E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi inauguron në Torino Zyrën e Përfaqësimit të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë të Tiranës.

16 tetor 2008
Torino,
Itali

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i shoqëruar nga Zonja e Parë, Teuta Topi dhe në krye të një delegacioni të përbërë nga përfaqësues të qeverisë, parlamentit, të botës akademike dhe biznesit, vijoi sot vizitën zyrtare në qytetin verior italian të Torinos ku inauguroi Zyrën e Përfaqësimit të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës. Në prani të shumë përfaqësuesve italianë të botës së biznesit, të autoritetve vendore të qytetit të Torinos dhe rreth pesëdhjetë sipërmarrësve shqiptarë që e shoqërojnë gjatë kësaj vizite të rëndësishme historike, Presidenti Topi zbuloi pllakën në hyrje të godinës dhe preu shiritin e inaugurimit të kësaj Zyre Përfaqësimi të Biznesit dhe Komunikimit, e cila u kosiderua si një pikë kulmore në zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dhe shkëmbimeve tregtare mes dy vendeve tona.

Kreu i shtetit shqiptar u takua me Presidentin e Grupit "Intesa San Paolo" Enriko Salca dhe me një përfaqësi të zgjeruar sipërmarrësish italianë, kryesisht të rajonit të Piemontes, por edhe nga vise të të tjera të Italisë. Në këtë takim ishte i pranishëm edhe Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, zoti Gjokë Uldedaj.

Presidenti Topi pasi shprehu mirënjohjen për mikpritjen e ngrohtë dhe vlerësoi pozicionin dhe rolin e Grupit financiar "Intesa San Paolo", theksoi se, pas rritjes reale të standardeve ekonomike në Shqipëri, klimës pozitive për investime dhe kushteve e mundësive të favorshme fiskale, "ky është momenti i duhur për t’i zhvilluar akoma edhe më mirë marrëdhëniet dhe shkëmbimet ekonomike-tregtare me Italinë" në fusha të tilla si turizmi, agro-biznesi, infrastruktura, energjitika, sistemi bankar, etj.

Presidenti Topi vuri në dukje gjithashtu se pas marrjes së ftesës për në NATO, garancia dhe siguria që Shqipëria ofron për investitorët e huaj është gjithnjë e më e madhë dhe se vendi ynë radhitet si vendi i dytë i favorshëm për të bërë biznes nga raporti më i fundit i Bankës Botërore. Kreu i shtetit shqiptar u shprehu dhe i siguroi sipërmarrësit italianë se: "Shqipëria ju pret krahëhapur" dhe se vullneti politik për të lehtësuar të bërit biznes dhe mirëpritur investimet e huaja është maksimal, por për këtë duhen projekte konkrete zhvillimi dhe bashkëpunimi.

Nga ana e tyre, sipërmarrësit italianë, me në krye Presidentin e Grupit "Intesa San Paolo" zotin Salca, por edhe përfaqësuesit më në zë të Dhomës së Tregtisë së Torinos, Konfederatës Kombëtare të Sipërmarrjeve, Shoqatës Rajonale të Industrisë, Shoqatës së Promovimit dhe Zhvillimit të Territorit, theksuan se vizita e Presidentit Topi, i shoqëruar me sipërmarrës të rëndësishëm shqiptarë dhe hapja e Zyrës së Përfaqësimit në Torino konfirmojnë konsolidimin e marrëdhënieve ekonomike dhe politike dhe se marrja e ftesës për në NATO, reformat e gjithanshme dhe kushtet e tjera të favorshme, e bëjnë Shqipërinë një vend ideal për investime dhe tërheqjen e vëmendjes së investitorëve italianë, të cilët e konsiderojnë zhvillimin dhe tregtinë me Ballkanin Perëndimor si një prioritet të tyrin.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›