Ndërkombëtarët e kandidatët brohorasin suksesin e zgjedhjeve
Përfaqësuesit ndërkombëtarë, të cilët kanë ndjekur me shumë kujdes procesin zgjedhor në Maqedoni, pas paralajmërimeve se ky është një shans shumë i fortë për këtë vend, për të treguar se ia vlen të integrohet në NATO dhe BE, i kanë vlerësuar si pozitive zgjedhjet e djeshme presidenciale dhe ato lokale.Ambasadori i BE-së, Ervan Fuere, duke u impresionuar nga koha, këto zgjedhje i ka quajtur të “bardha si bora”. “Nga ajo që pamë duket se gjithçka është në rregull, janë bërë përpjekje të mëdha nga ana e këshillave vendore, që procesi zgjedhor të fillojë me kohë dhe mbarëvajtja të jetë e kënaqshme”, tha ambasadori i BE-së, Ervan Fuere. Edhe ambasadori amerikan, Filip Riker, i cili ka vëzhguar nga afër realizimin e zgjedhjeve në rajonin e Tetovës i ka vlerësuar si mjaft pozitive zgjedhjet e kësaj radhe, si ato lokale edhe presidenciale. “Deri tani situata është mirë; kjo është demokracia dhe kjo është ajo që çdo shtetas i Maqedonisë dëshiron dhe meriton”, ka deklaruar ambasadori i SHBA-së në Maqedoni. Entuziast për zgjedhjet kanë qenë edhe vetë kandidatët për president. Kandidati i BDI-së, Agron Buxhaku, deklaroi se zgjedhjet ishin shumë demokratike. “Pres ashtu siç ka qenë deri më tani - përkrahje për BDI-në dhe për mua personalisht, e jam i bindur në fitoren time në vendlindjen time, në Dibër”, ka thënë ai. Kandidatja e Partisë Demokratike Shqiptare, Mirushe Hoxha, tha se dita e zgjedhjeve ishte ditë e demonstrimit të vlerave demokratike. “Është një ditë solemne dhe shpresoj që zgjedhjet të kalojnë në frymë dhe atmosferë demokratike edhe pas përfundimit të procesit të votimit, të përpiqemi të gjithë që ta krijojmë këtë atmosferë”, tha Hoxha. Kandidati i pavarur, Lube Boshkovski, deklaroi se Maqedonia me këto zgjedhje e kaloi provimin e demokracisë. “Sipas të gjithë analistëve vendas dhe sipas opinionit ndërkombëtar, posaçërisht Bashkimit Evropian, zgjedhjet janë një provim i demokracisë maqedonase. Unë mendoj dhe jam i bindur se e kemi kaluar provimin”, tha Boshkovski. Zgjedhjet për president për herë të parë u mbajtën sipas Kodit të ri Zgjedhor. Për kryetar do të zgjidhet kandidati, që do të fitojë shumicën e votave të numrit të përgjithshëm të votuesve të evidentuar në listën zgjedhore. Zgjedhjet u ndoqën nga një numër i madh i vëzhguesve të vendit dhe të huaj. Janë akredituar 6.981 vëzhgues, prej të cilëve pjesa dërrmuese janë nga Asociacioni Most dhe 550 vëzhgues të huaj, pjesa dërrmuese nga OSBE.
Ali Ahmeti: Nuk ka rëndësi kush fiton, nuk duam incidente
Kreu i partisë shqiptare në koalicionin qeveritar të kryeministrit Nikola Gruevski, Ali Ahmeti i Bashkimit Demokratik për Integrim ka shprehur dëshirën dhe ka bërë thirrje për zhvillimin e zgjedhjeve të lira e pa incidente. Liderët shqiptarë kanë votuar në zonat shqiptare. Vetë kreu i Partisë së Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka votuar në fshatin Zajaz për zgjedhjet presidenciale dhe ato lokale. Sipas Ahmetit, është shumë e rëndësishme për Maqedoninë dhe të gjitha etnitë që e përbëjnë atë, që këto zgjedhje të zhvillohen në mënyrë demokratike dhe ka kërkuar nga votuesit që të mos përfshihen në incidente.
“Është shumë e rëndësishme, që këto zgjedhje të jenë të qeta dhe të zhvillohen në mënyrë demokratike. Zgjedhjet e 22 marsit janë shumë të rëndësishme për Republikën e Maqedonisë dhe integrimin e saj në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Nuk është e rëndësishme se kush do të fitojë, por më e rëndësishme është që të mos ketë incidente, sepse vetëm kështu do të fitojë Republika e Maqedonisë”, deklaroi kreu i BDI-së Ahmeti. Liderët shqiptarë janë thirrur të gjithë në një takim me përfaqësuesit ndërkombëtare pak ditë para fillimit të zgjedhjeve, ku janë zotuar se do të përpiqen me të gjitha forcat për të evituar incidentet në zgjedhje. Në zgjedhjet e kaluara, zgjedhjet e përgjithshme të Maqedonisë, ishte kryesisht etnia shqiptare në këtë vend, që u përfshi në incidente edhe të dhunshme, ku humbi jetën një person. Zgjedhjet e shkuara u dënuan nga ndërkombëtarët dhe u bënë një rrezik serioz për integrimin e Maqedonisë në strukturat euroatlantike e BE.
Imer Selmani:Fitoftë më i miri
Kandidati më i rëndësishëm për këto zgjedhje presidenciale në Maqedoni, Imer Selmani si përfaqësuesi i Partisë “Demokracia e Re” ka deklaruar se është shumë e rëndësishme, që në Maqedoni të fitojë demokracia. Selmani është komentuar nga mediat e huaja si: “Obama i Maqedonisë”, pasi është përfaqësuesi i etnisë më të shkelur në Maqedoni, shqiptarëve dhe është një kandidat i fortë me një program të saktë elektoral, siç u pasqyrua gjatë fushatës së tij. Parashikohet që Selmani të jetë një nga garuesit e fazës së dytë të zgjedhjeve presidenciale, që do të zhvillohet më 5 prill, pasi votat e tij janë shumë afër kandidatit të Unionit Social Demokrat, Ljubomir Fërçkovski. “Demokracia do të fitojë në Maqedoni”, tha kandidati shqiptar për president, pasi ka votuar në qendrën e votimit në fshatin Sisevo të Shkupit. “Ne bëmë shumë për të siguruar zgjedhje të ndershme dhe demokratike. Shpresoj që barrierat etnike të rrëzohen dhe njerëzit të votojnë për vizionin”, tha Selmani, duke shtuar se shpresonte se do të fitonte më i miri në zgjedhje të ndershme dhe të qeta. Ndërsa rivali më i fortë i tij në pikët e parashikuara nga sondazhet, Fërçkovski, tha se: “Zgjedhjet e sotme janë shumë të rëndësishme për Maqedoninë dhe shpresoj që votimet të jenë të lira dhe të qeta”, tha ai për median, pasi hodhi votën në qendrën e votimit në bashkinë Kisela Voda në Shkup. “Ne kemi ide të ndryshme se si Maqedonia duhet të ecë në të ardhmen. Njerëzit duhet të zgjedhin atë çfarë ato mendojnë se është më e mirë për ta”, shtoi Fërçkovski.
Pa fitues, kandidatët për president drejt betejës së dytë
Qendrat e votimit në Maqedoni për zgjedhjet presidenciale dhe lokale u mbyllën rreth orës 19:00 pa incidente, duke lehtësuar ankthin e liderëve maqedonas për zgjedhjet, që janë vlerësuar si një tregues i lartë mbi aftësinë e vendit për t’u anëtarësuar në BE.
Sipas “exit polle”-ve të para, kandidati me përqindjen më të lartë të votave është kandidati i partisë VMRNO-DPMNE, George Ivanov, me rreth 30 për qind të votave. Kjo sasi, edhe pse është më e madhja nga votat e marra nga kandidatët e tjerë nuk mjafton për ta quajtur fitues Ivanovin, gjë që do të thotë se pas 14 ditësh do të zhvillohet raundi i dytë i presidencialeve. Më pesë prill pritet që Ivanov të përballet me një kandidat tjetër, që ka shumë gjasa të jetë edhe shqiptari, Imer Selmani. Për garën e dytë presidenciale Selmani konkurron fort me kandidatin e Lidhjes Social-Demokrate, Lubomir Fërçkovski, i cili parashikohet të jetë pak pikë përpara tij. Megjithëse, zgjedhjet presidenciale në zonat shqiptare kaluarën të qeta e pa incidente, shqiptarët e Maqedonisë treguan edhe një herë, se janë të përçare dhe nuk mund të kenë një linjë politike, që shërben në mbrojtje të etnisë dhe interesave të saj. Nëse partitë shqiptare të Maqedonisë do të paraqiteshin me një kandidat të vetëm, atëherë ai do të merrte të paktën 25 për qind të votave, që do të ishin votat e të gjithë shqiptarëve. Por kjo përqindje u nda në tre kandidatë, duke i dhënë më pak mundësi Selmanit ta ketë të sigurt edhe pjesëmarrjen në raundin e dytë të presidencialeve në Maqedoni. Gjithçka do të vërtetohet sot, kur Komisioni Zgjedhor Maqedonas të japë rezultatet zyrtare. Sipas të gjitha gjasave fituesi do të jetë përfaqësuesi i Partisë në pushtet, duke përforcuar kështu politikën e kryeministrit Nikola Gruevski. Kjo do të thotë se Greqia ka pak gjasa të shpresojë për një zgjidhje të shpejtë të konfliktit të emrit më Maqedoninë pasi koalicioni qeveritar, me një politikë “antigreke” në këtë drejtim, nëse do të ketë edhe presidentin nga ana e vet, do ta bëjë shumë më të vështirë realizimin e aspiratës së Greqisë për të ndryshuar emrin tashmë Kushtetues të Maqedonisë. Sidoqoftë, zgjedhjet u konsideruan sukses për Maqedoninë, pasi kaluan pa incidente. Pjesëmarrja në votime nuk u karakterizua nga shifra të larta, por e kaloi 50 për qindëshin, duke bërë që domosdoshmërisht, sipas ligjit maqedonas, zgjedhjet të quhen të vlefshme. Komisioni Shtetëror Zgjedhor ka njoftuar se 102 vendvotime (12 mijë votues), që përbëjnë më pak se 1 për qind e votuesve nuk kanë funksionuar, për shkak të reshjeve të forta të dëborës. Qendrat e votimit u hapën në orën 7:00 me orën lokale, pas një fundjave të mbushur me reshje të dendura dëbore në veri dhe perëndim të vendit, në zonat malore. Organizata që vëzhgojnë procesin zgjedhor njoftojnë për parregullsi në disa vendvotime, që kanë të bëjë kryesisht me tentativë për mbushje kutish apo votim familjar. Por Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) ka bërë të ditur, se procesi është zhvilluar me pak incidente të parëndësishme.
Thaçi: M’i vret sytë kaq shumë polici
Kreu i partisë më të madhe shqiptare në opozitë, PDSH-së, Menduh Thaçi, ka bërë thirrje për votim të drejtë e të qetë, por ka kritikuar pjesëmarrjen e lartë të trupave të policisë dhe të ushtrisë maqedonase, sidomos pranë qendrave të votimit ku votonin shqiptarët. Në Tetovë, qytetin e banuar kryesisht nga shqiptarët, procesi i votimit është zhvilluar zhvillohet normalisht dhe pa incidente. Megjithatë, Thaçi, pasi votoi kritikoi praninë e madhe të forcave policore pranë qendrave të votimit duke e vlerësuar situatën të ngjashme me atë të një shteti policesk. “Prania e tyre na pengon pasi jep imazhin e një shteti policor, kur shohim uniformat policore e ushtarake në qendrat e votimit. Megjithatë, besoj se zgjedhjet do të jenë të rregullta”, u shpreh Thaçi, duke shtuar se ushtarët e policët në qendrat e votimit janë një imazh shume i keq për Maqedoninë. Thaçi ishte i vetmi lider politik i shqiptarëve të Maqedonisë që ka votuar në Tetovë.
Cërvenkovski: Na duhet paqe për prestigjin e identitetin tonë
Presidenti aktual i Maqedonisë, Branko Cërvenkovski gjatë votimit të tij për kandidatin e preferuar presidencial dhe lokal, por edhe më pas gjatë ditës, u ka bërë thirrje të gjitha etnive në Maqedoni, politikanëve dhe simpatizantëve të së gjitha partive politike në vend, që të zhvillojnë një proces të qetë e paqmë në votimin e 22 marsit. Ai tha se shpresonte në zhvillimin e zgjedhjeve të qeta, demokratike, pa incidente dhe probleme. “Një situatë e tillë na duhet për të treguar e respektuar demokracinë tonë dhe për prestigjin dhe identitetin e institucioneve tona. Por në të njëjtën kohë të gjithë e dimë se ne plotësojmë kushtin më serioz të integrimit euroatlantik, duke zhvilluar këto zgjedhje demokratike”, theksoi presidenti maqedonas, Cërvenkovski pasi votoi në një qendër votimi në kryeqytet, Shkup. Të gjitha kandidatët për president kanë bërë thirrje që zgjedhjet të zhvillohen të qeta, pasi “nga zgjedhjet e 22 marsit varet edhe integrimi i Maqedonisë”. Kandidati i VMRO-DPMNE, Ivanov, theksoi se këto zgjedhje janë shumë të rëndësishme për ecurinë e mëtejshme të Maqedonisë. Ndërsa kandidatja shqiptare, Mirushe Hoxha, përfaqësuese e PDSH-së (Partia Demokratike Shqiptare), tha se shpreson se zgjedhjet do të jenë të ndershme dhe demokratike. Kandidati kryesor shqiptar nga Partia “Demokracia e Re”, Imer Selmani, tha se populli do të thyejë tabute etnike dhe do të votojë për zgjedhjen më të mirë. Këto janë vlerësuar si zgjedhjet më të komplikuara, që ka pasur ndonjëherë Maqedonia, pasi janë të dyfishta. Për herë të parë në Maqedoni po zhvillohen njëkohësisht edhe zgjedhjet lokale edhe ato presidenciale. Liderët maqedonas kanë shprehur për mediat lehtësimin e tyre pas vlerësimit paraprak se zgjedhjet ishin të vlefshme dhe kaluan pa incidente.