Avokati i Fazlliç:Të hiqet sekuestro mbi pronat e tij
Tiranë-Avokati i biznesmenit serbo-kroat Damir Fazlliçit, të akuzuar për pastrim parash në Shqipëri, e ka cilësuar si të paligjshme këtë akuzë. Gjatë seancës së sotme në Gjykatën e Shkallës së Parë Tiranë, avokati i tij, Genc Gjokutaj u shpreh se “Fazlliç, nuk ka kryer asnjë vepër penale që të konkludohet se ka pastruar para”. Dosja “Fazlliç” u përpilua nga Prokuroria e Tiranës pas sinjalizimeve nga media se ky person kishte firma fantazëm në Shqipëri dhe kishte blerë toka shteterore, si ajo në Porto Romano me çmim më të lirë se vlera e pronës. Fazllic u përfol si i lidhur me familjen Berisha, të cilën e konfirmoi edhe vetë Kryeministri duke u shprehur “miku im Fazlliç”.
Gjatë seancës së sotme, e para në ngarkim të këtij shtetasi, prokuroria kërkoi kohë që të shprehet për qëndrimin e saj lidhur me këtë çështje. Në këto kushte, Gjykata vendosi të shtyjë seancën për javën e ardhshme.
Mbrojtja ligjore e biznesmenit Fazlliç kërkon në këtë proces shfuqizimin e vendimit të akuzës për sekuestrimin e aseteve që ai disponon në Shqipëri.
Prokuroria shqiptare ka verifikuar të gjitha transaksionet e kryera në emrin e Fazllic, në bankat e nivelit të dytë në vend. Ky verifikim kryhet pas dyshimeve se akt-shitja e përpiluar nga avokatja Flutura Kola dhe vetë Fazlliç për kalimin e kompanisë “Crown Aquisitions” tek kompania mëmë në Qipro ka mundësuar pastrimin e parave”. Po kështu këtij shtetasi i është bllokuar në hipotekë edhe toka në Porto-Romano, në mënyrë që ai të mos bëjë asnjë veprim me të, pa u mbyllur gjyqi. Nën sekuestro janë edhe prona dhe ndërmarrje të tjera të Fazlliç.