqit dhe fermerët polakë dolën në protesta kundër saj se e shihnin veten të papërgatitur për të konkuruar me ata francezë).
Sot,qeveria shqiptare mund të bëjë dhe bën subvencione shtetërore të drejtpërdrejta ose të tërthorta, ose politika fiskale me një hapësirë të gjërë diskrecioni. Në kushtet e integrimit kjo gjë do të jetë pjesërisht e mundur por imtësisht e verifikueshme dhe e kontrolluar nga institucionet komunitare eventualisht madje e sanksionueshme në rast të deformimit të tregut.
Sapo miratuam heqjen e akcizëz për naftën në sektorin e peshkimit. Për këtë vendosëm vetë si qeveri, por në kushtet e integrimit të plotë një masë e tillë do të duhet ta justifikojmë përpara Komisionit Europian, gjë që jo gjithmonë mund të arrihet me sukses, veçanërisht për sektorë sensitivë. Kjo është ndoshta në nga arsyet të kujtojmë që vota e dyfishtë e Norvegjisë (1971& 1994) mendohet të jetë politika e përbashkët komunitare e peshkimit që u vlerësua se mund të përbëjë një kosto për këtë vend. Vlerësoj më shumë mos marrjen e kostove sesa të përfitimeve nga aderimi.
Disa biznese shqiptare sot, në kushtet e një ekonomie ende jo plotësisht të hapur, dhe për vetë dimensionet e tregut shqiptar, mund të përfitojnë nga pozita e tyre dominuese.Në kushtet e një tregu të hapur me BE këto avantazhe zhduken, qoftë për shkak të zgjerimit të tregut, qoftë për shkak të zbatimit të legjislacionit komunitar të konkurencës. Shembuj më të mirë do të ishin tregu i telekomunikacioneve ose të energjisë. (Deutche Telecom në maj të këtij viti u gjobit nga Komisioni Europian me 17.1 milion Euro për abuzim të pozitës dominuese).
Të drejtat e pronësisë intelektuale janë një moment tepër i ndjeshëm për Europën dhe madje objekt konflikti në OBT. Tek ne përkthehen libra, prodhohen CD, trasmetohen programe televizive, etj,shpesh pa marrë leje dhe pa paguar të drejtën e autorit. Është e vërtetë që ne kemi edhe legjislacionin tonë dhe po shënojmë disa përmirësime së fundi, - pasi ka hyrë në fuqi ligji kundër piraterisë televizive, - por në kushtet e një integrimi europian institucionet shqiptare për të drejtën e autorit nuk mund të jenë më "të buta" siç janë sot, pasi rritet mundësia e ankimit nga pala e dëmtuar dhe bashkë me të edhe mundësia e sanksionit jo vetëm për subjektet që shkelin rregullat në radhë të parë por edhe për institucionet shqiptare që i garantojne ato sipas Kushtetutës.
Në fushën e mjedisit diskutimi është akoma më i thellë. Sot bizneset shqiptare operojnë në kushtet ku standartet e mjedisit dhe aq më shumë kontrolli i zbatimit të këtyre standarteve janë tepër tolerante. Pra, bizneset përfitojnë kalimin e kostos tek publiku duke abuzuar me mjedisin. Por në kushtet e tregut europian duhet të zbatosh detyrimisht standartet minimale mjedisore që do të thotë kosto më e lartë prodhimi dhe tregtimi, fitime më të ulëta, në të kundërt përballesh me penalitete dhe rrezikon daljen nga tregu. Në raste të tilla, dhe vetë shteti mund të përballet me sanksione, nëse tregohet neglizhent.
Duke iu referuar tregut të punës, Europa ofron akses të lirë në tregun e punës në të gjithë sektorët. Por në qoftë se shqiptarët nuk do të jenë të përgatitur siç duhet t'i shfrytëzojnë këto mundësi nga edukimi tek informacioni, ne do të bëjmë punërat e paplanifikuara dhe më pak të paguara në vendet e BE-se. Ndërkohë që europianët do të jenë plotësisht të lirë të konkurrojnë edhe në tregun e brendshëm të punës, duke qënë se tregu ynë do të jetë plotësisht i hapur për ta. Kjo tendencë është mëse e qartë sot në tregun e konsulencës me gjithë përmirësimin e tregut lokal. Vjen një specialist "junior" me pasaportë të huaj dhe me të njëjtin edukim ose edhe më të ulët se një specialist shqiptar dhe merr dhjetëfishin e shperblimit të një specialisti po aq të kualifikuar shqiptar.
Integrimi po del qartë që tani se është sfidë dhe për universitetet, profesoratin, studentët dhe të gjithë sistemin e edukimit dhe arsimimit në Shqipëri , publik ose privat.
E njëjta gjë mund të thuhet për sistemin shëndetsor dhe për sektorë të tjerë të sferës ekonomike apo shërbimeve publike dhe private.
Integrimi përbën një sfidë edhe për institucionet shqiptare ligjvënëse, ekzekutive apo gjyqsore, të cilat duhet të ndjekin ritmet e zhvillimeve komunitare. Një ligjvënës shqiptar nuk mund të nxjerrë më një ligj, në kundërshtim me një rregullore komunitare, ashtu si një gjyqtar shqiptar duhet të dijë të zbatojë në të ardhmen legjislacionin komunitar, krahas atij shqiptar. Pasojat mund të ishin që nga një diskreditim deri në një sanksion me karakter financiar nga Komisioni apo Gjykata Europiane e Drejtësisë.
Ka një fabul për karakterin epror të legjislacionit komunitar ndaj atyre anëtar të një fature energjie elektrike prej 3 Euro (1964), për të cilën shteti italian u dënua nga Gjykata sepse kishte miratuar një ligj që, në kundërshtim me legjislacionin komunitar, njihte monopolin e shërbimit në sektorin e energjisë. U deshën 20 vjet që Gjykata Kushtetuese Italiane të bindej që nuk ishte më ajo e fundit që vendoste për këtë çështje, por ishte Gjykata Europiane. Por gjatë këtyre 20 vjetëve Italia vazhdonte të gjobitej.
Rasti i Greqisë është edhe më tregues në këtë drejtim, sepse Greqia vazhdon të penalizohet për mosrespektim të vendimeve të Gjykatës Europiane.
Në kushtet e Integrimit, policia dhe doganat shqiptare garantojnë kufijtë, rendin dhe doganat europiane. Prandaj edhe në kuadrin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, partnerët tanë europianë insistuan për negocimin e një marrëveshjeje të ripranimit të personave që kalojnë ilegalisht nga territori shqiptar (jo vetëm për Shqipërinë). Nëse policia jonë nuk bëhet efikase dhe profesionale për të menaxhuar kufijtë, kjo përbën një sfidë dhe një kosto publike për të gjithë ne. Dhe ne mund të rrezikojmë të trajtojmë jo vetëm rastet e paligjshme të kaluara me të vërtetë nga Shqipëria, por edhe rastet kur kjo nuk ka ndodhur. Kufij porozë do të thotë të mos arrish të provosh as edhe të kundërtën e kalimeve të paligjshme.
Politikanët shqiptarë.edhe në kuadrin e fushatave politike apo zgjedhore, nacionale apo europiane, duhet të jenë shumë të matur apo të civilizuar. (mjafton të kujtojmë rastin e Haderit në Austri, të Bossit në Itali, Le Pen në Francë).
Duke konkluduar,
Synimim ynë është zhvillimi i qëndrueshëm, i cili konvergon me modelin europian të zhvillimit të qëndrueshëm.
Përafrimi me këtë model afron dhe mundëson integrimin ,që nga ana e tij mundëson dhe afron arritjen e objektivave të zhvillimit të qëndrueshëm, por që kalon nëpër një rrugë të gjatë dhe të vështirë transformimesh, të cilat kanë edhe kostot e tyre publike dhe private. Por, të gjitha këto justifikohen nga përfitimet edhe më të shumta.
Dhe tani duke shpresuar se ky parashtrim do të ketë zgjuar te ju dëshirën për dëbat, pres reagimin tuaj.
Ju faleminderit!"