E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti Topi viziton Universitetin e Studimeve "La Sapienca".

15 tetor 2008
Romë,
Itali

Sot pasdite Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi vizitoi Universitetin e njohur të Studimeve "La Sapienca" të Romës ku u prit dhe zhvilloi një takim të veçantë me Rektorin e porsazgjedhur, Prof. Luixhi Frati.

Gjithashtu Prof. Dr. Bamir Topi zhvilloi një takim të ngrohtë e miqësor edhe me Dekanin e Fakultetit të Letërsisë dhe Filozofisë, Prof. Guido Paskosolido, me profesorë dhe studentë të këtij institucioni të rëndësishëm të arsimit të lartë italian, të themeluar që në vitin 1303 dhe ku kanë studiuar e vazhdojnë të diplomohen shumë studentë shqiptarë.

Në përshëndetjen e tij me këtë rast, Presidenti Topi, duke iu drejtuar edhe studentëve të shumtë shqiptarë që ndodheshin aty për t’i uruar mirëseardhjen, theksoi mes të tjerash se: "kur e vizitova për herë të parë këtë Universitet më 15 tetor 1987, Shqipëria ishte e izoluar dhe studentët shqiptarë qenë shumë të paktë në numër. Sot Shqipëria është një vend i lirë, i hapur që synon të integrohet plotësisht në familjen e madhe europiane, dhe integrimi vjen edhe nëpërmjet universitetit, rretheve akademike, studentëve shqiptarë, të cilët studiojnë në Itali dhe që kapin shifrën prej 15 mijë vetësh. Në gjithë këtë rrugëtim integrues, vendit tonë i është dhënë një ndihmë e jashtëzakonshme nga profesorët e këtij universiteti të nderuar. Tashmë Shqipëria ka pësuar ndryshime pozitive marramendëse dhe gjendet më afër se kurrë Europës. Në gjithë këtë proces përafrimi, këto universitete, profesorët dhe studentët që diplomohen në to janë shndërruar në ura lidhjeje dhe bashkëpunimi".

* * *

Në përfundim të kësaj vizite, Kreu i shtetit vizitoi Qendrën e Studimeve Shqiptare të Fakultetit të Letërsisë dhe Filozofisë të Universitetit "La Sapienca" ku u njoh nga afër me punën shumëvjeçare dhe të rëndësishme akademike të kësaj Qendre, nga drejtuesi i saj me origjinë arbëreshe, Prof. Elio Mirako.

Më pas Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi vizitoi gjithashtu edhe
"Institutin Superior të Shëndetësisë" ku u prit nga Presidenti i këtij Instituti, Profesor Enriko Garaçi. Gjatë vizitës në "Institutin Superior të Shëndetësisë" Presidenti Topi i shoqëruar edhe nga deputetë dhe anëtarë të tjerë të delegacionit zyrtar falenderoi drejtuesit e këtij Instituti kaq të rëndësishëm në diagnostikim, në analiza dhe në luftën kundër sëmundjeve infektive, për ndihmesën e vazhdueshme dhënë vendin tonë gjatë gjithë viteve të vështira të tranzicionit. Në këtë takim u diskutua gjerësisht jo vetëm për luftën dhe masat kundër sëmundjeve infektive, por edhe për rritjen e sigurisë ushqimore dhe përafrimit të saj me standardet më bashkëkohore evropiane dhe botërore.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›