E Diel, 1 Nëntor 2026

Këshilli i Qarkut padit Bashkinë e Pogradecit, fiton shkallën e parë të gjykimit Vendorët nuk derdhin kontributin financiar për Këshillin e Qarkut KORÇE- Njësi të qeverisjes vendore, bashki dhe komuna

23/07/2010 Këshilli i Qarkut padit Bashkinë e Pogradecit, fiton shkallën e parë të gjykimit

KORÇE- Njësi të qeverisjes vendore, bashki dhe komuna të rajonit Korçë, nuk pranojnë të derdhin kontributin financiar për llogari të Këshillit të Qarkut Korçë, edhe pse një gjë e tillë është e parashikuar nga ligji “Për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore”. Por nëse te këto bashki dhe komuna, përgjithësisht ndihet një farë përpjekje në këtë drejtim, Bashkia e Pogradecit qëndron në krye të listës për mosderdhjen e kontributit. Edhe pse tashmë nga ky vit kanë kaluar gati 7 muaj, Bashkia e Pogradecit nuk ka dhënë qoftë edhe një qindarkë të vetme, madje jo vetëm kaq, kryetari i saj, Artan Shkëmbi, ka këmbëngulur që në fillim të vitit se nuk do t’i përgjigjej këtij detyrimi ligjor, sepse ai nuk e njeh Këshillin e Qarkut, dhe duke iu përmbajtur deklarimit të tij, Shkëmbi, deri më sot nuk ka marrë pjesë në asnjë mbledhje të Këshillit të Qarkut Korçë, dhe mesa duket do të vazhdojë të mos jetë i pranishëm në këto mbledhje

Por ndërsa mosderdhja e kontributit financiar nga ana e Bashkisë Pogradec vazhdonte me të njëjtën këmbëngulje, Këshilli i Qarkut Korçë, duke mos pasur mundësi tjetër, e paditi atë në gjykatë. Tashmë nga ana e Këshillit të Qarkut u deklarua se ky institucion, (Këshilli i Qarkut) e ka fituar gjyqin në Gjykatën e Shkallës së Parë, por çështja aktualisht i ka kaluar Gjykatës së Apelit. Pritet që shumë shpejt edhe Gjykata e Apelit të japë vendimin e saj, por për Këshillin e Qarkut Korçë ky gjyq është i fituar, sepse gjithçka mbështet në ligj. Veç kësaj titullari i këtij institucioni, Ilia Milo, ka vënë në dijeni edhe ambasadorin e OSBE-s në Tiranë, Robert Bosch, për gjithë marrëdhëniet e krijuara mes Këshillit të Qarkut Korçë dhe kryetarit të Bashkisë Pogradec, Artan Shkëmbi, madje Bosch është vënë në dijeni edhe për deklaratat e bëra nga ana e Shkëmbit, si dhe për mospjesëmarrjen e tij në mbledhjet e Këshillit të Qarkut Korçë.

Por nëse për vitin 2010 Këshilli i Qarkut Korçë kishte planifikuar 35 milionë lekë nga kontributi financiar i bashkive dhe komunave, për 6-mujorin e këtij viti janë arkëtuar vetëm 3 milionë lekë, çka do të thotë se një pjesë e komunave dhe bashkive ose kanë kontribuar pak, ose aspak, si Bashkia e Pogradecit. Megjithatë, pas vendimit të Gjykatës së Apelit, shpresohet që ky moszbatim ligji do të marrë fund e të mos spekulohet me interpretime. V. Hasani

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›