E Diel, 1 Nëntor 2026

Spahiu, Krimeve të Rënda: “Asnjë mbështetje krimit të organizuar”



Në Gjykatën e Shkallës së Parë për Krime të Rënda prej disa ditësh ka filluar të ushtrojë funksionin e kryetarit të saj gjyqtari Dritan Halluni, i cili u prezantua dje nga zëvendëskryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu. Në përshëndetjen e drejtimit të ri të zgjedhur nga ana e Këshillit, Spahiu evidentoi pritshmërinë ndaj kryetarit aktual Halluni në ruajtjen dhe forcimin e standardeve të larta të drejtimit të trupës gjyqësore, standarde këto tashmë të vendosura nga kryetari i mëparshëm i kësaj gjykate, Sandër Simoni. Në fjalën e tij, zëvendëskryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë theksoi se “krijimi i Gjykatës për Krime të Rënda si një gjykatë me integritet, - e veçuar me ligj nga gjykatat e zakonshme dhe e justifikuar me veprimtarinë e saj antikorruptive, - është një fillim i mbarë në një epokë të etur për drejtësi”. Në mënyrë të veçantë, zoti Spahiu shprehu vlerësime të larta për punën e mirë që është bërë në drejtim të rritjes së aksesit të publikut dhe të vizibilitetit që kjo gjykatë reflekton, duke u kujtuar në të njëjtën kohë gjyqtarëve se rëndësia e komunikimit dhe harmonisë profesionale të trupave gjyqësore është garanci si për një cilësi të lartë si të procesit të gjykimit, ashtu edhe të vendimmarrjes. Këshilli i Lartë i Drejtësisë, tha Spahiu, e konsideron Gjykatën për Krime të Rënda si një mekanizëm efikas për të luftuar krimin e organizuar dhe trafiqet, ndaj përbërja e kësaj gjykate është paraprirë nga një proces përzgjedhës mes gjyqtarëve të karrierës. Jo vetëm profesionistë, por edhe të privilegjuar nga vetë ligji, ka vënë në dukje Spahiu, i cili u kujtoi gjyqtarëve të pranishëm se kanë përfituar lehtësi financiare nëpërmjet kredive të ulëta, ndërsa ende nuk u janë akorduar përfitime të tilla gjyqtarëve të Apelit për Krime të Rënda, të cilët gjykojnë një nivel më lart. Në mënyrë të veçantë, zëvendëskryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë cilësoi rëndësinë e konfidencialitetit profesional, duke u kërkuar gjyqtarëve diskrecion të plotë në emër të ligjit si gjatë procesit të vendimmarrjes edhe pas tij. Duke goditur fenomenin negativ të postkomenteve mbi votimin e secilit gjyqtar në marrjen e vendimeve, Spahiu u shpreh se “Drejtësia penale është zona më e brishtë e autoritetit gjyqësor ku gjykata duhet të transmetojë unitet në qëndrim edhe kur vendimi nuk ka qenë unanim, ndërsa Dhoma e Këshillimit është tempulli, brenda të cilit, Drejtësia kur jepet, nuk duhet të vihet më pas në diskutim as nga vetë dhënësit e saj”. Në kuadër të reformës për drejtësi, u evidentua predispozita që Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka, për të përcjellë zërin e gjyqtarëve në ndryshime përmirësuese të ligjit: si për të zgjeruar rrethin e atyre veprave penale që janë objekt i veprimtarisë së gjykatave për krime të rënda, ashtu edhe për parashikimin ligjor të masave parandaluese kundër zvarritjeve të gjykimit, siç mund të ishte penalizimi i palëve që shkaktojnë shtyrje të pajustifikuara të procesit gjyqësor.

11 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›