Këshilli i Sigurimit, sot seancë për Kosovën
Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara do të shqyrtojë sot raportin e Sekretarit të Përgjithshëm Ban Ki-Moon lidhur me zhvillimet në Kosovë, që përfshin periudhën kohore prej 16 janar deri më 22 prill.
Që në fillim të raportit, Sekretari Ban Ki Moon përshëndet dhe e mirëpret marrëveshjen e parë mbi parimet e normalizimit marrëdhënieve midis Kosovës dhje Serbisë, që u arrit më 19 prill në dialogun e ndihmuar nga Bashkimi Evropian.
Në takimin e Këshillit të Sigurimit do të marrë pjesë edhe delegacioni i Kosovës i cili udhëheqjet nga kryeministri Hashim Thaçi, i cili prej një jave po qëndron në një vizitë në SHBA ndërsa delegacioni serb do të udhëhiqet nga kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiç.
Sekretari Ban Ki Moon e quan marrëveshjen një arritje historike dhe përgëzon udhëheqësit politik se treguan durim, largpamësi politike dhe udhëheqjen e duhur
Rezultatet e arritura në dialog hapin rrugën për normalizimin afatgjatë të marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës, shkruan sekretari Ban Ki Moon ndërsa ka shtuar se një frymë e njëjtë kompromisi, vendosmërie dhe vullneti të mirë duhet të mbizotërojë edhe në zbatimin e marrëveshjes në të dyja anët e lumit Ibër.
Ai thotë se për këtë bashkësia ndërkombëtare duhet të ofrojë mbështetje dhe luaj rol aktiv.
Udhëheqëse e radhës në takim dhe këtë muaj në Këshillin e Sigurimit është Britania e Madhe.