Këshilli i Prokurorisë i dërgon katër emra kryeprokurores Rama për drejtues në Durrës

TIRANË- Anëtarët e Këshillit të Prokurorisë së Përgjithshme, i propozojnë katër emra kryeprokurores Ina Rama për drejtues në Prokurorinë e Rrethit Durrës, duke i lënë asaj të vendos. Ky lajm konfirmohet nga burimet zyrtare nga Këshilli i Prokurorisë, të cilët saktësuan se pas votimit për emrin e ri të drejtuesit të Prokurorisë Durrës, votat e anëtarëve u shpërndanë tek katër nga 15 kandidatët konkurrues. Kështu, sipas votimit të gjashtë anëtarëve të këtij këshilli, pasi njëri prej tyre ishte kandidatë dhe nuk kishte të drejtën e votës, aktualisht drejtues i Prokurorisë së Fierit prokurori Altin Binaj dhe prokurori i Prokurorisë së Durrësit Ardian Ylli morrin nga dy vota secili.
Ndërsa nga një votë morën Përparim Kulluri aktualisht drejtues i Prokurorisë së Shkodrës si dhe Adnan Xholi aktualisht prokuror i Prokurorisë së Krimeve të Rënda në Tiranë. Ndërsa 11 kandidatët e tjerë nuk munden të siguronin asnjë votë, çka bëri që anëtarët e Këshillit t'i propozojnë kryeprokurores Ina Rama emrat e katër kandidatëve pasi asnjëri prej tyre nuk morri shumicën.
Pritet që tashmë kryeprokurorja Rama të bëj përzgjedhjen e njërit prej katër kandidatëve që më pas me miratimin edhe të Presidentit të Republikës Bamir Topi të emërohet në krye të Prokurorisë së Durrësit, vend vakant ky që pas dorëheqjes së prokurorit Arian Ndoja. Ndërkohë, për këtë vend vakant anëtarët e Këshillit të Prokurorisë kanë pranuar dhe shqyrtuar gjithsej 15 kërkesa të prokurorëve të ndryshëm, me pozicione drejtues të Prokurorive në Rrethe, drejtues të njësisë së task-forcës së krijuar në rrethe dhe prokuror të thjeshtë. Të gjithë këta kandidatë i janë nënshtruar një verifikimi të hollësishëm nga anëtarët e Këshillit të cilët në mbledhjen e djeshme kanë marr në shqyrtim të gjitha kërkesat një nga një, por që më pas janë votuar në bllok të gjitha. Nga votimi vetëm katër prej tyre kanë mundur të fitojnë vota për të shkuar në tryezën e kryeprokurores Rama për të vendosur për emrin e ri të drejtuesit të Prokurorisë së Rrethit Durrës.
KANDIDATËT
Altin Bino, aktualisht drejtues i Prokurorisë së Fierit, dy vota
Përparim Kulluri, aktualisht drejtues i Prokurorisë së Shkodrës, një votë
Adnan Xholi, aktualisht prokuror i Prokurorisë së Krimeve të Rënda në Tiranë, një votë
Ardian Ylli, aktualisht prokuror në Durrës, dy vota