Këshilli i Prokurorisë do të zgjedhë më 17 qershor tre anëtarët e rinj
TIRANË - Nga data 17 qershor, struktura e Këshillit të Prokurorisë Shqiptare do të ketë në përbërje të saj tre anëtarë të rinj. Burime zyrtare nga Prokuroria e Përgjithshme bënë të ditur të martën se përzgjedhja e tyre do të bëhet përmes procedurës së votimit, e cila do të zhvillohet më 17 qershor në mjediset e Hotel Tirana Internacional, ku do të mbahet konferenca e Prokurorisë. Sipas këtyre burimeve, tre anëtarët e rinj do të zëvendësojnë tre prokurorë, të cilëve u ka mbaruar afati në ushtrimin e kësaj detyre në Këshillin e Prokurorisë. Këshilli i Prokurorisë, një strukturë e rëndësishme pranë Prokurorisë së Përgjithshme për mbarëvajtjen e punës së këtij institucioni, përbëhet nga 7 prokurorë.
Ministri Nishani mbron vartësin në Komisionin e Sigurisë
TIRANË- Pezullimi i Krenar Ahmetit nga detyra e shefit të Komisariatit të Policisë Rrugore të Tiranës është komentuar dje në Komisionin e Sigurisë Kombëtare nga ministri i Punëve të Brendshme, Bujar Nishani. Sipas tij “askush, pavarësisht pozicionit që ka, nuk ka të drejtë të dhunojë njeriun e ligjit”. Nishani, pasi raportoi në komision, iu përgjigj interesimit të deputetëve lidhur me vendimin e Gjykatës së Tiranës për pezullimin nga detyra të shefit të Qarkullimit Rrugor, Ahmeti. “Kam vullnetin për të mbështetur çdonjërin që punon dhe respekton ligjet në fuqi. Pas pezullimit të z. Ahmeti nga Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë është bërë apelimi në Gjykatën e Shkallës së Dytë”, deklaroi ministri Nishani. Gjykata e Tiranës vendosi dje pezullimin nga detyra të kreut të Qarkullimit Rrugor të kryeqytetit, Krenar Ahmeti, pas një kërkese të Prokurorisë së rrethit. Kjo e fundit e drejtoi kërkesën në fjalë pas denoncimit të një prokuroreje dhe burrit të saj, të cilët e akuzuan Ahmetin për arbitraritet gjatë ushtrimit të detyrës.
11 Qershor 2008