E Diel, 1 Nëntor 2026

Organi i Akuzës, 4 volume me dokumente në Kuvend për imunitetin e Mediut



TIRANË - Prokuroria e Përgjithshme dërgoi dje në Kuvendin e Shqipërisë një material voluminoz, një pjesë e të cilit ishte paraqitur dhe më parë, për të marrë autorizimin për të ndjekur penalisht ish -ministrin e Mbrojtjes, deputetin republikan Fatmir Mediu lidhur me ngjarjen e 15 marsit në Gërdec. Përmes një njoftimi për shtyp, Prokuroria e Përgjithshme bëri të ditur se, “në përgjigje të kërkesës të Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin pranë Kuvendit të Shqipërisë për dokumente shtesë, Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm i dërgoi sot këtij këshilli katër volume me dokumente”. Sipas Prokurorisë së Përgjithshme, në këto volume përfshihen dokumentet që Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm ia kishte vënë në dispozicion më parë këtij këshilli dhe të cilat u ridërguan sipas kërkesës së tij, duke shtuar edhe pjesën tjetër të dokumenteve që kërkohej, në të cilat përfshihen edhe disa dokumente të sekuestruara në vazhdim të hetimeve dhe pas paraqitjes së kërkesës së Prokurorisë në Kuvend. “Prokuroria po vazhdon hetimet dhe po ushtron ndjekje penale ndaj disa personave, civilë dhe ushtarakë, në lidhje me ngjarjen e rëndë të ndodhur më 15 mars në Gërdec dhe siguron se është e vendosur që në pavarësi të plotë në vendimmarrjen e saj, të vërë përpara përgjegjësisë çdo person të përfshirë në këtë proces, që ka kryer vepër penale”, - thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Përgjithshme.

11 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›