E Diel, 1 Nëntor 2026

Brenda 2 muajve përfundon zgjedhja e kryetarëve socialistë në rrethe



Partia Socialiste, brenda 2 muajve, përfundon zgjedhjen e kryetarëve në rrethe dhe rinovimin e Asamblesë Kombëtare. Sipas sekretarit Organizativ të Partisë Socialiste, Blendi Klosi, ndryshimet statutore të miratuara në Kongresin e 18 prillit, sjellin domosdoshmërinë e riorganizimit të socialistëve në bazë. Referuar ndryshimeve të fundit në Statut, Klosi tha se PS-ja nuk ka ndryshuar program, ajo vijon të mbetet forcë e majtë. Aplikimi sipas parimit "një anëtar, një votë" është atribut vetëm për zgjedhjen e kryetarit të Partisë Socialiste në rreth dhe delegatëve të kongresit. Ai zgjidhet me votim të fshehtë nga mbledhja e zgjeruar e Asamblesë Socialiste të Rrethit. Kandidaturat për këtë post miratohen nga Kryesia e PSSH-së. Mandati kryetarit të PS-së së rrethit është 4-vjeçar. Ai është automatikisht dhe anëtar i Asamblesë Kombëtare. Në Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste të rrethit marrin pjesë kryetarët e bashkive dhe të komunave, kryetarët e këshillave përfaqësues të kësaj partie, kryetarët e grupeve të këshilltarëve socialistë, koordinatorët e forumit të grave, si dhe kryetarët e FRESSH-it dhe FGSH-së së rrethit. Pra, Statuti rikthen kryetarin socialist të rrethit dhe Asamblenë Socialiste të Rrethit, duke kufizuar rolin dhe kompetencat e strukturës socialiste të qarkut. Në këtë mënyrë bie funksioni i sekretarit rajonal të qarkut, duke fuqizuar rolin e rrethit.

23 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›