Riparohet defekti, rikthehet uji i pijshëm

Punonjësit e ujësjellësit në kryeqytet kanë arritur të riparojnë në orët e para të mëngjesit të sotëm defektin në pikën e Bovillës që la pa ujë 60 % të kryeqytetit. Defekti ndodhi gjatë një procesi rinovimi të tubacioneve dhe valvulave në pikën pranë rrugës Siri Kodra. Avaria e rëndë që ka zgjatur për rreth 12 orë , la pa ujë pjesën më të madhe të kryeqytetit ndërsa punonjësit e ujësjellësit kanë punuar përgjatë gjithë natës për të tejkaluar këtë defekt, duke i kthyer kështu ujin e pijshëm qytetarëve në Tiranë. Zëdhënësja e ujësjellësit bën me dije për "Ora News", se zgjidhja është provizore me qëllimin e vetëm për t'u kthyer ujin sa më shpejt qytetarëve të kryeqytetit dhe se javën tjetër do të synohet riparimi i plotë i saj. Edhe drejtori i kësaj ndërmarje Sahit Dollapi për "Ora News" në një lidhje direkte deklaroi se punonjësit do të punonin non stop deri në riparimin e plotë të defektit pa mundur të sqarojë se sa kohë mund të merrte ky proces.