E Shtunë, 31 Tetor 2026

Këshilli i Sigurimit miraton planin e Ban Ki Moon për EULEX-in

Këshilli i Sigurimit miratoi të mërkurën në mbrëmje një deklaratë, me të cilën i hapet rruga vendosjes së EULEX-it në tërë territorin e Kosovës, sipas planit të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së.

Misioni evropian për sundim të ligjit pritet të fillojë punën në muajin dhjetor në tërë territorin e Kosovës.

Autoritetet serbe kanë shprehur kënaqësinë që kushtet e Serbisë për vendosjen e EULEX-it në Kosovë janë pranuar nga zoti Ban, ndërsa udhëheqësit kosovarë kanë thënë se nuk do të lejojnë zbatimin e asnjë plani që cënon pavarësinë e Kosovës.

Këshilli i Sigurimit i ka dhënë pëlqimin fillimit të punës së Misionit evropian në Kosovë nga muaji dhjetor nën mandatin e rezolutës 1244 të OKB-së.

Debati për EULEX-in

Pas më shumë se dy orë debati, këshilli nxorri një deklaratë presidenciale, në të cilën mirëpret raportin e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Mon duke marrë parasysh qëndrimin e Prishtinës dhe Beogradit si dhe gadishmërinë e tyre për të bashkëpunuar me komunitetin ndërkombëtar.

Sipas planit të zotit Ban, EULEX-i do të ushtrojë mandatin e tij nën ombrellën e Kombeve të Bashkuara, duke mbajtur qëndrim të paanshëm ndaj statusit të Kosovës.

Miratimit të deklaratës presidenciale në Këshillin e Sigurimit i kanë paraprirë diskutimet mbi gjendjen në Kosovë dhe rikonfigurimin e pranisë civile ndërkombëtare.

Shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Lamberto Zannier tha se periudha e tranzicionit është ndërlikuar më shumë sesa ishte menduar, kur Kosova kishte shpallur pavarësinë e saj.

Ai e përshkroi situatën e sigurisë të qetë, ndërsa atë politike të ndërlikuar.

Zoti Zannier theksoi se UNMIK-u po vazhdon procesin e rikonfigurimit, duke ndryshuar rolin e tij.

"Roli i UNMIK-ut po bëhet më politik, për shembull duke ndihmuar dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Meqenëse ende nuk janë krijuar kushtet që të dyja palët të ulen dhe të bisedojnë së bashku, UNMIK-u ka rolin e ndërmjetësuesit, ndonëse të dyja palët e interpretojnë ndryshe atë", tha zoti Zannier.

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Vuk Jeremiq ka përsëritur qëndrimin e shtetit të tij se pavarësia e Kosovës është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.

Ai tha se Serbia mbetet e përkushtuar për të mbrojtur, siç e quajti ai, "krahinën e saj jugore" në mënyrë paqësore me mjete diplomatike dhe politike.

Shefi i diplomacisë serbe shprehu kënaqësinë që kushtet e Serbisë për vendosjen e EULEX-it në Kosovë janë pranuar nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së.

"Për ne ka qenë kusht thelbësor që ne të pranojmë rikonfigurimin ka qenë premtimi i Bashkimit Evropian i konfirmuar nga Këshilli i Sigurimit që EULEX-i të jetë tërësi neutral ndaj statusit dhe të ushtrojë mandatin nën mandatin e Kombeve të Bashkuara në përputhje me rezolutën 1244. Më vjen mirë që këto janë kushte të arsyeshme janë plotësuar", tha ministri I Jashtëm serb.

Nga ana tjetër, Ministri i Jashtëm i Kosovës, Skënder Hyseni tha se vendosja e Misionit Evropian për sundim të ligjit është kritike, por ai nënvizoi se EULEX-i duhet të sillet në përputhje me Kushtetutën dhe planin e ish ndërmjetësit të OKB-së për statusin, Martti Ahtisaari.

Ministri Hyseni theksoi se autoritetet kosovare nuk do të lejojnë asnjë veprim që do të cenonte sovranitetin e saj.

"Zbarkimi i EULEX-it është kritik dhe i domosdoshëm në çdo aspekt. Autoritetet qendrore dhe lokale po presin që të bashkëpunojnë ngushtë me EULEX-in për të përmirësuar sigurinë dhe jetën e të gjithë qytetarëve të Kosovës, prandaj ne jemi të përkushtuar për vendosjen sa më të shpejtë të EULEX-it në tërë Kosovën në pajtim me mandatin që buron nga këto dokumente: deklarata e pavarësisë, pakoja e Ahtisarit, Kushtetuta e Kosovës, Planit të Përbashkët të Veprimit të BE-së të 4 shkurtit 2008 dhe ftesës së 17 shkurtit 2008 për vendosjen e EULEX-it", tha ministri Hyseni.

Qëndrimi ndërkombëtar

Përfaqësuesja e Shteteve të Bashkuara në Këshillin e Sigurimit, Rosemary di Carlo tha se pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme dhe kërkoi respektimin e sovranitetit të Kosovës.

"Udhëheqësit kosovarë e kanë bërë të qartë se kundërshtojnë planin, por Republika e Kosovës mirëpret dhe do të lehtësojë zbarkimin e EULEX-it. Ne sot dëgjuam që edhe Serbia mirëpret vendosjen e EULEX-it. Shtetet e Bashkuara nënvizojnë rëndësinë e respektimit të integritetit dhe sovranitetit të Kosovës, prandaj ne mirëpresim angazhimin e Sekretarit të Përgjithshëm që të konsultohet në vazhdimësi me autoritetet e Kosovës për zbatimin e këtyre marrëveshjeve të përkohshme", tha zonja Di Carlo.

Përfaqësuesja e Britanisë së madhe në OKB, Karen Pierce ka thënë se marrëveshjet e përkohshme që dalin nga plani 6 pikësh do të bëhen me konsultim të të gjitha palëve dhe këto aranzhime, sipas saj "ofrojnë siguri të fuqishme për serbët dhe komunitetet tjera pakicë".

"Ministrat Jeremiq dhe Hyseni dhanë interpretimet e tyre. EULEX ka mandatin e BE-së dhe do ta zbatojë mandatin e BE-së. EULEX përbën misionin më të madh të BE-së për të mirën e gjithë popullit të Kosovës dhe ju do ta shihni vlerën e misionit të policisë dhe drejtësisë. E mirëpresim bashkëpunimin e Kosovës në shtrirjen e EULEX-it në tërë Kosovën", ka thënë amabsadorja Pierce.

Ndërsa përfaqësuesi i Rusisë në OKB ka ritheksuar se nga këndvështrimi rus "shpallja e pavarësisë dhe njohja e saj janë në kundërshtim me Rezolutën 1244 dhe Kartën e OKB-së".

"Siç ka treguar koha, shpallja e njëanshme e pavarësisë nuk ka ndihmuar të zgjidhjen e problemeve kryesore në rajon. Ende ekziston një shkallë e lartë korrupcionit dhe krimit të organizuar, nuk ka përmirësim në cështjet ekonomike dhe sociale, ka një ndarje de fakto të krahinës dhe nuk ka ulje të tensioneve ndëretnike, ndërsa tani ka mospajtime edhe mes vet kosovarëve", ka thënë përfaqësuesi i Moskës, duke shtuar se kjo situatë mund të destabilizojë situatën në rajon.

Ai theksoi se autoritetet e Prishtinës po përpiqen ta sabotojnë planin e Sekretarit të Përgjithshëm dhe kërkoi ndërhyrjen e autoriteteve ndërkombëtare nëse autoritetet kosovare e bëjnë këtë.

Reagimet pas seancës

Pas seancës, e cila përfundoi pak para mesnatës, sipas kohës lokale, Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, Daniel Fried, i tha BBC-së se vendimi i KS-së të OKB-së për shtrirjen e EULEX-it në gjithë Kosovën është një goditje për ata që duan ndarjen e saj dhe është një hap për të konsoliduar një Kosovë të bashkuar.

Ai tha se EULEX-i do të veprojë sipas Rezolutës 1244, që është e paanshme ndaj statusit, por efekti i vendosjes së misionit, sipas tij, do të jetë konsolidimi i institucioneve të Kosovës.

Misioni i EULEX-it, tha ai, do të veprojë në një Kosovë të pavarur, të pandarë dhe sovrane.

Ministri i Jashtem i Kosoves, Hyseni tha se asnjë plan nuk do të mund të zbatohet pa pëlqimin e Prishtinës dhe të gjitha veprimet duhet të jenë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. (BBC)

Ora 21. 55 Sapo filloi seanca e sotme të Këshillit të Sigurimit të OKB për Kosovën. Ajo u hap me me fjalën e shefit te UNMIK-ut Lamberto Zannier i cili po paraqet raportin e tij. Mblidhen 15 ambasadorët e OKB pritet të vendosin për shtrirjen e EULEX në KosovëOra 20.57

Për pak minuta pritet të mblidhet në Bruksel Këshilli për Sigurinë i Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Sonte do të vendoset për shtrirjen e EULEX në Kosovë. A do të jetë EULEX me 6 apo 4 pika? Kjo përgjigje jepet nga 15 ambasadorët e shteteve të mëdha, të cilët do të shqyrtojnë Planin e paraqitur nga Sekretari i OKB-së, Ban Ki-Mun. Plani 6-pikësh i Ban Ki Mun është kundërshtuar nga qeveria kosovare, pasi sipas saj cënon pavarësinë e Kosovës, ndërsa është mbështetur nga pala serbe.  

Mësohet se diplomatët kanë patur një takim të fshehtë para mbledhjes për të diskutuar me Rusinë për këtë plan, pasi siç dihet Rusia mbështet gjerësisht qendrimin serb për Kosovën.

Sipas Planit të Ban Ki-Mun për EULEX, parashikohet një mbështetje nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së dhe një kontroll të policisë dhe doganave nga Kombet e Bashkuara në veri të Kosovës.Sipas zyrtarëve të BE-së, EULEX-i, që përbëhet nga 2 000 policë, gjykatës dhe doganierë duhet të vendoset në Kosovë në fillim të dhjetorit. Gjithashtu pikë tjetër e kundërshtuar nga qeveria e Kosovës, është ajo për shtrirjen e EULEX në tokën shqiptare dhe për vazhdimin e qendrimit të UMNIK në zonën e banuar nga serbët në veri të Kosovës. Qëllimi final i Prishtinës zyrtare është që EULEX-i të operojë në të gjithë Kosovën.

Ndërsa po pritet që në Organizatën e Kombeve të Bashkuara të debatohet mbi Planin 6-pikësh, zëdhënësi i Ban Ki Mun deklaroi se, qëllimi i OKB-se nuk është ndarja e Kosovës. Sipas tij, vete Ki Moon e kundërshton një gjë të tillë. “Jemi të kënaaqur që Prishtina është e gatshme të bisedojë me BE-në për vendosjen e EULEX. Gjithashtu jemi të sigurt se ai do të shtrihet në të gjithë Kosovën”, tha Brenden Varma, zëdhënës i Ban Ki-Mun.

Raporti prej 6- pikash iu është shpërndarë që ditën e hënë 15 vendeve anëtare. Sot pritet vetëm të debatohet për si dhe të dëgjohen dy ministrat e jashtëm, ai i Kosovës, Skënder Hyseni dhe ai serb Vuk Jeremiç.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›