E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Sistemi bankar në Shqipëri nuk paraqet asnjë rrezik

- Mënyra e operimit të bankave në Shqipëri i bën ato shumë  më të sigurta. Ato kanë një specifikë shumë më të veçantë, ku nivelin e kreditit nuk e kanë më të madh sesa 60 apo 70 për qind të depozitave, ndërkohë që në perëndim, këto kreditime kanë qenë edhe 130 për qind të depozitave.   

Pas punimeve të samitit të Partive Popullore Europiane, në Bruksel, Kryeministri Berisha iu përgjigj interesimit të mediave lidhur me çështjet e diskutuara në samit. I pyetur mbi situatën financiare në Shqipëri dhe a ka ndikuar në të kriza ekonomike ndërkombëtare, Kryeministri u shpreh:

“Bankat që operojnë në Shqipëri janë banka 'bija' të bankave të mëdha dhe çdo zhvillim pozitiv në Europë ka, padiskutim, efekt pozitiv në sistemin bankar shqiptar. Para disa ditësh, jam informuar se një nga Departamentet e Komisionit ka shprehur opinionin me shkrim, ku thuhet se situata në Shqipëri dhe jo vetëm në Shqipëri, por edhe në rajon, nuk paraqet ndonjë rrezik të veçantë. Pra, gjendja e bankave që operojnë në Shqipëri, Reiffeisen Bank, San Paolo Intesa, bankat greke, Societe General, etj., sigurimi i tyre, i bën ato shumë më të sigurta.

Nga ana tjetër, bankat në Shqipëri kanë një specifikë shumë më të veçantë. Nivelin e kreditit nuk e kanë më të madh sesa 60 apo 70 për qind të depozitave, ndërkohë që  në perëndim, këto kreditime kanë qenë edhe 130 për qind të depozitave, gjë që ka krijuar problem të madh me likuiditetet. Banka e Shqipërisë dhe Shoqata e Bankerëve monitorojnë këtë situatë në mënyrë të vazhdueshme dhe situata është normale.

Pyetje: Ju folët për ndikimin pozitiv të këtyre bankave, nëse atyre u ndodhin zhvillime pozitive, por nëse ka efekte negative nga tregjet europiane, cili do të jetë koordinimi që qeveria shqiptare do të ketë me qeveritë e vendeve të tjera?

Kryeministri Berisha: Qeveria shqiptare do të koordinohet me të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Europian për të përshtatur qëndrimet më adekuate. Është shumë e rëndësishme që u arrit në një plan prej 6 pikash. Ky plan pritet që sot në darkë të diskutohet në Samitin Europian dhe të miratohet nga e gjithë zona. Bindja e përgjithshme është që plani është stabilizues. Këtë plan e ka miratuar Asambleja Kombëtare e Francës, sot e merr në diskutim Bundenstagu gjerman, e kështu me radhë. Pra, po bëhet një hap që synon të vendosë një disiplinë për bankat, të frenojë këtë që po ndodh dhe të krijojë një bazë të re të funksionimit të sistemit bankar.

Pyetje: A u mbështet në këtë samit ideja e krijimit të një sistemi supervizimi të bankave?

Kryeministri Berisha: Ideja që mbështetet sot është që bankat kanë supervizime, kanë edhe audite. Çështja qëndron te disa rregulla të tjera, të cilat nuk duhet të tejkalohen nga bankat, sepse, nëse një bankë jep kredi shumë herë më tepër sesa ka depozita, natyrisht, ajo krijon vështirësi shumë serioze. Pra, nuk është tregu që ka dështuar, por është abuzimi ose tejkalimi jashtë mase i tregut, ai që ka sjellë këto pasoja.


15/10/2008

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›