Kryeministri Fatos Nano, në vazhdim të vizitës zyrtare në Kinë, mori pjesë në takimin mes Dhomës shqiptare të Tregëtisë e Industrisë dhe biznesmenëve kinezë, në kuadrin e intensifikimit
Kryeministri Fatos Nano, në vazhdim të vizitës zyrtare në Kinë, mori pjesë në takimin mes Dhomës shqiptare të Tregëtisë e Industrisë dhe biznesmenëve kinezë, në kuadrin e intensifikimit të marrëdhënieve në fushën ekonomike dhe të biznesit.
Në këtë takim kryeministri Nano shoqërohej nga Ministri i Financave Arben Malaj, Kryetari i Dhomës shqiptare të Tregtisë dhe Industrisë, Luan Bregasi, Drejtori i Përgjithshëm i Koorporatës Elektroenergjitike Shqiptare, Andis Harasani dhe një grup biznesmenësh nga Shqipëria.
Në fjalën e tij, Kryeministri Nano theksoi se zhvillimi i marrëdhënieve ekonomike mes Kinës dhe Shqipërisë është një potencial i madh që duhet të përdoret. Ai shprehu bindjen se prezenca e përfaqësuesve të biznesit shqiptar në delegacion dhe ky takim i përbashkët biznesmenësh demonstrojnë dimensionin e rëndësishëm të vizitës së Kryeministrit shqiptar në Kinë dhe do t'u japë një impuls të ri marrëdhënieve ekonomike dypalëshe.
Duke u ndalur në zhvillimet në Shqipëri, Kryeministri bëri një prezantim të arritjeve reale në reformat politike dhe ekonomike që janë ndërmarrë gjatë këtyre viteve të fundit. Ai shprehu sigurinë se biznesmenët kinezë do të tërhiqen për të investuar në Shqipëri për një sërë arsyesh, ku ai veçoi situatën e qëndrueshme ekonomike.
Në këtë drejtim, Kryeministri u shpreh se Shqipëria u ofron investitorëve të huaj mundësi thelbësore, ku shifrat e fundit të rregjistruara nga Banka e Shqipërisë tregojnë një rritje reale të GDP-së për vitin 2003, 6 %. Një tjerër arsye dhe kusht i rëndësishëm për tërheqjen e investimeve të huaja është edhe stabiliteti politik i Shqipërisë, tha Kryeministri Nano, duke përmendur rolin konstruktiv që ka luajtur Shqipëria përgjatë dhjetë viteve të fundit në rajonin e Ballkanit. "Shqipëria, - tha Kryeministri, - ka hyrë në rrugën e zhvillimeve intensive të marrëdhënieve gjithëpërfshirëse rajonale". Duke nënvizuar se "Shqipëria ka marrë vlerësime mjaft pozitive nga institucione mjaft prestigjoze siç është EXIM BANK apo SACE, ku është vënë në dukje stabiliteti ekonomik dhe politik i vendit, duke e klasifikuar Shqipërinë si një vend i sigurt dhe i përshtatshëm për investime të huaja".
Më tej, z.Nano u shpreh se mbështetja ndaj sektorit privat është një prioritet i politikave të qeverisë shqiptare, e cila e ka konsideruar gjithmonë këtë sektor si një motor që shtyn përpara zhvillimin ekonomik të vendit. "Shqipëria është bërë tashmë një destinacion i preferuar për investimet e huaja. Për vitin 2000, investimet e huaja direkte, arritën shifrën e 143 milion dollarë amerikan, tre herë më shumë sesa në 1999, ndërsa në vitin 2003 ato arritën në 178 milionë dollarë amerikan", tha z.Nano.
Kryeministri Nano përmendi një sërë Kompanish të huaja prestigjoze që kanë ardhur të investojnë në Shqipëri që nga viti 2000, si General Motors, Vodafone, Reiffeissen Bank, Hochtief, Lockheed Martin. Aktualisht, janë 2915 kompani të huaja që operojnë në Shqipëri, nga të cilat, 1793 janë joint-ventures dhe 1122 kompani janë 100% të huaja.
Sipas Kryeministrit Nano, paketa e privatizimit në shumë sektorë strategjikë është një tjetër arsye që tërheq interesin e shumë kompanive të huaja për investime në Shqipëri. Përafërsisht, tha ai, 80% e ekonomisë shqiptare është privatizuar, duke nënvizuar disa nga sektorët strategjikë që po i nënshtrohen privatizimit si, energjia, nafta dhe gazi, telekomunikacioni, pyjet dhe ujrat, rrugët, hekurudhat, transporti ajror dhe ai detar. Po ashtu, janë në procesin e privatizimit edhe ndërmarrje të tilla të rëndësishme si Korporata Energjitike Shqiptare, Albpetroli, INSIG-u, etj
Klima e favorshme e biznesit, është një tjetër faktor që tërheq interesin e investitorëve të huaj, shtoi kryeministri, duke u bërë të njohur biznesmenëve kinezë se tashmë në Shqipëri ekziston një regjim liberal për investimet e huaja që garanton trajtimin e paanshëm për biznesin vendas dhe atë të huaj. Gjithashtu, arritja e Marrveshjeve të Tregtisë së Lirë me të gjitha vendet e rajonit, krijon mundësinë për praninë e bizneseve të huaja, me prodhimet dhe shërbimet e tyre, në të gjitha vendet e rajonit.
Po ashtu zhvillimi i shpejtë i sektorit bankar dhe infrastrukturës, sistemi fiskal, kostoja fillestare e ulët për hapjen e një biznesi, fuqia e lirë e punës, kostoja e ulët e pronës, kostoja e ulët e lëndës së parë, etj., të gjitha këto, sipas z.Nano, janë faktorë nxitës për të invesuar në Shqipëri, e cila ofron sektorë ekonomikë me perspektiva të pakufizuara zhvillimi dhe përfitimi, siç është turizmi, industria e naftës dhe e gazit natyral, industria e rëndë dhe ajo e minierave.
Kryeministri Nano vlerësoi si mjaft të rëndësishme për thithjen e sipërmarrësve të huaj edhe pozitën gjeografike të vendit, të cilën ai e vlerësoi si një nga pasuritë më të mëdha të Shqipërisë për tërheqjen e investimeve të huaja. "Shqipëria ka një pozitë shumë të favorshme gjeografike. Brigjet e saj lagen nga ujrat e ngrohta të detit Mesdhe. Ka një vijë bregdetare prej 362 km, katër porte detare, që janë porta direkte për hyrjen në territorin shqiptar, nga deti. Ka rrugë ndërlidhëse me Veriun, Lindjen dhe Jugun e vendit, të dhëna këto që e bëjnë vendndodhjen e Shqipërisë të përshtatshme për ushtrimin e një aktiviteti biznesi", tha Kryeministri shqiptar.
Në përfundim të fjalës së tij z. Nano rikonfirmoi edhe një herë mbështetjen e Qeverisë Shqiptare për të transformuar mundësinë e paraqitur, për të dy palët, në një realitet të prekshëm për qytetarët e të dy vendeve.