Pallati, ekspertiza zbardh shkaqet e vdekjes
Gjirokastër-Autopsia mjeko-ligjore e tre trupave të pajetë të tragjedisë së Gjirokastrës ka nxjerrë edhe shkaqet e vdekjes së tyre. Për 65-vjeçaren Parashivi Zoto, shkak i vdekjes së saj ishte goditja e marrë gjatë shembjes së pallatit.
Ndërsa për Valbona Dalanin, shkak i vdekjes kanë qenë goditjet e marra, por edhe asfiksia që ajo ka pësuar nën rrënoja. Trupi i pajetë i Valbonës ka qenë totalisht i dërrmuar kur është nxjerrë nga rrënojat. Sipas ekspertëve ajo është përpjekur të mbrojë me trupin e saj të bijën e mitur e cila nuk arriti t’i shpëtojë dot kësaj tragjedie. Angjela Dalani 13 vjeç, vajza e Valbonës, ka vdekur nga goditjet e marra dhe asfiksia nën rrënoja,thuhet në. Ekspertizë.
Tre viktimat e ditës së djeshme në Gjirokastër, u gjetën nën rrëmoja teksa banesa ku jetonin u shemb në çast. Një pallat i ri ndërtuar pranë pallatit ku ato banonit ka shkaktuar shembjen e godinës si rezultat i dëmtimit të themeleve gjatë ndërtimit të pallatit të ri.
Ndërsa familjet e dëmtura po flenë në hotel. Ata janë ndihmuar financiarisht nga 7 biznese të mëdha në këtë qytet dhe nga Bashkia e Gjirokastrës. Për 13 familjet janë dhënë shuma të ndryshme parash, ku 11 prej tyre morën nga 50 mijë lekë, ndërsa për familjet Zoko që humbi një pjestar të saj 500 euro. Ndërsa për familjen Dalani, që përjetoi tmerrin më të madh, ku vdiqën dy persona, u dhanë 1500 euro. Ndërsa bashkia ka shpërndarë nga 20 mijë lekë për secilën familje të dëmtuar.