Këshilli i Ministrive miraton kontratën e konçensionit për ndërtimin e një hidrocentrali të ri në Ashtë
- Miratohen kontratat dhe për ndërtimin e hidrocentralit “Bishnica 1”, “Bishnica 2”, “Holta Kabash” dhe “Holta Poroçan”
Këshilli i Ministrave miratoi në mbledhjen e sotme vendimin për miratimin e kontratës së konçensionit ndërmjet ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës dhe shoqërisë “Osterreichische Elektrizitatsëirtschafts – Aktiengesellschaft”, për ndërtimin, pronësinë, shfrytëzimin, mirëmbajtjen dhe transferimin e projektit të një hidrocentrali të ri në Ashtë, në Republikën e Shqipërisë.
Kryeministri tha se me këtë projekt merr fund tejzgjatja 18 vjeçare e këtij hidrocentrali, i cili, për arsye strikt ekologjike, nuk është më hidrocentrali i Bushatit . “Me synim mbrojtjen e ekosistemit të Bunës, të Drinit dhe të gjithë zonës, është vendosur që ky hidrocentral, ndër më efiçentët që mund të ndërtohet për shkak të kaskadës që ka, të ndërtohet mbi bazën e teknologjisë që jep mundësi të merret një sasi prej rreth 50 megavat energji, por duke respektuar plotësisht mjedisin dhe duke mos kërcënuar as fryrjet e tepërta të liqenit, apo mbi lagështi të Bushatit dhe zonave përreth”, u shpreh Kryeministri.
Në këtë mbledhje u miratuan vendimet përkatëse për kontratat e koncesionit dhe për një seri hidrocentralesh, të cilat kjo shoqëri, ndër më të mirat në Europë, do të ndërtojë me shoqëritë shqiptare, si hidrocentrali “Bishnica 1”, “Bishnica 2”, “Holta Kabash” dhe “Holta Poroçan”.Kryeministri vlerësoi se këto projekte janë një shembull i qartë se kompani të mëdha ndërkombëtare po punojnë në Shqipëri dhe po bashkëpunojnë me shoqëri shqiptare.
17/10/2008