Këshilli i PD-së, emrat që ngrihen dhe rrëzohen për Kryesinë Qendrore
Eljona Ballhysa
Me zgjedhjen e anëtarëve të rinj të Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike në fillim u duk e lehtë për të evidentuar se cilët do të ishin anëtarët e rinj të Kryesisë Qendrore të selisë blu. Por burimet pohojnë të kundërtën. Sipas burimeve nga selia blu, një ndër shkaqet që është shtyrë prej disa muajsh konstituimi i Këshillit Kombëtar të PD-së ka qenë pikërisht gara e ashpër për postet e anëtarëve të Kryesisë Qendrore. Sipas burimeve, janë një sërë emrash që propozohen dhe ende kryetari i partisë nuk ka vendosur për listën e emrave për anëtarë të Kryesisë, të cilën duhet t’ia propozojë për votim Këshillit të ri Kombëtar të PD-së. Kjo strukturë e partisë ishte parashikuar të mblidhej në fillim të vitit, pra në muajin janar, por u shty për shkak të përmbytjeve në Shkodër. Më pas u tha se do të mblidhej në shkurt; sërish u shty për shkak të krizës politike në vend. Kryeministri Berisha, i pyetur pak ditë më parë se kur do ta mbledhë Këshillin e PD-së, u shpreh se mbledhja e parë e këtij forumi do të zhvillohet së shpejti dhe se gara për postet e anëtarëve të Kryesisë dhe sekretarëve do të jetë transparente. Gjithsesi, Berisha nuk bëri të ditur asnjë datë konkrete. Por, burimet nga selia blu rendisin disa emra që mund të përfshihen në listën e 25 anëtarëve të Kryesisë Qendrore.
Të rinjtë
Të rinjtë që pritet t’i shtohen Kryesisë Qendrore të PD-së janë pikërisht ata persona që janë investuar nga kjo parti muajt e fundit. Spikasin disa emra të rinj që më parë nuk kanë qenë pjesë e këtij forumi të lartë vendimmarrës të PD-së, siç është Kryesia Qendrore. Sipas burimeve, pritet që në Kryesinë e re të bëjë pjesë një ish-studente e Dhjetorit ’90, aktualisht deputete e PD-së, Mesila Doda. Pas saj pritet që anëtar i Kryesisë të bëhet me të drejtë vote Gerti Bogdani. Ky i fundit ka qenë pjesë e Kryesisë për shkak të postit si sekretar për Marrëdhëniet me Jashtë, por nuk ka pasur të drejtë vote. Bogdani bën pjesë në listën e 25 personave më të votuar të PD-së dhe pritet të jetë pjesë e Kryesisë së re. Pas tij vjen ish-zëvendësministri i Mbrojtjes, aktualisht deputet i PD-së, Gent Strazimiri. Ai pasohet nga aktorja deputete Rajmonda Bulku. Pas saj vjen një ish-këshilltare e kryeministrit Berisha, aktualisht deputete, Albana Vokshi. Pjesë e Kryesisë së re pritet të jetë prefekti i ri i Tiranës, Keltis Kruja, si dhe zëdhënësja e PD-së, Erla Mëhilli, e cila ka arritur të jetë pjesë e listës së 25 anëtarëve më të votuar të PD-së.
Rrezikojnë
Po kështu, sipas burimeve, rrezikojnë të mos jenë pjesë e Kryesisë së re një sërë ish-anëtarësh, të tillë si Leonard Demi, Mimoza Hasekiu, Liri Dibra, Margarita Qirko, Marieta Zaçe, Maksim Cikuli, Halit Shamata e Ilir Bano. Duke u nisur nga numri i votave, duket se edhe figura me rëndësi në PD rrezikojnë të mos jenë pjesë e Kryesisë, si Arben Imami, që është një prej themeluesve të PD-së. Edhe dy ish-drejtuesit e PDR-së, të saporikthyer në PD, Genc Pollo e Tritan Shehu, nuk bëjnë pjesë në 25-shen e parë të më të votuarve. Sigurisht, pritet që në Kryesi të mos bëjnë pjesë Aleksandër Biberaj e Omer Stringa, të cilët mbetën jashtë Këshillit Kombëtar duke mos marrë votat e duhura që të futeshin në listën e 100 anëtarëve fitues. Ndërkaq, pritet të jetë pjesë e Kryesisë kryetari i Degës së PD-s së Tiranës, Aldo Bumçi, i cili nuk ishte pjesë e zgjedhjeve për Këshillin Kombëtar, pasi kryetarët e degëve janë automatikisht pjesë e këtij forumi.
Pothuajse gjysma e anëtarëve të Kryesisë Qendrore të Partisë Demokratike pritet të lënë karriget në zgjedhjet e ardhshme. Burime nga selia blu kanë bërë të ditur për gazetën se ata anëtarë që nuk u rizgjodhën për Këshillin Kombëtar, nuk do të jenë më pjesë e Kryesisë Qendrore, pavarësisht se e kanë mbajtur këtë post më parë.
Deputetët e PD-së: Investimet nuk janë zbatuar me efektivitet
Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese miratoi dje marrëveshjen e huas ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim për financimin e projektit të rrugëve rajonale dhe lokale. Gjatë diskutimeve, deputetët ngritën disa shqetësime që kanë të bëjnë me kategorizimin e rrugëve dhe ndërtimin ose restaurimin e urave lidhëse. Ata nënvizuan se në praktikën e investimeve në rrugë, është konstatuar copëzimi i investimeve, duke ulur vlerën e tyre, ndërsa në rrugët rurale, pavarësisht ekzistencës apo nevojës për ura lidhëse, është konstatuar në disa raste se investimet nuk janë zbatuar me efektivitet. Përfaqësuesi i Fondit Shqiptar të Zhvillimit shpjegoi se tashmë është gati studimi i fizibilitetit që parashikon edhe inventarizimin e rrugëve dhe janë identifikuar disa rrugë të cilat, në bashkëpunim me Ministrinë e Transporteve, do të kategorizohen nga rrugë nacionale në rrugë sekondare, për shkak të ndryshimit të funksionit të tyre. Përsa u përket urave lidhëse, përfaqësuesi i FSHZH-së sqaroi se tashmë është përcaktuar si standard që kompania ndërtuese, të parashikojë në procesin e projektimin dhe zbatimit edhe ndërtimin apo restaurimin e urave lidhëse.
23 Prill 2010