E Diel, 1 Nëntor 2026

Tre vëllezër në pranga, kapen 2.8 kg heroinë

Policia bllokoi lëndën narkotike, pas një kontrolli në banesën e të arrestuarve të cilët më parë kishin pasur një konflikt me një banor në fshat

Droga ishte fshehur në një kovë me kripë në papafingon e vilës katër katëshe ku banonin vëllezërit

TIRANË- Vëllezërit grinden për femrat me një person të tretë, policia iu kap 2.8 kile heroinë, ndërsa policia arreston tre vëllezërit të cilëve iu gjet në banesë kjo sasi droge e fshehur në një kovë kripe në papafingon e vilës së tyre në fshatin Farkë të Vogël në periferi të kryeqytetit. Ngjarja ndodhi dje në mesditë, në kodrat e Liqenit të Farkës, u zbulua një sasi prej 2. 8 kilogramë heroinë dhe një sasi të konsiderueshme municionesh, e cila ishte e fshehur në banesën e tre vëllezërve që u prangosën nga Policia e kryeqytetit. Droga është zbuluar nga komisariati i Policisë nr.1, të cilët kishin mbërritur në banesë menjëherë pas konfliktit të lajmëruar. Pas ndërhyrjes së policisë dhe gjetjes së mallit nga ana e saj, u arrestuan Artan dhe Alfred Qefalia, 26 vjeçarë, si dhe vëllai tjetër i tyre Kujtim Qefalia, 37 vjeç, fadromist, të cilët banonin në një banesë katër katëshe në fshatin Farkë e Vogël. Sipas policisë, Albert Qefalia, një nga tre vëllezërit e arrestuar, është dënuar më parë.

Fillimisht tre vëllezërit u ndaluan dje nga Seksioni i Krimeve Kundër Jetës dhe Shëndetit, pasi ishin persona të dyshuar si autorë të plagosjes me sende të forta të dy bashkëmoshatarëve të tyre, pas një konflikti të ndodhur në Kodrat e Liqenit të Farkës. Identifikimi dhe arrestimi i tre vëllezërve u bë pas njoftimit që mori Policia e Tiranës për dy personat e plagosur që kishin mbërritur për ndihmë mjekësore në Spitalin Ushtarak, dje rreth orës 11.00. Por historia e kësaj ngjarjeje nuk do të përfundonte me kaq, pasi gjatë kontrollit të ushtruar nga efektivat e Policisë së Komisariatit nr. 1 në banesën e vëllezërve Qefalia, u gjetën rreth 2.8 kilogramë lëndë narkotike e dyshuar si heroinë.

Pasi uniformat blu kanë konstatuar se në banesë ndodhej lënda e dyshuar si heroinë kanë njoftuar oficerët e Antidrogës në Policinë e kryeqytetit, të cilët sekuestruan sasinë e heroinës dje rreth orës 16.00 dhe kryen arrestimin e tre vëllezërve që banonin në Farkë. Nga kontrolli i ushtruar, Policia gjeti edhe një sasi të konsiderueshme municionesh luftarakë. Artan, Alfred dhe Kujtim Qefalia pas arrestimit u morën në pyetje nga agjentët e strukturave të Antidrogës për t'u pyetur për origjinën e heroinës dhe destinacionin e saj. Pas sekuestrimit të sasisë prej 2.8 kilogramë të dyshuar si heroinë, Policia ka nisur hetimet për vendin ku është porositur droga, si dhe destinacioin e saj në Tiranë.

Nga hetimet paraprake dyshohet se droga e kapur dje në Farkë dyshohet se ishte bërë gati për t'u shpërndarë në disa zona të kryeqytetit, por hetimet e mëtejshme do të zbardhin destinacionin përfundimtar të saj. Mësohet se Policia po heton për persona të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari të paligjshme, por edhe për motivet e konfliktit që çoi në zbulimin e drogës. Nga burimet zyrtare të Policisë mësohet se hetimet do të vazhdojnë edhe nga Prokuroria e Tiranës, për të zbardhur plotësisht destinacionin përfundimtar të heroinës së sekuestruar. Tre vëllezërit Qefalia akuzohen për veprat penale të shitjes dhe prodhimit të lëndëve narkotike dhe armëmbajtjes pa leje.

Vëllezërit e arrestuar
Artan Qefalia, 26 vjeç
Alfred Qefalia, 26 vjeç
Kujtim Qefalia, 37 vjeç

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›