Zëdhënësi i Ban Ki-Mun flet për dislokimin e EULEX-it
Në një intervistë për BBC-ne, Brenden Varma, zëdhënësi i Sekretarit të OKB-së, Ban Ki Mun është shprehur se “plani gjashtëpikësh i OKB-së do të zbatohet në Kosovë, megjithëse autoritetet në Prishtinë e kanë hedhur poshtë atë si në kundërshtim me Kushtetutën e vendit”. Dokumenti, që iu është shpërndarë vendeve anëtare të Këshillit të Sigurimit, thotë ai ka marrë parasysh, pa paragjykime qëndrimet e Beogradit dhe Prishtinës lidhur me statusin. Intervista është dhënë para mbledhjes së 15 ambasadorëve të OKB-së për të diskutuar mbi planin e Ban Ki-Mun.
BBC: Çfarë do të bëjë Këshilli i Sigurimit me raportin e Sekretarit të Përgjithshëm?
Varma: Zakonisht kur Këshilli i Sigurimit shqyrton raportet e Sekretarit të Përgjithshëm, anëtarët shkëmbejnë pikëpamje, i bëjnë të ditura pikëpamjet e tyre për raportin dhe pak a shumë kjo është e gjitha. Ai është një debat. Është ende herët të themi në këtë moment, nëse do të kemi ose jo ndonjë veprim apo një deklaratë presidenciale. Duhet të shohim se çfarë vendos Këshilli i Sigurimit, kur anëtarët të kenë lexuar raportin dhe të vijnë në takim.
BBC: A po thoni ju se diskutimet në Këshillin e Sigurimit mund të ndryshojnë mendjen e Sekretarit të Përgjithshëm për ndonjë pikë të raportit?
Varma: Në këtë pikë raporti i Sekretarit të Përgjithshëm është shkruar dhe tani i takon Këshillit të Sigurimit ta lexojë raportin dhe të reagojë për raportin dhe të vendosë për rrugën që duhet të ecet përpara. Nga ana jonë, ne i qëndrojmë raportit që ka shkruar Sekretari i Përgjithshëm, ne do të vazhdojmë me rikonfigurimin e UNMIK-ut, siç është parashtuar në raport. Na duhet të presim dhe të shohim kur të zhvillohet takimi, se çfarë do të ndodhë më pas.
BBC: Po autoritetet e Prishtinës a janë marrë parasysh? Kryeministri i Kosovës përsëriti refuzimin për planin gjashtëpikësh?
Varma: Sekretari i Përgjithshëm ishte i vetëdijshëm se autoritetet e Kosovës e kishin kundërshtuar planin e tij, por ai vuri gjithashtu në dukje anën pozitive se autoritetet e Prishtinës kanë thënë se ata janë të gatshëm të bashkëpunojnë me EULEX-in. Dhe ky është një inkurajim pozitiv.
BBC: Autoritetet e Kosovës kanë frikë se rajonet e populluara nga serbët, në një farë mënyre do të shkëputen nga Kosova, sepse ato nuk do të qeverisen nga ligjet që zbatohen në të gjithë Kosovën. Cili është komenti juaj lidhur me këtë?
Varma: Komenti im i thjeshtë është se ne, asnjëherë, kurrë, nuk kemi bërë thirrje për ndarjen e Kosovës, dhe ne nuk po e bëjmë këtë as tani.
BBC: Nëse raporti kalon në Këshillin e Sigurimit, a do të thotë kjo se përfaqësuesi i Sekretarit të Përgjithshëm në Prishtinë, kreu i UNMIK-ut, do të fillojë të ketë përsëri kompetencat e tij të plota që ai nuk i ka përdorur shumë këto pak muajt e fundit pas pavarësisë?
Varma: Ai vazhdon të jetë zyrtari ynë kryesor në terren dhe ai do të vazhdojë të jetë i tillë. Sigurisht misioni i OKB-së në Kosovë duhet të evoluojë me ndryshimin e ngjarjeve në terren, dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë. Ne do të vëmë re gjithashtu edhe një reduktim të tij, që përfaqësuesi ynë e ka përmendur tashmë si pjesë e procesit të rikonfigurimit. Por ai do të vazhdojë të mbetet zyrtari kryesor i OKB-së në terren dhe ai do të vazhdojë detyrat e tij.
BBC: A do të ketë ai, p.sh, fuqi të vendosë veton ndaj ndonjë ligji që shkon kundër rezolutës 1244?
Varma: Mendoj që duhet të shohim kur të dalin çështjet, nëse ato dalin. Ju po bëni një pyetje hipotetike. Por si edhe deri tani ai do të vazhdojë të kryejë detyrat e tij sipas mandatit të rezolutës 1244, dhe, më duhet ta theksoj, procesi i rikonfigurimit evoluon vazhdimisht dhe është shumë e vështirë të parashikosh se çfarë do të bëjë ai në situata të caktura, nëse ato situata ndodhin.