Del nga shinat një vagon treni i linjës Shkodër-Tiranë

Lezhë/ Një tren me rreth 100 udhëtarë ka pasur probleme sapo ka kaluar stacionin e qytetit të Lezhës
LEZHË - Treni i linjës së udhëtarëve Tiranë-Shkodër pas ndalesës në stacionin e udhëtarëve në Lezhë në orën 15:30 është nisur në drejtim të Shkodrës. Vetëm 15 minuta më vonë është rrezikuar seriozisht jeta e mbi 100 udhëtarëve, pasi një vagon ka dalë nga shinat. Ngjarja ka ndodhur në orën 15:45 rreth 2 km larg qytetit të Lezhës në të hyrë të fshatit Mërqi. Treni po udhëtonte me 3 vagona dhe vagoni i mesëm ka dalë nga shinat. Sipas burimeve në vendngjarje shkak për këtë është amortizimi i rrjetit hekurudhor, pasi traversat janë tërësisht të kalbura dhe thuajse jashtë funksionit. Udhëtarët i ka kapur paniku dhe janë ndier seriozisht të rrezikuar. Vendi ku ka ndodhur aksidenti hekurudhor është një kthesë e madhe e quajtur Kthesa e Grykë-Zezës dhe treni qarkullon me shpejtësi tepër të ulët dhe fatmirësisht kjo ka bërë që të mënjanohet ndonjë tragjedi, pasi edhe argjinatura ku ngrihet hekurudha është tepër e lartë dhe në rast se treni do të kishte qenë duke lëvizur me shpejtësi të madhe pasojat do të ishin të rënda. Pas një 1 ore e gjysmë treni është nisur vetëm me vagonin e parë në drejtim të Shkodrës ku u akomoduan të gjithë udhëtarët, pasi numri i atyre që lëvizin me tren nuk është dhe aq i lartë. Largimi i lokomotivës me vagonin e parë i hapi rrugë një "treni vinç" që të bëjë të mundur vendosjen e vagonit në shina. Aksidentet hekurudhore pas atyre automobilistike po shndërrohen në një tjetër problem. Shkak për këtë po bëhen mungesa e mbikalimeve dhe e sinjalistikës. Ndërsa dalja e vagonave nga shinat vjen si rezultat i amortizimit të rrjetit hekurudhor gjë që ka çuar edhe në pasigurinë e udhëtarëve pasi numri i tyre gjatë këtyre viteve është reduktuar së tepërmi.