E Diel, 1 Nëntor 2026

Këshilli i Sigurimit diskuton për Kosovën

 

Këshilli i Sigurimit në Kombet e Bashkuara mblidhet sot për të diskutuar mbi gjendjen në Kosovë. Në takimin në Nju Jork, do të shqyrtohet raporti i sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-Mun. Kosova do të përfaqësohet nga ministri i Jashtëm Skënder Hyseni, ndërsa qëndrimet e Beogradit do t’i paraqesë presidenti serb, Boris Tadiç. Para nisjes në Nju Jork, Hyseni i tha radios “Evropa e Lirë”, se do të kërkojë shuarjen e misionit të UNMIK-ut në Kosovë. Në një intervistë për REL, pak para nisjes në Nju Jork, Hyseni ka deklaruar se do të kërkojë nga sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, që të shuajë ekzistencën e misionit UNMIK në Kosovë, pasi edhe sipas analistëve në vend ai pengon zhvillimin e pavarësisë dhe të demokracisë në Kosovë. “UNMIK-u duhet ta përmbyllë misionin në Kosovë dhe gjithsesi ne do të kërkojmë që rikonfigurimi i UNMIK-ut të përmbyllet sa më parë që të jetë e mundur”, tha Hyseni. Duke rrëfyer mbi raportin e tij, Hyseni u shpreh se dokumenti i tij do të përqendrohet kryesisht në të arriturat dhe në zhvillimet në Kosovë në mes të dy seancave të Këshillit të Sigurimit për Kosovën; “do të flas pak më në detaje për të gjitha zhvillimet kryesore, e të tilla ka mjaft. Në këtë periudhë kemi pasur aprovim të një numri të madh të ligjeve për ndërtimin e institucioneve të pavarura të shtetit të Kosovës, pastaj kemi pasur themelimin e një numri institucionesh shumë të rëndësishme, që ndonjëherë unë i quaj palcë kurrizore e shtetit, siç është Shërbimi Inteligjent, Këshilli i Sigurisë i Kosovës, pastaj Ministria e Mbrojtjes ose Ministria e Forcës së Sigurisë e kështu me radhë. Po kështu, do të përqendrohem edhe në gjendjen e përgjithshme të sigurisë në Kosovë, duke vënë theksin te gjendja e sigurisë dhe gjendja përgjithësisht në veri të Kosovës dhe në ato pjesë të shtetit të Kosovës, ku ende nuk ka një kontroll të plotë dhe të mirëfilltë të institucioneve në tërësi. Kjo do të jetë pak a shumë përmbajtja e fjalës sime në Nju Jork”, tha Hyseni.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›