“SHBA të instalojë mburojën antiraketore”
Polonia shprehu dëshirën që administrata e re amerikane të mos i braktisë planet për stacionimin e mburojës antiraketore në territorin polak. Ministri i Jashtëm Radoslaw Sikorski tha në një konferencë në Bruksel se Varshava ka marrë një “lloj rreziku politik” me nënshkrimin e marrëveshjes me administratën e ish-presidentit të SHBA-ve, Xhorxh Bush për vendosjen e sistemit në territorin e saj. Administrata e Presidentit Barak Obama aktualisht po e rishqyrton politikën e sigurisë së Shteteve të Bashkuara, përfshirë dhe planin për mburojën antiraketore, i cili kundërshtohet nga Rusia. Ndërsa çështja është pezulluar nga Shtetet e Bashkuara derisa Obama të marrë një qëndrim konkret mbi këtë çështje, Rusia ka këmbëngulur për pezullimin përfundimtar të saj, duke “kërcënuar tërthorazi” për baza raketore ruse në republikat e vogla të ish-Bashkimit Sovjetik.