Këshilli i Ministrave zhvilloi sot paradite mbledhjen e tij të radhës, nën drejtimin e Zëvendëskryeministrit Namik Dokle. Në këtë mbledhje u miratuan një sërë marrëveshjesh dhe vendimesh
Këshilli i Ministrave zhvilloi sot paradite mbledhjen e tij të radhës, nën drejtimin e Zëvendëskryeministrit Namik Dokle. Në këtë mbledhje u miratuan një sërë marrëveshjesh dhe vendimesh të rëndësishme në fushën e energjitikës dhe të infrastrukturës rrugore, si dhe vendimi për shndërrimin e Shkollës së Infermierisë në Fakultet, pranë Universitetit të Tiranës.
Kështu, u miratua projektligji "Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Italisë, për realizimin e programit "Ndërtimi i segmentit rrugor Lushnjë-Fier dhe supervizioni i punimeve për dy segmentet rrugore, Lushnjë-Fier dhe Fier-Vlorë".
Programi parashikon të përmirsojë gjendjen rrugore të rrugës Lushnjë-Fier-Vlorë, sipas kritereve të projektimit, në përputhje me standartet europiane, duke favorizuar lëvizjen e njerëzve dhe mallrave si brenda vendit ashtu edhe me vendet kufitare, në koherencë me prioritetet rajonale, të cilat e konsiderojne këtë rrugë si pjesë përbërëse të Korridorit të VIII Pan-Europian dhe si pjesë të rëndësishme të Korridorit Kombëtar Veri-Jug.
U miratua dhe vendimi "Për miratimin në parim të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Rumanisë, për nxitjen dhe mbrojtjen e ndërsjelltë të investimeve".
Marrëveshja synon intensifikimin e bashkëpunimit ekonomik nëpërmjet nxitjes dhe mbrojtjes së investimeve reciproke mbi bazën e përfitimit të ndërsjelltë.
Në këtë marrëveshje palët angazhohen se do të pranojnë dhe nxisin investimet e investitorëve të Palës tjetër në përputhje me legjislacionin e tyre. Po kështu, investimeve të kryera nga investitorët e njërës Pale në territorin e Palës tjetër, në cdo kohë do t'u jepet një trajtim i drejtë dhe i barabartë dhe ato do të gëzojnë mbrojtje dhe siguri të plotë.
Në fushën e energjitikës u miratua projektligji "Për ratifikimin e marrëveshjes së garancisë, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), dhe të marrëveshjes së kredisë, ndërmjet korporatës elektroenergjitike shqiptare dhe të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), për projektin e prodhimit të energjisë termike në Vlorë."
Duke patur parasysh nivelin e sotëm të burimeve gjeneruese, varësinë e prodhimit të tyre nga kushtet hidrologjike, rritjen e kërkesës për energji nga viti në vit, si dhe rritjen e kërkesës për energji elektrike në rajon e më gjerë, bazuar në Strategjinë Kombëtare të Energjisë, është e domodoshme që brenda vitit 2007 në vendin tonë të jetë ndërtuar një TEC i ri, për prodhimin e energjisë elektrike.
Po ashtu, duke synuar realizimin e Planit të Veprimeve, në mënyrë të veçantë realizimin e objektivave të humbjeve dhe arkëtimeve, rritjen e ndjeshme të performancës së KESH-it dhe zbatimin e reformave për ristrukturimin e tij, Banka Botërore (IDA), BERZH-i dhe BEI kanë rënë dakort për financimin e ndërtimit të fazës së parë, me fuqi të instaluar 100-135 MW, të një TEC-i të ri në Vlorë, i cili në fazat e mëtejshme do të arrijë rreth 300 MW. Asistenca teknike në kuadër të projektit do të përballohet nga Banka Botërore me mirëkuptimin e BERZH-it dhe BEI.
U miratua edhe vendimi "Për fillimin e procedurës së dhënies me koncesion të formës "BOO" për ndërtimin e hidrocentralit të Bratilës, sipas propozimit të pakërkuar"
Shoqëria "Landsvirkjun"që është operatori kombëtar i rrjetit elektrik të Islandës ka paraqitur studimin, projekt-propozimin dhe kërkesën për marrjen me konçesion të formës ndërtim-shfrytëzim-pronësi (BOO) të hidrocentralit të Bratilës si propozim i pakërkuar, si dhe të drejtën e shfrytëzimit të lumit Devoll në pjesën e shtrirjes së tij midis fshatit Bratilë dhe fshatit Moglicë.
Nga pikëpamja e fizibilitetit tekniko-ekonomik, projekti i HEC-it të Bratilës gëzon një shkallë të lartë prioriteti në raport me burimet e tjera hidro-energjitike të vendit, gjë që është theksuar edhe në Strategjinë Kombëtare të Energjisë.
Ndërtimi i këtij hidrocentrali ka vlera jo vetëm për zhvillimin e mëtejshëm të burimeve gjeneruese të energjisë në Jug të vendit, por ai do të kontribuojë më tej në zhvillimin ekonomik të vendit tonë, në mënyrë të veçantë në zhvillimin e një rajoni të pazhvilluar që shtrihet në rrjedhën e sipërme të lumit Devoll.
Një tjetër vendim i rëndësishmë i miratuar në mbledhjen e sotme të qeverisë ishte edhr ai për "Për shëndrrimin e shkollës së lartë të Infermierisë në Tiranë në Fakultet të Infermierisë, në varësi të Universitetit të Tiranës".
Ky vendim ka për qëllim ndryshimin e statusit të Shkollës së Lartë të Infermierisë në Tiranë, nga një shkollë e lartë e nivelit jouniversitar e pavarur, në Fakultet të Infermierisë nën juridiksionin e Universitetit të Tiranës.
Pas mbledhjes së Këshillit të Akreditimit, u konkludua se statusi aktual i Shkollës së Lartë të Infermierisë, si strukturë e pavarur nga Universitetet e tjera të vendit, nuk është i justifikuar dhe ka sjellë mangësi serioze në menaxhimin e këtij institucioni. Këto mangësi janë pasqyruar në të gjitha aspektet e punës, si në organizimin, strukturën dhe administrimin e shkollës, po ashtu dhe në nivelin e stafit dhe të mësimdhënies.
Ndryshimi i statusit do të sillte pasoja edhe në një aspekt tjetër. Degët që japin diplomë në fushën e infermierisë, janë të organizuara në mënyra të ndryshme. Në Tiranë funksionon shkolla e lartë e Infermierisë në Universitetin "Ismail Qemali të Vlorës ekziston Fakulteti i Infermierisë në Universitetin "EqeremÇabej të Gjirokastës, në Universitetin "Fan Noli" të Korcës dhe në Universitetin e Shkodrës, infermieria është degë në varësi të universitetit përkatës. Këto organizime të ndryshme kanë nevojë të unifikohen pasi japin të njëjtën diplomë dhe janë krijuar si rezultat i zhvillimit të arsimit të lartë në vite.
U miratua vendimi "Për trajtimin e punonjësve, që dalin të papunë, si pasojë e ristrukturimit të Shoqërisë "Transnafta", SHPK, Patos"
Si pasojë e nevojës së ristrukturimit të sh.p.k "Transnafta" në zbatim të Urdhërit të Ministrit të Ekonomisë "Për një ndryshim në urdhërin nr.56, "Për fillimin e procedurë së privatizimit për shoqërinë "Transnafta" sh.pk Patos, dalin të papunë 42 punonjës.
Afati i paraqitjes së dokumentave për privatizimin e shoqërisë është 30 qershor 2004. Në këtë vendim miratohet propozimi që punonjësit të cilët largohen, të shpërblehen një vit me pagën mesatare të vitit të fundit të punës. Fondi i nevojshëm është përcaktuar nga shoqëria, bazuar në listat e punonjësve që dalin të papunë dhe llogaritjet analitike për secilin prej tyre.
U miratua vendimi "Për miratimin në parim të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Shoqatës Ndërkombëtare për zhvillim (IDA), si administratore e Fondeve të Grantit Japonez, për përgatitjen e projektit të Sekuestrimit të Karbonit me mbështetjen e Komunitetit.
Granti ka për qëllim të ndihmojë komunitetet lokale të ndërrmarrin aktivitete pilot të sekuestrimit të karbonit që kontribuojnë në pakësimin e lëshimit të gazeve serë në përputhje me Konventën e Kombeve të Bashkuara mbi ndryshimet klimatike sipas Protokollit të Kiotos. Projektit ka për qëllim restaurimin e tokave të degraduara dhe të zhveshura so dhe pakësimin e erozionit me anë të masave silvikulturore dhe veshjen e sipërfaqes së tokës me vegjetacion. Një tjetër objektiv i këtij projekti është dhe ruajtja dhe përmirësimi i cilësiove të ujrave në zonat problematike dhe së fundi zbutja dhe reduktimi i varfërisë nëpërmjet të ardhurave të reja që do të krijohen nga këto aktivitete të projektit.
Gjithashtu, u miratua dhe vendimi "Për ndryshimin e përgjegjësisë së administrimit të mjediseve të zyrës së përmbarimit, Kurbin, nga zyra e administrimit të buxhetit gjyqësor, Drejtorisë së Përgjithshme të përmbarimit, në Ministrinë e Drejtësisë."
Duke qenë se kjo pronë ndodhet brenda Godinës së Gjykatës së rrethit Kurbin, kati i parë, ana jugore e saj, me sipërfaqe 60 m2 dhe është në përgjegjësi administrimi të zyrës së Administrimit të Buxhetit Gjyqësor, kjo zyrë në marrëveshje me Gjykatën e rrethit Kurbin, ka rënë dakort që të kalojë këtë pronë në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Drejtësisë, Drejtorisë së Përgjithshme të Përmbarimit, me qëllim plotësimin e nevojave të Zyrës së Përmbarimit Kurbin dhe mundësinë e investimeve në këtë objekt.
U miratua vendimi "Për miratimin në parim të marrëveshjes së grantit italian, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Shoqatës Ndërkombëtare për zhvillim (IDA), asistencë teknike për programin e strategjisë së privatizimit"
Vendimi "Për miratimin në parim të marrëveshjes së grantit italian, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Shoqatës Ndërkombëtare për Zhvillim (IDA), për aistencë teknike për programin e strategjisë së privatizimit: është hartuar për miratimin në parim të Grantit Italian të propozuar nga Banka Botërore.
Granti Italian është propozuar nga Banka Botërore në përgjigje të kërkesës së bërë nga ana jonë, për të mundësuar realizimin e të gjithë programit të privatizimit të parashikuar në projektin "Konsulencë për privatimin e sektorëve strategjikë"